Kërko

2018.10.05 4ª CONGREGAZIONE GENERALE SINODO DEI VESCOVI 2018.10.05 4ª CONGREGAZIONE GENERALE SINODO DEI VESCOVI 

Sinodi: zgjidhen pesë anëtarët e Komisionit për Dokumentin Përfundimtar

Pjesa e dytë e Instrumentum Laboris është këto ditë në qendër të Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve. Zgjidhen anëtarët e Komisionit për hartimin e Dokumentit përfundimtar.

R.SH. - Vatikan

Sinodi i Ipeshkvijve, që vijon në Vatikan, me reflektimet mbi temën “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”, analizoi këto ditë pjesën e dytë të Instrumentum Laboris, në kërkim të kritereve për të interpretuar gjithçka u tha gjatë fazës dëgjimore të Asamblesë XV të përgjithshme. Të shumta pyetjet: cilat janë qëndrimet më të përshtatshme për t’i afruar e për t’i shoqëruar të rinjtë? Në ç’mënyrë, ky shoqërim, mund të integrojë realitetin, normat dhe ndërgjegjen? Cilat janë elementet strukturore të një formimi të frytshëm për shoqëruesit?

T’i tregohet rinisë bukuria e thirrjes

Reflektimi i Etërve sinodalë u ndihmua nga dëshmia e atyre të rinjve, që me ndihmën e meshtarëve, kanë gjetur kriteret për ta shqyrtuar thirrjen e tyre e për të zgjedhur rrugën e përkushtimit të plotë ndaj Zotit. U vu në dukje rëndësia e Sakramentit të Pajtimit, e përgatitjes së të rinjve për t’i lënë mënjanë siguritë e tyre, në mënyrë që t’ia hapin zemrën thirrjes së Hyjit. Kisha duhet t’i bëjë të rinjtë të shqetë, të mos u japë një prej përgjigjeve të shumta e të gatshme të botës, por t’u tregojë jetën e amshuar. I domosdoshëm, doli në pah në Sinod, takimi me Krishtin e Ringjallur, që mund të arrihet vetëm përmes lutjes, adhurimit eukaristik, ose figurave të përgatitura, që i ndihmojnë ta kuptojnë më mirë fenë. E duhen shoqëruar edhe të rinjtë invalidë, të cilët shpesh harrohen.

Rëndësia e lëvizjeve të laikëve. Totalitarizmat e sotme.

 Mungesa e pikave të referimit mund ta nxisë rininë ta braktisë Kishën, duke shkaktuar kështu, një boshllëk të rëndësishëm, në një çast kur bashkësia e krishterë ka nevojë të rinovohet. Nevojiten të rinj që luten, por edhe që kujdesen për të varfërit. Lëvizjet e reja të laikëve janë ndihmë e madhe në këtë drejtim.

Sinodi kujtoi të rinjtë e atyre vendeve, ku krishterimi është fe e pakicës. E duke vënë në pah persekutimin e tyre e të shumë të tjerëve nga totalitarizmat, Sinodi denoncoi totalitarizmin postmodern, i cili, në ndryshim nga diktaturat komuniste e naziste, nuk vret trupin, por shpirtin. Kisha, nënvizojnë Etërit sinodalë, duhet të mbrojë edhe familjen, të cilën po përpiqen “ta ripërkufizojnë” me të gjitha mënyrat, por për shumë të rinj, ajo është e vetmja pikë referimi. Shembulli i një familjeje të formuar nga bashkimi i një burri me një grua, është katekizmi më i mirë dhe parimi bazë i atij katekumenati të martesës, që dëshirojnë ipeshkvijtë.

Zgjidhen pesë anëtarët e Komisionit për Dokumentin Përfundimtar

Këto ditë u zgjodhën edhe pesë anëtarët e Komisionit për hartimin e Dokumentit përfundimtar. Një për kontinent: kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, si përfaqësues i Afrikës; kardinali Carlos Aguiar Retes, kryeipeshkëv i Meksikës, si përfaqësues i Amerikës; kardinali Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombejt dhe kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Indisë, si përfaqësues i Azisë; imzot Bruno Forte, kryeipeshkëv i Chieti-Vasto në Itali, si përfaqësues i Evropës; imzot Peter Andrew Comensoli, kryeipeshkëv i Melburnit të Australisë, si përfaqësues i Oqeanisë. Këta do të bashkëpunojnë me Relatorin e Përgjithshëm, me Sekretarët e Veçantë, me Sekretarin e Përgjithshëm dhe me tre anëtarët me emërim papnor, që akoma nuk janë shpallur zyrtarisht.

11 tetor 2018, 09:07