Cerca

Vatican News

Muzetë e Vatikanit kremtojnë Winckelmann, atë i arkeologjisë

Ekspozita “Winckelmann. Kryevepra të përhapura në Muzetë e Vatikanit”, kushtuar arkeologut e historianit të famshëm të artit prusian, bibliotekarit, themeluesit të gliptotekës dhe koleksionit numizmatik me famë botërore të Familjes Albani, në 250-vjetorin e vdekjes, paraqet për publikun, që do të mund ta vizitojë deri më 9 mars 2019, 50 vepra të Muzeve, nga lashtësia egjiptiane - tek arti rinashimental, fryt i interesimit të gjermanit të madh.

R. SH. - Vatikan

T’i zbulosh 50 kryeveprat e pranishme në koleksionet  e papëve, është si të kërkosh thesare në 50 skuta gjatë sallave, oborreve, stancave e korridoreve të Muzeve të Vatikanit, i udhëhequr nga shija dhe njohja e thellë e artit të Johann Joachim Winckelmann (Stendal 1717- Trieshtë, 1768). Ekspozita “Winckelmann. Kryevepra të përhapura në Muzetë e Vatikanit”, që u hap këto ditë e do të mund të shijohet deri më 9 mars 2019, vë në dukje rolin  themelor të koleksioneve të Vatikanit në studimet, teoritë e shkrimet e atij, që konsiderohet si atë i arkeologjisë moderne. Atij, që e kërkoi gjithë jetën të bukurën në art, duke e krijuar, atje ku nuk e gjeti e duke i kushtuar edhe vepra, që do të viheshin në themel të një Lëvizjeje të fuqishme, “Sturm und drang”, e cila i dha letërsisë botërore Gëten e Shilerin, për të mos përmendur fillesat e romantizimit në letërsi e arte. I riktheu, kështu, botës, frymëzimin, që vinte nga Parnasi i lashtë, ku vijonin vallen shtatë motrat Muza!

Një mendim estetik, në bazë të Muzeve

Barbara Jatta, drejtoreshë e Muzeve të Vatikanit, shpjegon se ekspozita  flet sa për kryeveprat, aq për Winckelmann. Por nëse duam ta vlerësojmë rëndësinë që pati mendimi i tij estetik në formimin e Muzeve të Vatikanit me frymë moderne, ashtu si janë sot - kujton akoma Barbara Jatta - “vlejnë vetëm veprat e Muzeve, 50 pika me vepra jo vetëm të arkeologjisë klasike greko-romake, por edhe të asaj egjiptiane e etruske, për të arritut tek piktura e rinashimentos së madhe, e pikërisht tek Stancat e Raffaello-s, por edhe tek Barocci, Tiziano e Caravaggio.

Winckelmann scriptor në Bibliotekën e Vatikanit

Ekspozitë korale, kjo, në të cilën morën pjesë të gjitha repartet, zyrat, laboratorët e restautrimit. Sepse ekspozohen vetëm vepra të Muzeve të Vatikanit, me një përjashtim të vetëm, Bibliotekën, ku Winckelmann punoi, mori titullin  “scriptor teutonicus” e pastaj, pothuajse në fund të jetës, edhe titullin scriptor grecus, e posaçërisht, atë të kuratorit të Muzeut Profan në fasha, që është një nga dy bërthamat muzeale, të cilat i dhanë format e para Muzeve të Vatikanit, parë me syrin modern.

“Atë” postum i Muzeut Pio Klementin

Janë kryesisht veprat e Belvederes vatikanase - sqaron akoma Barbara Jatta - që ekzistonte si koleksion papnor, por që nuk kishte strukturën e  sotme si Cortile Ottagono, dhe të Muzeut Pio Clementino, i cili pa dritën vetëm tri vjet pas vdekjes së Winckelmann, në vitin 1771, por që u ngrit edhe falë mendimit të tij estetik, teorive të tij dhe historisë së tij të artit të lashtësisë.

Kuratori Conini: është arkeologu i parë

Guido Cornini, kurator i ekspozitës kushtuar Winckelmann dhe drejtor i repartit për artin e shek XV e XVI në Muzetë e Vatikanit shpjegon se kjo eskpozitë kremton, 300 vjet pas lindjes e 250 pas vdekjes, “këtë historian të shquar arti e arkeolog: i pari që e meriton vërtet këtë emër e që la shenja të pashlyeshme si vigan, në kulturën e kohës së vet e të kohëve, që do të vinin. Duke i sfiduar kështu kohët, ashtu siç dinë të bëjnë vetëm njerëzit që i përkasin çdo kohe. U mor kryesisht me artin  greko-romak, të cilin e periodizoi, duke hedhur bazat e historisë së artit të epokave të mëpasme. Kështu, përveçse arkeolog, mbetet edhe themelues i historisë së artit.

