Kërko

Sinodi 2018 Sinodi 2018 

Sinodi: u paraqit boca e Letrës për të rinjtë e gjithë botës

Në Sinodin e ipeshkvijve kushtuar të rinjve, në ditët e fundit të tij në Vatikan, u paraqit boca e “Letrës së Sinodit për të rinjtë e gjithë botës”, ndërsa filloi reflektimi mbi projektin e Dokumentit përfundimtar, dorëzuar dje Etërve sinodalë.

R.SH. - Vatikan

Teksti që përmban e përmbledh ndërhyrjen e Etërve të Sinodit kushtuar të rinjve, është akoma i përkohshëm, e synon t’i flasë çdo të riu. Ishte ipeshkvi ndihmës i Lionit, në Francë, imzot Emmanuel Gobilliard, anëtar i Komisionit përkatës, ai që lexoi sot në Sallë, propozimin për “Letrën e Sinodit drejtuar të rinjve të gjithë botës”. Teksti, akoma i përkohshëm, synon t’i flasë çdo të riu, duke i dhënë shpresë e guxim, së bashku me sigurinë se Kisha ecën me të. Duke falenderuar hartuesit, 253 Etërit sinodalë të pranishëm propozuan amendamente si për Letrën, ashtu edhe për Dokumentin përfundimtar të Sinodit, që në përgjithësi, konsiderohet me strukturë të harmonishme.

Shoshitje shpirtërore dhe vendime për veprim

Kongregacioni i 19-të i përgjithshëm u hap me lutje e me leximin e një pjese nga Letra I e Shën Pjetrit: tekst, që përputhet me frymën e punimeve të Sinodit, siç nënvizoi një nga Etërit, i cili mbajti meditimin. Në të, Shën Pjetri i nxit të krishterët të jenë “shpirtërisht të gatshëm” për të marrë vendime, duke dalë nga një lloj “dremitjeje”, në të cilën duket sikur është zhytur Kisha sot.

Që këtej, thirrja për ta lënë mënjanë konformizmin, për të mos u kushtëzuar nga mass-media e nga opinioni i të tjerëve, “bombardime të vërteta, që e pengojnë shoshitjen”. Sinodi i vërtetë, u tha, nis më 29 tetor, pra, një ditë pas përfundimit, pasi vetëm atëherë, çdo Kishë duhet të shqyrtojë rezultatet e të mendojë si t’i zbatojë në realitetin e vet, pra, të marrë “vendime për veprim”.

24 tetor 2018, 14:41