Kërko

Kardinali Pietro Parolin në simpoziumin e Fodacionit Ratzinger Kardinali Pietro Parolin në simpoziumin e Fodacionit Ratzinger 

Kard. Parolin: tundim për të vënë theksin mbi fjalën “të drejta”, duke harruar “njerëzore”

Në fjalën e tij, në Simpoziumin ndërkombëtar të Fondacionit “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, 70 vjet pas Deklaratës universale të të drejtave të njeriut, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin theksoi impenjimin e Kishës për “njeriun në tërësinë e tij”.

R.SH. - Vatikan

Bota e sotme priret e tundohet “ta theksojë fjalën ‘të drejta’, duke harruar atë më të rëndësishmen: ‘njerëzore’”. Këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur dje pasdite në Simpoziumin ndërkombëtar me temë “Të drejtat themelore dhe konflikti ndërmjet të drejtave”, organizuar nga Fondacioni “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”, në bashkëpunim me Universitetin katolik italian “Lumsa”, 70 vjet pas Deklaratës universale të të drejtave të njeriut, nënshkrimi i së cilës mban datën 10 dhjetor 1948.

Njeriu në tërësinë e tij

         “Nëse të drejtat humbasin lidhjen me njerëzimin – pohoi kardinali – kthehen në shprehje të grupeve me interes të caktuar”. Në debatin për të drejtat, “sfida për Kishën e për Selinë e Shenjtë, në forume të ndryshme ndërkombëtare, nuk është të mbrojë qëndrime e të zotërojë hapësira, siç do të thoshte Papa, por të propozojë në mënyrë të thjeshtë e transparente, këndvështrimin e saj mbi njeriun: jo prodhim i vetmuar i rastit, por bir i një Ati të kujdesshëm”, shpjegoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Kisha dhe Selia e Shenjtë, gati për debat të gjerë mbi të drejtat

         Papa Françesku, kujtoi kardinali Parolin, “na nxit vazhdimisht të ndërtojmë ura” e “urat mund të ndërtohen me bashkëbisedues të ndryshëm, si në kuadrin shumëpalësh, ashtu edhe në atë dypalësh; si me shtetet, ashtu edhe me organizatat jo qeveritare; si me subjekte fetare, ashtu edhe me laikë e jobesimtarë”. Selia e Shenjtë, nënvizoi kardinali, “e konsideron themelor, favorizimin e një debati sa më të gjerë të mundshëm me të gjithë njerëzit vullnetmirë e me ato institucione, që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për promovimin e së mirës së përbashkët dhe të zhvillimit shoqëror”. Megjithëse “intoleranca në rritje ndaj organizatave ndërkombëtare e ndaj diplomacisë shumëpalëshe, që vërehet nga të gjitha anët, vë në rrezik serioz bashkëbisedimin mbi të drejtat e njeriut”.

16 nëntor 2018, 12:25