Nga Prusia në Romë, me ëndrra lashtësie

Winckelmann - rrëfen akoma Cornini - “arriti në Romë nga Prusia e tij, i paraprirë nga ëndrra për të njohur lashtësinë, lindur gjatë leximeve në bibliotekën e mbretit Augusti i Saksonisë e u pranua nga kardinali bibliotekar Passionei së pari, e Albani më pas. E ky ishte fati i tij i madh - e njëkohësisht edhe fatkeqësia e tij. Fat, sepse u pranua  në sallonet kryesore të aristokracisë dhe nisi të kujdesej për veprat më të rëndësishme të lashtësisë. Pati në dorë një panoramë të pafundme njohurish historike-artistike e kuptoi se gjithçka ishte shkruar deri në atë çast në historinë e artit të lashtësisë, nuk mund të krahasohej me provën e pëvojës së drejtpërdrejtë. Realizoi, kështu, një plan për historinë e artit, që niset pikërisht nga mermeret e Muzeve të Vatikanit, nga Laocoonti - tek Torzi i Belvederes, që stolisinin Vatikanin që nga vitet pesëqind.

Ndërmjet themeluesve të lëvizjes neoklasike

Muzetë e Vatikanit, që lindën menjëherë pas vdekjes së Winckelmann,  “jetojnë akoma nën hijen e mësimeve të gjermanit të madh”. Në ato kohë zbuloheshin vazhdimisht vepra arti, që dilnin nga dheu, e ai ishte i pranishëm në të gjitha gërmimet. Si komisar i lashtësisë së Romës, i emëruar nga Papa Klementi XIII, kishte monopolin shkencor mbi gjithçka që gërmohej në qytet, e edhe privatët detyroheshin t’ia hapnin portat, për të parë çka ruhej brenda muzeve të shtëpive të tyre. Kështu u radhit në vijën e parë të lëvizjes neoklasike, duke u bërë edhe njëri nga themeluesit e saj.

Themelues i  gliptotekës Albani

Ai e themeloi edhe gliptotekën e famshme të Vill-ës Albani, në rrugën romake Salaria, pronë e kardinalit Aleksandër Albani, nip i Papës Klementi XI,  duke e bërë menjëherë qendër e mirënjohur kulture të botës perëndimore.

Në këtë vilë, gjithnjë me emrin Albani, ku punonte si bibliotekar, mblodhi për kardinali koleksionin me objekte të lashta, të cilat pastaj nuk i grumbulloi mbi sergjene, si në muzetë e kohës, por i përdori si orendi, për të zbukuruar mjediset e vilës, krijuar si vend kënaqësie, vizituar nga një rreth i ngushtë njerëzish, që dinin ta shijonin këtë mrekulli, duke e soditur me sy të mësuar.

Më 1761 Anton Rapael Mengs realizoi, për sallonin e vilës, afreskun e famshëm të Parnasit, ndoshta manifesti më i rëndësishëm pikturesk i lindjes së neoklasicizmit. Programi ikonografik u diktua pikërisht nga Winkelmanni. Ai u kujdes edhe për katalogimin e koleksioneve të lashtësisë të mbrojtësit të tij, ashtu si dhe për bibliotekën, me 40 mijë vëllime, ku Winkelmann-i i madh mundi ta shuajë etjen e tij të pashuar për lexim. Duke lidhur kështu, emrin e vet, me Albanët, krenarë për gjakun shqiptar, që u rridhte ndër dej.

Fund i pamerituar, pa fund

Ky njeri-thesar, që u mor gjithë jetën me thesaret e artit, pati një fund shumë të pamerituar: u mbyt, për t’u grabitur pastaj, nga një matarapaz numizmatike, nësa blinte një monedhë të lashtë për koleksionin e Papës shqiptar Albani. Ai, që kishte vetëm një thesar: thesarin e artit! Që e ruante në kokë! Atje ku lindin e ruhen të gjitha kryeveprat e mëdha të njerëzimit!  Të cilat formojnë “fondin e artë i kulturës botërore”.

 

13 nëntor 2018, 11:51