Kërko

Shtegtarë drejt Santiago de Compostella Shtegtarë drejt Santiago de Compostella 

Në Këshillin e Evropës flitet për itinerare kulturore dhe shtegtime fetare

Në Këshillin e Evropës, në Strasburg, takim i organizuar nga misioni i Selisë së Shenjtë në këtë organizëm evropian, në bashkëpunim me Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, kushtuar udhëve kulturore të Kontinentit të Vjetër.

R.SH. - Vatikan

“Itinerare kulturore të Këshillit të Evropës”: ky është titulli i takimit, që u organizua dje në Strasburg nga misioni i Selisë së Shenjtë, në selinë e këtij organizmi evropian, në bashkëpunim me Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Këtë vit, Selia e Shenjtë retifikoi zyrtarisht Marrëveshjen e Këshillit të Evropës për itineraret kulturore, nënshkruar në vitin 2010.

Santiago de Compostela e shtegtimet e tjera

         Më 1987, Këshilli i Evropës propozoi programin e itinerareve kulturore, me qëllim që t’u vërë vulën e vet atyre më të rëndësishmeve për identitetin kulturor evropian. Ҫertifikatën e parë e pati marrë shtegtimi i Santiago de Compostela, udha e shtegtarëve përmes Francës e Spanjës për të shkuar tek varri i Shën Jakut të Madh. Këshilli i Evropës përcaktoi edhe 30 itinerare të tjera, prej të cilave, shumë kanë karakter fetar. Përshpirtëria e tyre dëshmon për rrënjët e krishtera të Kontinentit të vjetër, që u përhapën e u forcuan edhe përmes fesë së shtegtarëve, që në shekuj, kanë përshkuar me besim udhë e shtigje, në nderim të shenjtorëve e të vendeve të kultit. Këto itinerare e ndihmojnë sidomos rininë të zbulojë territorin nga një këndvështrim tjetër. Ndoshta, duke ecur në to, të rinjtë përshkojnë rrugë që i shohin përditë, por pa u ndalur me atë ngadalësi e qetësi, e cila u jep mundësi t’i kuptojnë më thellë vendet, duke gjetur kështu, edhe rrënjët e identitetin e tyre.

Varri i Shën Pjetrit

         Një nga çastet më të rëndësishme të Sinodit të fundit kushtuar të rinjve, qe pikërisht shtegtimi drejt Varrit të Shën Pjetrit, përmes udhës Francigena – edhe kjo, pjesë e itinerareve kulturore evropiane. Është mënyrë për ta ndjerë veten pjesë të Kishës universale e për të qenë të bashkuar në të njëjtën udhë, pavarësisht nga ndryshimet. Ky është edhe synimi i itinerareve kulturore: të zgjojnë ndjenjën e përkatësisë në Evropë, e cila është simfoni kulturash të ndryshme, të harmonizuara në një identitet të përbashkët.

28 nëntor 2018, 12:20