Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin  

Kard. Parolin në Sirakuzë: lotët e Marisë , ilaç kundër vuajtjes

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, kremtoi, të dielën e kaluar, një Meshë në Shenjtëroren e Zojës së Lotëve, në Sirakuzë, 65 vjet pas ngjarjes së mrekullueshme të përlotjes së një relievi prej allçie të zmaltuar, në shtëpinë e një çifti të ri.

R. SH. - Vatikan

Kanë kaluar tashmë 65 vjet nga ai 29 gusht i vitit 1953, kur në shtëpinë e një çifti të ri, Angelo Ianusso  e Antonina Lucia Giusti, në Sirakuzë, një altoreliev allçie i Zojës  së Papërlyer nisi të lotojë.  Lotët misteriozë vijuan disa herë, nga 29 gushti, deri më 1 shtator. E pikërisht më 1 shtator, në shenjtëroren e Zojës së Lotëve, kushtuar nga Gjon Pali II më 6 nëntor 1994, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, bashkëkremtoi një Meshë me kryeipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë e gjithë Sicilisë. Muajin e kaluar relikuari, ku ruhen lotët, shtegtoi drejt Romës, ku u prit nga Papa Françesku, në Kapelën e Shën Martës.

Lotë dhimbjeje e shprese

Në homeli, kardinali Parolin citoi fjalët e Gjon Palit II, për të rikujtuar se “lotët e Marisë janë lot dhimbjeje për të gjithë ata, që nuk besojnë në dashurinë e Zotit, për familjet e shprishura, për të rinjtë e rrezikuar nga qytetërimi i konsumistik. Por - shtoi -  “janë edhe lot shprese, që shkrijnë akullin e zemrave e i hapin për takimin me Krishtin”. Për kardinalin, i cili kujtoi edhe vizitën ardhshme të Françeskut në Palermo, lotët tregojnë edhe se Maria ndërmjetëson për shëlbimin tonë.

Ilaç, për vuajtjen

Duke kujtuar Ungjillin e Gjonit, kardinali Parolin nënvizoi se çdo i pagëzuar duhet ta shikojë Marinë “e t’i kërkojë besim e ngulm për të zgjedhur të mirën e për të ndenjur larg joshjeve të së keqes. Dita - vijoi - është plot me mesazhe për t’u transmetuar; me detyra, për t’u  zgjidhur,  mesazhe e detyra që shpesh nuk orientohen nga Zoti. Rrezikohemi t’i vëmë të gjitha energjitë në shërbim të suksesit,  të  adhurimit të trishtë të të mirave materiale. Lotët e Marisë janë ilaç i vërtetë kundër sëmundjes së indiferencës e na nxisin të punojmë për t’i lehtësuar vuajtjet me nisma paqeje, me gjeste e fjalë plot përgjegjësi, që tregojnë se në zemrën e të krishterit nuk mund të ketë vend për urrejtje. Zemra e krishterë i takon e tëra Zotit e atij, që vuan, që është në rrezik!

03 shtator 2018, 14:49