Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.10.12 MONS. AUZA, ONU 2018.10.12 MONS. AUZA, ONU  

Vëzhguesi Vatikanit pranë OKB-së, imzot Auza: nuk ka paqe me armë bërthamore

"Një luftë bërthamore do të ishte një katastrofë me përmasa të paimagjinueshme". "Nuk ka paqe me armë bërthamore". Kështu pohoi Kryeipeshkvi Imzot Bernard Auza, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara.

R.SH. - Vatikan

"Një luftë bërthamore do të ishte një katastrofë me përmasa të paimagjinueshme". Këto janë fjalët e përdorura dje nga Kryeipeshkvi Imzot Bernard Auza, Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, gjatë mbledhjes së parë të Komisionit mbi çështjen e çarmatimit bërthamor, që po mbahet në Nju Jork në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

"Edhe përdorimi i kufizuar i armëve bërthamore - u shpreh mes tjerash kryeipeshkvi Imzot Bernard Auza - do të vriste njerëz të panumërt, do të shkaktonte dëmtime të mëdha në ambient dhe fatkeqësi tjera si uria”.

Një gabim i thjeshtë mekanik, elektronik apo njerëzor “mund të zhdukë qytete të tëra nga harta gjeografike", ja pse "ekzistenca e më shumë se 14.000 armëve bërthamore të mbajtura nga një pjesë e vogël e vendeve" përfaqëson "një nga sfidat më të mëdha morale të kohës sonë”.

Parandalimi bërthamor dhe kërcënimi i shkatërrimit reciprok të siguruar - tha imzot Auza duke cituar mesazhin e Papës Françeskut për Konferencën e tretë mbi ndikimin humanitar të armëve bërthamore, mbajtur në Vjenë më 8 dhe 9 dhjetor 2014 - " nuk mund të jetë baza e një etike vëllazërore dhe të bashkëjetese paqësore ndërmjet popujve dhe shteteve".

23 tetor 2018, 16:22