Cerca

Vatican News
 Koralet Koralet  (Vatican Media)

Imzot Fisichella Koraleve: çojeni në botë dashurinë e Krishtit!

Me Meshën, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, përfundoi Kuvendi ndërkombëtar i Koraleve. Imzot Fisichella iu drejtua këngëtarëve me fjalët: çojeni kudo dashurinë e Zotit, pa harruar se jeni roje të bukurisë së muzikës kishtare.

R. SH. - Vatikan

Mesha në Shën Pjetër, kryesuar nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e  Ungjillëzimit të Ri, i mbylli tri ditët e veprimtarisë së 8 mijë pjesëmarrësve në Kuvendin ndërkombëtar të Koraleve. Për homelinë e rastit, imzot Fisichella e mori shtytjen nga leximet e ditës, që flisnin për pushtetin mbretëror të Krishtit e për natyrën e mbretërisë së Tij, që nuk ka të bëjë fare me pushtetin e botës. Madje,  pushteti, nderimi e lumnia e Tij shkëlqejnë më shumë në vuajtje, në vdekje e, në fund të fundit, në Ngjallje. Pastaj prelati vuri theksin mbi të vërtetën, që rrezaton Jezusi.

E vërteta nuk është teori; e vërteta, për fenë, është Vetje. Është Jezusi dëshmitari besnik i kësaj së vërtete. E vërtetë, që nuk mund të veçohet  kurrë nga bukuria dhe mirësia. Kjo e vërtetë, që Jezusi na bën ta njohim, që na e zbulon, nuk është tjetër, veçse dashuria e Atit për botën, dashuria e Zotit për secilin prej nesh, personalisht! Dashuri, që bëhet e dukshme në jetën konkrete, në çdo fjalë, në çdo gjest, në çdo shenjë  e, posaçërisht në vdekjen e  ngjalljen e Zotit Jezus.

Mbartës të dashurisë së Zotit

Kjo - vijoi imzot Fisichella - është e vërteta që pret bota bashkëkohore. E vetmja, e aftë ta ndryshojë jetën e që prandaj, duhet kumtuar, duhet përsëritur me zë të lartë, duhet kënduar: “Zoti na do, ndonëse jemi mëkatarë!”. Këngëtarët, ardhur nga 40 vende, prelati i nxiti të jenë mbartës  të kësaj dashurie, sepse, siç thoshte Shën Agostini: “Cantare amantis est”, domethënë: “Ai që do, këndon”.

Dashuria jonë për Krishtin bëhet këngë. E kjo buron nga vetë feja jonë, që jo gjithnjë i gjen fjalët e përshtatshme për t’u shprehur. E atëherë kërkon tingujt, ia beson muzikës dëshirën për t’i dhënë më shumë solemnitet e konkretësi rrëfimit tonë. Sa të vërteta tingëllojnë fjalët e Danielit Profet, që sapo i dëgjuam: “Të gjithë popujt e të gjitha gjuhët do t’i shërbejnë Zotit”.

Në shërbim të Kishës

Imzot Fisichella e përfundoi homelinë duke pohuar thelbin e shërbimit besuar Koraleve: është kënga, himni i lavdisë, që larton liturgjia dhe misteri i dashurisë, që rijeton, por që duhet të jehojë në çdo aspekt të jetës. Këndojmë besimin në shëlbimin, që na u dhurua; këndojmë forcën e shpresës, që u prin hapave tanë, nësa presim kthimin e Tij; këndojmë dashurinë, për ta ndarë pastaj, me ata që kanë nevojë; këndojmë gëzimin tonë e shqetësimin tonë; këndojmë drithmat, që i provon veç kush do; këndojmë heshtjen e shikimit të Krishtit mbi ne. I këndojmë Zotit, e i shërbejmë, ashtu si do Ai, atje ku do, duke e bërë plotësisht vullnetin e Tij. Këndojmë, duke e ditur se jemi roje agimi të bukurisë së muzikës kishtare e se e gjithë jeta jonë duhet të jetë këngë kushtuar Krishtit të Ngjallur!

25 nëntor 2018, 13:02