Kërko

 Dublin: Takimi Botëror i Familjeve Dublin: Takimi Botëror i Familjeve 

Në Dublin, me familjet e botës

“Ungjilli i Familjes, gëzim për botën”. Kjo, tema e takimit IX botëror të familjeve (21-26 gusht), që do të mbahet në kryeqytetin irlandez. Papa Françesku do të jetë i pranishëm në Festival më 25 dhe në Meshë, më 26 gusht.

R. SH. - Vatikan

Organizatorët e Takimit IX botëror të familjeve po bëjnë tashmë përgatitjet e fundit. Fund, që flet për një fillim të jashtëzakonshëm. Mjafton të kujtosh numrat, që lidhen me të, për t’u çuditur: vetëm në Kongresin baritor (22-24 gusht), që do të mbahet në RDS Campus (Rosemont Dublin Campus), do të marrin pjesë më se 30. 000 vetë,  ndërsa fëmijët e tyre, rreth 5 mijë, do të kenë një program të veçantë, përshtatur moshave të tyre.

Traditë, që vijon, e flet edhe me gjuhën e shifrave

Për ta pritur Papën në Croke Park, për Festivalin e familjes (të shtunën, më 25), do të mblidhen më se 60 mijë vetë, ndërsa 600.000 do të jenë të pranishëm, të diel, në kremtimin e Eukaristisë. Tradita e Takimeve botërore të familjeve, përuruar më 1994 nga Gjon Pali II, tashmë është bërë e domosdoshme. Suksesin e këtij takimi e dëshmon edhe pjesëmarrja gjithnjë më e madhe në rrjedhë vitesh, si dhe jehona e jashtëzakonshme  në opinionin publik, kur familjet takohen: nga Sheshi i Shën Pjetrit, në Rio de Zhanejro; nga Manila, në Qytetin e Meksikos; nga Valencia (Spanjë), në Milano (Itali) e në Filadelfia (SHBA).

E tani e ka radhën Irlanda, ku nuk mungojnë të gjitha përpjekjet e mundshme për t’i bërë të paharrueshme këto pesë ditë, kur të gjitha familjet e botës, përmes përfaqësuesve të tyre, do të jenë bashkë, do të takohen, do të shkëmbejnë përvojën, do të reflektojnë, do të përforcohen në fe, në rrethana të jashtëzakonshme, në të cilat ndjehet frymëmarrja e botës së madhe, që nuk bën dot pa familjen!

Rast për të parë forcën, por edhe ligështitë

Rast i përshtatshëm, ky, për të parë me sy optimist forcën e familjes, por jo më pak edhe me sy kritik, ligëshitë, për t’i dhënë, kështu, një shtytje të re zhvillimit të aftësive të shumënumërta të saj, që shumë shpesh i kapërcejnë kufijtë familjarë, duke u bërë burim pasurie për gjithë shoqërinë. Pret shumë nga ky takim, edhe Kisha në Irlandë, kohët e fundit e prekur nga shkandujt e braktisjes, por gjithnjë me rrënjë thellësisht të krishtera, plot me gjallëri e jetë.

Familja, gëzim për botën

Papa Françesku, që për këtë ngjarje të madhe zgjodhi titullin “Ungjilli i familjes, gëzim për botën”, në ftesën, që u drejtoi familjeve për të marrë pjesë (mars 2007), pyeste: “A vijon familja të jetë lajm i mirë për botën e sotme? Unë jam i sigurt se po!”. Të bën përshtypje, kur shikon një burrë e një grua që, të shtyrë nga dashuria për njëri-tjetrën, lidhin besën, që bën nga dy vetë, një të vetëm, gati për  të krijuar jetë të re e për t’u kujdesur për lulëzimin e saj. Lajm i mirë, që nuk zbehet kurrë, lajm i jashtëzakonshëm gjithnjë, që të mbush me shpresën se në botë familjet do të vijojnë të shtohen e të shumohen e do të jenë gjithnjë më shumë të lumtura, në një shoqëri përherë më pozitive e mikpritëse!

Dublini e “Amoris Latetia”

Shansi i Takimit së Dublinit është se mblidhet jo shumë kohë pas botimit të Amoris Laetitia (2016), nxitje apostolike e Papës Françesku, që përmbledh përfundimet e punës së dy Sinodeve, kushtuar pikërisht familjes (2014-2015).

Leit-motivi i Takimit të madh

Gëzimi i dashurisë familjare do të jetë leit-motiv i gjithë ngjarjes, pa i fshehur vështirësitë dhe vuajtjet,  që nuk mungojnë kurrë në jetën e çifteve. Prej këndej, nuk do të flitet vetëm për familje të përsosura, të cilat nuk ekzistojnë, por për njerëz të gjallë, realë, që mësojnë t’i kapërcejnë ligështitë e tyre duke bërë rrjet me të tjerat e, sidomos, duke u mbështetur në hirin e Hyjit, burim i çdo dashurie!

 

16 gusht 2018, 12:15