Cerca

Vatican News
Konferencë në Vatikan për gazetarinë e paqes Konferencë në Vatikan për gazetarinë e paqes 

Gazetaria e paqes, protagoniste në Vatikan

Më 13 tetor, Konferencë Ndërkombëtare në Vatikan mbi gazetarinë e paqes, në prag të kanonizimeve të Palit VI dhe të imzot Oscar Romero.

Një konferencë ndërkombëtare dhe një forum për gazetarinë e paqes. Është ky, takimi i dyfishtë, organizuar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Komunikimin, në bashkëpunim me Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe me SIGNIS, planifikuar për 13 tetor, në prag të shenjtërimit të të Lumit Pali VI dhe të të Lumit Óscar Arnulfo Romero .

Takim, për të festuar Palin VI dhe Romeron, dëshmitarë të paqes

Nisma, që do të mbahet në Vatikan, synon thellimin në temën e gazetarisë së paqes, së cilës Papa Françesku i kushtoi Mesazhin për Ditën Botërore të Komunikimit, këtë vit, duke e bashkuar idealisht me figurat e dy shenjtorëve të ardhshëm, të dy dëshmitarë të paqes. Dy personalitete, të cilët, në mënyra të ndryshme, por me të njëjtin pasion, i kanë nxitur mjetet e komunikimit të jenë mjete të pajtimit, në kërkim të së vërtetës.

Konferenca do të ketë përmasa ndërfetare dhe ndërkulturore

Konferenca e 13 tetorit do të ketë përmasa ndërkulturore dhe ndërfetare për të nënvizuar kështu, se tema e gazetarisë së paqes u takon të gjithëve e sot, më shumë se kurrë, ka nevojë të promovohet dhe të aktualizohet. Një gazetari, siç vë në dukje Papa Françesku, që impenjohet "në kërkimin e shkaqeve të vërteta të konflikteve, për të favorizuar kuptimin e rrënjëve të tyre, si edhe kapërcimin e problemeve përmes proceseve pozitive; një gazetari e angazhuar për të gjetur zgjidhje alternative, të ndryshme nga shkallëzimi i sensacionit dhe i dhunës verbale".

Hapin punimet, kardinali Turkson dhe Paolo Ruffini

Konferenca do të mbahet në paraditen e 13 tetorit, duke filluar nga ora 9.00. Pas përshëndetjeve të prefektit të Departamentit për Komunikimin, Paolo Ruffini, dhe të prefektit të Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinalit Peter A. Turkson, do të fillojë konfrontimi mbi temën e Gazetarisë së Paqes. Do të flasin prof. Johan Galtung, themelues i Transcend International; Rey-Sheng Her, drejtor i Departamentit të Zhvillimit Njerëzor të Fondacionit Tzu Chi; Vanessa Bassil, presidente e Shoqatës së Mediave për Paqe dhe Stefania Tanesini, koordinatore ndërkombëtare e NetOne. Moderator do të jetë prof.sha Helen Osman, presidente e SIGNIS. Pas përfundimit të konferencës, do t’i vijë radha një forumi të organizuar në katër grupe, në të cilin pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi temën "Ç’të ardhme për gazetarinë e paqes. Praktikat më të mira dhe sfidat".

02 tetor 2018, 16:55