Cerca

Vatican News
 Shenjtërorja e Lurdës Shenjtërorja e Lurdës  

Kryeipeshkvi Fisichella: Shenjtërorja është vendi i mikpritjes

Vijon kuvendimi ndërkombëtar i rektorëve dhe punonjësve të shenjtëroreve, organizuar nga Këshilli papnor për provimin e ungjillëzimit të ri, me temë: “ Shenjtëroja, portë e hapur për ungjillëzimin e ri”.

R. SH. - Vatikan

“Të nisesh nga shenjtëroret, parë si vend  i ungjillëzimit të ri”, do të thotë, në një fare mënyre, t’i rizbulosh rrënjët e tua, të punosh që feja të mbetet  gjithnjë sfidë e vërtetë e jetës sonë, ndihmë, për t’u dhënë përgjigje  pyetjeve të mëdha të kuptimit të saj”. Me këto fjalë kryeipeshkvi Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për promovimin e ungjillëzimit të ri, e paraqiti, në mikrofonet e Vatican News, Kuvendin e parë ndërkombëtar për rektorët dhe punonjësit e shenjtëroreve, me temë: “Shenjtërorja, portë e hapur për ungjillëzimin e ri”. Prelati saktësoi se shenjtëroret janë vende lutjeje, ku ruhen traditat popullore Ato - vijoi- me mesazhin e tyre, me praninë e tyre, kontribuan për ta plazmuar fenë e breznive të tëra aq, sa të formojnë edhe identitetin e vetë popullsive.

Kuvend për të nisur një udhë, së bashku

Nismë - kujtoi akoma kryetari i Këshillit papnor për nxitjen e ungjillëzimit të ri, që synon kryesisht të favorizojë “njohjen reciproke të rektorëve, të thellojë përvojat e të nisë një udhë, së bashku”. E udhët, që duhen përshkuar, janë vërtet të shumta. Përfaqësohen nga 600 drejtues, ardhur nga shenjtëroret e mbarë botës, të vogla e të mëdha, nga të pesë kontinentet e nga dhjetra vende, ndërmjet të cilave, Pakistani, Ekuadori, Koreja.

Shenjtëroret, vend i misterit e i bukurisë

Deri nesër, 29 nëntor, në takim do të flitet për shenjtëroret, ku njerëzit e thjeshtë shkojnë për të kërkuar hire. Por jo të gjithë i vizitojnë vetëm për arsye fetare. Shkojnë edhe të tërhequr nga natyra, nga vendet, nga ngjarjet historike, nga veprat e artit. Gjithsesi shumica e vizitorëve mbeten gjithnjë të varfërit, njerëz të atyre periferive ekzistenciale, për të cilat flet vazhdimisht Papa. Ja pra, pse shenjtërorja është me të vërtetë “vend i mikpritjes”, “hapësirë brenda së cilës të gjithë ndjehen në shtëpi të vet. E ndjejnë se aty është Dikush, që i pret me atë dashuri, që bota rrallë di t’ua japë”. Në shenjtërore hyhet pa pasur nevojë të presësh pas dere, apo të trokasësh, para se të hysh, sepse aty nuk të pret zyrtari i zymtë, por vetë Zoti!

Heshtja e shenjtëroreve i flet zemrës së të gjithëve

Shtegtimi është përvojë, që i bashkon njerëzit; besimtarë e jo besimtarë e perceptojnë thellësisht këtë përmasë të shtegtimit. Për shumë njerëz, që nuk besojnë - përfundoi prelati - do të thotë të jetosh përvojën e mallit për Zotin, t’ia hapësh zemrën kësaj dëshire, që e kemi të gjithë në fund të shpirtit. Shenjtëroret janë hapësirë mistike, ku mund të gjesh, përgjigjen për  pyetjes, që ia bëre vetes një jetë të tërë!

28 nëntor 2018, 15:14