Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Theodore McCarrick Theodore McCarrick  (AFP or licensors)

Komunikatë e Selisë së Shenjtë mbi çështjen McCarrick

Në komunikatë paraqiten hapat, që e shtynë Papën të pranojë dorëheqjen e McCarrick nga Kolegji kardinalor. Selia e Shenjtë nuk do të mungojë të njoftojë përfundimet e çështjes, kur t’i vijë koha. Asnjë tolerancë për abuzimet e asnjë mbulim i fajit.

Pas publikimit të akuzave, që kanë të bëjnë me sjelljen e kryeipeshkvit amerikan Theodore Edgar McCarrick, Papa Françesku, i vetëdijshëm dhe i shqetësuar për konfuzionin, që po shkaktojnë në ndërgjegjen e besimtarëve, vendosi të bëjë publike komunikatën e mëposhtme:

         Në shtator 2017, kryedioqeza e Nju Jorkut e sinjalizoi Selinë e Shenjtë se një person e akuzonte kardinalin e atëhershëm McCarrick se kishte abuzuar me të në vitet ’70. Ati i Shenjtë dha urdhër të hetohej hollësisht e paraprakisht çështja, hetim që u krye në kryedioqezën e Nju Jorkut, në përfundim të të cilit, dokumentet iu transmetuan Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Ndërkohë, meqë gjatë hetimeve dolën në pah prova të rënda, Ati i Shenjtë pranoi dorëheqjen e kryeipeshkvit McCarrick nga Kolegji kardinalor, duke i dhënë urdhër të mos e ushtrojë më publikisht shërbimin e tij meshtarak, me detyrimin për të jetuar në lutje e pendesë.

         Kur t’i vijë koha, Selia e Shenjtë nuk do të mungojë t’i bëjë publike përfundimet e çështjes, ku përfshihet kryeipeshkvi McCarrick. Edhe përsa u përket akuzave të tjera kundër këtij personi kishtar, Ati i Shenjtë dha urdhër të integrohet informacioni i mbledhur përmes hetimit paraprak me një studim të mëtejshëm më të saktë të krejt dokumentacionit të pranishëm në Arkivat e Dikasterve dhe të Zyrave të Selisë së Shenjtë lidhur me kardinalin e atëhershëm McCarrick, me qëllim që të sqarohen të gjitha faktet e rëndësishme, duke i vendosur në kontekstin e tyre historik e duke i vlerësuar me objektivitet.

         Selia e Shenjtë është e vetëdijshme se nga shqyrtimi i fakteve dhe i rrethanave mund të dalin në pah vendime [marrë në të kaluarën], që nuk janë koherente me qasjen e sotme ndaj këtyre çështjeve. Megjithatë, siç ka thënë Papa Françesku, “do të ndjekim udhën e së vërtetës, kudo ku të na çojë” (Filadelfia, 27 shtator 2015). Si abuzimet, ashtu edhe mbulimi i tyre, nuk mund të tolerohen e trajtimi i ndryshëm për ipeshkvijtë, që i kanë kryer, ose i kanë mbuluar, në fakt, përfaqëson një formë klerikalizmi, që s’mund të pranohet më.

         Ati i Shenjtë, Françesku, rinovon ftesën e fuqishme për bashkimin e forcave që të luftohet plaga e rëndë e abuzimeve, brenda e jashtë Kishës, si edhe të parandalohen këto krime në dëm të më të pafajshmëve dhe më të ligshtëve të shoqërisë. Ai, siç është njoftuar, ka thirrur kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të gjithë botës për muajin e ardhshëm të shkurtit, ndërsa tingëllojnë akoma fjalët e Letrës së Tij të fundit për Popullin e Zotit: “E vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj së keqeje, e cila ka dëmtuar shumë jetë, është ta jetojmë si detyrë, që na përfshin e na takon të gjithëve si Popull i Zotit. Kjo vetëdije për t’u ndjerë pjesë e një populli e të një historie të përbashkët do të na lejojë t’i pranojmë mëkatet dhe gabimet e së kaluarës me atë pendesë, që na bën të aftë të risohemi nga brenda” (20 gusht 2018).

08 tetor 2018, 12:31