Kërko

 Gazetaria e paqes Gazetaria e paqes  

Gazetaria e paqes: duhet rinisur nga e vërteta mbi njerëzit e nga marrëdhëniet e vërteta

Më 13 tetor në Vatikan u mbajt konferenca ndërkombëtare kushtuar gazetarisë së paqes, organizuar nga Dikasteret për komunikimin dhe shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Po kujtojmë një fragmet nga përshëndetja e hapjes.

R. SH. - Vatikan

Po kujtojmë një fragment nga përshëndetja me rastin e hapjes së Konferencës ndërkombëtare kushtuar gazetarisë së paqes, mbajtur më 13 tetor në Vatikan, me nismën e Dikastereve për komunikimin dhe shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor:

“Si i përdorim fjalët, kur duam të tregojmë kush jemi, çfarë bëjmë, si jetojmë? – nisi me këtë pyetje Konferenca, gjatë së cilës u citua një vargan i bukur fjalësh për fëmijë (por jo më pak , edhe për të rritur) shkruar nga Gianni Rodari, kushtuar pikërisht  fjalëve dhe përdorimit të tyre:

“Kemi fjalë për gjithçka,

të kërkojmë së bashku fjalë për të folur:

Kemi fjalë për të shitur,

e fjalë për të blerë.

Fjalë, për të bërë fjalë,

e fjalë për t’u fshehur pas fjalës.

Kemi fjalë për të hapur plagë,

e fjalë për t’i mbyllur!

Ejani pra, t’i kërkojmë fjalët:

fjalë për të menduar,

e fjalë për të dashur!

Për të dashur, sidomos!

Mos harroni pra! Fjalët janë në bazë të komunikimit tonë. Prandaj t’i mendojmë, para se t’i nxjerrim nga goja, duke gjetur fjalë të sakta e të drejta.

E pikërisht këto fjalë të ndihmojnë të kuptosh gjithçka duhet kuptuar në jetë.

Një reflektim i dytë iu kushtua lidhjes së paqes me sigurinë. E për ta shprehur këtë, u cituan fjalët e Dietrich Bonhoeffer, provë për ta përmbysur një silogjizëm tepër të lehtë, sipas të cilit paqja varet nga siguria:

Vërtet kështu?

Nuk e besoj! Jo gjithnjë, të paktën.

“Paqja shkon më mirë përkrah me drejtësinë, sesa me sigurinë, që nuk është gjithnjë e drejtë”.

E sigurisht nuk është, kur e katandis tjetrin në armik, nga i cili duhet të mbrohesh!

Citojmë, pra Bonhoeffer:

“Si krijohet paqja? Me një sistem traktatesh politike? Me para? Apo me riarmatim paqësor të përgjithshëm, për ta siguruar? Jo, asnjë nga këto gjëra nuk vlen! E kjo, për një arsye të vetme: sepse ngatërrohen gjithnjë paqja me sigurinë. Por  paqja nuk mund të sigurohet kurrën e kurrës, pa  guxuar. Paqja është e kundërta e sigurisë. Të kërkosh sigurinë, do të thotë të jesh besëpakë, e mosbesimi lind luftën”.

Ja edhe një element tjetër i reflektimit lidhur me mënyrën si e kuptojmë komunikimin. Çdo gazetar i mirë është i detyruar  të mos i shikojë gjërat në mënyrë të njëanshme. Duhet të dyshojë! Në këtë rast, të dallojë sigurinë e drejtë, nga e padrejta!

Reflektimi i tretë ka të bëjë me detyrën e vështirë të zgjedhjes të asaj, që duhet treguar.

E këtu po marrim hua fjalët e Italo Calvinit, për të kujtuar se edhe me këtë aktivitet mund të  ushqehet ferri, ose të ndërtohet parrizi, domethënë paqja:

“Skëterra e të gjallëve është ajo, që e jetojmë çdo ditë. Dy janë mënyrat për të mos vuajtur. E para shumkujt i duket e lehtë: ta pranosh skëterrën, të  bëhesh banor i saj deri në atë pikë, sa të mos e ndjesh më se je në ferr. E dyta është e rrezikshme. Do vëmendje e kujdes të vazhdueshëm: duhet të kërkosh e të zbulosh çka nuk është ferr, në mes të ferrit, e ta bësh të jetojë e t’i krijosh sa më shumë hapësirë!”

Ja, pra, t’i japësh hapësirë asaj që nuk është ferr, është hapësira e gazetarisë së paqes!

 

19 tetor 2018, 18:09