Versioni Beta

Cerca

Vatican News

Letra e etërve sinodalë për të rinjtë e botës: “të jeni e ardhmja më e ndritur”

Etërit sinodalë u shkruajnë të rinjve të gjithë botës: “Dobësitë tona të mos ju shkurajojnë”. “Kisha dhe bota kanë nevojë urgjente për entuziazmin tuaj”.

R.SH. - Vatikan

Pas bekimit të Papës Françesku në fund të meshës së sotme, që mbylli Sinodin e ipeshkvijve me temë “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”, u bë e njohur Letra e etërve sinodalë për të rinjtë e gjithë botës. Shpresë e besim, pavarësisht nga dobësitë, janë fjalët kyçe të kësaj Letre, e cila shpreh vullnetin për të dëgjuar zërin e “Krishtit, i ri në amshim” e për të njohur zërin e rinisë, sepse bota e Kisha kanë nevojë për forcën e ëndrrave të saj.

Letra e plotë

 “Juve, të rinjve të botës, ju drejtohemi ne etërit sinodalë, me një fjalë shprese, besimi e ngushëllimi – shkruhet në letër. – Këtyre ditëve jemi mbledhur për të dëgjuar zërin e Jezusit, ‘Krishtit, të ri në amshim’ e, për të njohur në Të zërat tuaj të shumtë, britmat e ngazëllimit, vajtimet, heshtjet. I njohim shqyrtimet e kërkimet tuaja shpirtërore, gëzimet dhe shpresat, dhimbjet dhe ankthet, që ju shqetësojnë. Dëshirojmë që tani, të dëgjoni një fjalë prej nesh: duam të jemi bashkëpunëtorë të gëzimit tuaj, që aspiratat t’ju shndërrohen në ideale. Jemi të sigurtë se do të jeni gati të impenjoheni, me dëshirën tuaj për të jetuar, që ëndrrat t’ju realizohen gjatë jetës dhe historisë suaj njerëzore.

Dobësitë tona të mos ju shkurajojnë, - pohojnë ipeshkvijtë - brishtësitë dhe mëkatet të mos bëhen pengesë për besimin tuaj. Kisha është nënë, nuk ju braktis, është gati t’ju shoqërojë në udhë të reja, në shtigje lartësirash, ku puhia e Shpirtit Shenjt fryn më e fortë, duke fshirë mjegullën e indiferencës, të cektësisë, të shkurajimit.

Kur bota, që Zoti e deshi aq shumë sa i dhuroi Birin e vet, Jezusin, kapet pas gjërave, pas suksesit të menjëhershëm, pas kënaqësisë së përkohshme e shtyp më të ligështit, ju ndihmojeni të ringrihet e ta kthejë vështrimin kah dashuria, bukuria, e vërteta, drejtësia.

Për një muaj ecëm së bashku me disa prej jush e me të tjerë, lidhur me ne përmes lutjes e dashurisë. Dëshirojmë ta vazhdojmë tani rrugën në çdo anë të tokës, ku Zoti ynë Jezu Krisht na dërgon si dishepuj misionarë.

Kisha dhe bota kanë nevojë urgjente për entuziazmin tuaj. Bëhuni shokë udhe me më të ligështit, më të varfërit, më të plagosurit nga jeta.

Të jeni e tashmja, të jeni e ardhmja më e ndritur”.

28 tetor 2018, 14:42