Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Lajme nga Vatikani e nga Kisha nëpër botë

Audienca e përgjithshme e Papës Françesku në mbrojtje të jetës, kuvendi “Pali VI: Papa, që puthi tokën”, gëzimi i Kishës në Kore për faktin se Kim Jong-un tregohet i gatshëm të mirëpresë Atin e Shenjtë në Pyongyang, ndër lajmet e kësaj faqeje.

R.SH. - Vatikan

Audienca e përgjithshme e Papës Françesku në mbrojtje të jetës

Katekizmi i Papës Françesku, të mërkurën, më 10 tetor, në audiencën e përgjithshme në Vatikan, ishte ndoshta, një nga më impenjativët, më të rëndësishmit e më themelorët e papnisë së Jorge Mario Bergoglio-s. E natyrisht shkaktoi edhe polemika të mëdha, pasi Ati i Shenjtë u deklarua haptas e qartë kundër abortit. Papa u nis nga urdhërimi i pestë i Tënzot, “Mos vra”, e elementi që nxorri në pah e ndau më dysh botën. Nga njëra anë, fjalët e Françeskut u analizuan nga pikpamja e çdo feje, që e mbron jetën, ndërsa nga ana tjetër, u panë nën këndvështrimin e shtetit laik, i cili e mbron jetën, por duhet edhe të ketë ligje abortiste, për ata, që e mendojnë ndryshe. Në fakt, diskutimi mbi këtë çështje nuk është i lehtë, pasi zanafilla e çdo debati – mbi këtë argument, më shumë se për të tjerët - janë bindjet personale fetare e morale, që gjithsesi, duhet të marrin parasysh kushtet e gruas në një shoqëri të caktuar.

Në Campidoglio, kuvendi “Pali VI: Papa, që puthi tokën”

Të mërkurën, më 24 tetor, në orën 17.00, në Muzetë Kapitoline, në Romë, do të organizohet kuvendi me titull “Pali VI: Papa, që puthi tokën”. Menjëherë pas shenjtërimit të Montinit, synohet të tregohet ç’personalitet të madh kishte ky Papë i paharrueshëm, sidomos sa shumë i shërbeu Kishës për zgjidhjen e problematikave, që e nxitën gjithnjë të mbrojë paqen, të punojë për zhdukjen e padrejtësive dhe për respektimin e dinjitetit të njeriut, shpesh, vënë në diskutim nga periudha e vështirë historike.

Kardinali Yeom i Koresë së Jugut: “të lutemi që të dërgojmë meshtarë në Veri”

Javën e ardhshme, më 18 tetor, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, do të takojë, në Vatikan, Papën Françesku, të cilit do t’i dorëzojë një mesazh nga lideri i Koresë së Veriut. Në të, Kim Jong-un tregohet i gatshëm të mirëpresë Atin e Shenjtë në Pyongyang. Ky lajm është motiv gëzimi sidomos për Kishën Katolike në Korenë e Jugut. Kardinali korean Andreë Yeom deklaroi për agjencinë Fides se të gjithë besimtarët “shpresojnë që këto përpjekje të kontribuojnë në arritjen e paqes së vërtetë në gadishullin korean. Sidomos, si Administrator apostolik i Pyongyang-ut – nënvizoi ai – lutem sinqerisht që në të ardhmen, të mund të dërgojmë meshtarë e rregulltarë në Korenë e Veriut për të kremtuar së bashku Sakramentet”.

Pema e Krishtlindjes në Vatikan: këtë vit nga Friuli

 Pema e Krishtlindjes vjen sivjet në Vatikan nga Friuli i Italisë. Është dhuratë e qytetit të Pordenones për Papën Françesku, në 50-vjetorin e themelimit të Provincës Friulane.

Qyteti i Pordenones ka një bashkëpunim të gjatë me Shtëpinë Botuese të Vatikanit LEV, nisur që në vitin 2007. Dioqeza e Concordia-Pordenone-s, në vitin 2009, krijoi kushtet e favorshme që të nisej një kërkesë për Vatikanin, me të cilën shprehej dëshira që në vitin 2018, në përkim me 50-vjetorin e themelimit të Provincës, Pordenone të dhuronte pemën tradicionale, që lartohet në Sheshin e Shën Pjetrit për Krishtlindje, pranë Shpellës së Betlehemit. Marrëveshja për këtë u nënshkrua shkurtin e kaluar.

14 tetor 2018, 09:52