Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Pamje nga Pekini Pamje nga Pekini 

Protagonistë të dialogut: Selia e Shenjtë dhe Autoritetet kineze

Mendimi i Kishës, e i Papës në veçanti, lidhur me lëvizjet politike me vulë ideologjike komuniste, diti gjithnjë të bëjë dallim ndërmjet qendrimeve teorike të papranueshme e marrëdhënieve praktike, për të cilat mund të kërkohet edhe rruga e dialogut.

R. SH. - Vatikan

Në historinë e kohëve të fundit, e pikërisht gjatë Papnisë së Shën Gjon Palit II, nisën takimet institucionale me Autoritetet kineze. Gjatë tyre u zhvilluan bisedime plot mirëbesim, por që në fillim nuk patën ndonjë rezultat të dukshëm. Gjithsesi Selia e Shenjtë qe e vendosur të vijonte dialogun, me sjellje plot respekt ndaj qeverisë kineze e duke kërkuar të sqarojë, larg çdo keqkuptimi të së kaluarës e edhe së sotmes, natyrën fetare të Kishës katolike dhe qëllimet e veprimtarisë së Selisë së Shenjtë në nivel ndërkombëtar.

Diçka e ngjashme  lidhur me dallimin ndërmjet qendrimeve teorike dhe nevojës për dialog, duhet të ketë ndodhur edhe në mendimin e Partisë Komuniste në Kinë, për Kishën katolike: ajo, ndonëse duke ruajtur paragjykimin filozofik lidhur me kuptimin dhe rolin e fesë në shoqëri, kaloi dalëngadalë nga justifikimi i ndërhyrjeve të rënda persekutuese, në një farë respekti për bindjet personale të besimtarëve, ndonëse ky ndryshim nuk ndjehet njëlloj në gjithë vendin.

Papa Gjon Pali II, në vitin 2001, pati folur për nevojën e dialogut me autoritetet kineze: “Nuk është mister për askënd që Selia e Shenjtë, në emër të mbarë Kishës katolike e - besojmë - në dobi të mbarë njerëzimit, uron të krijohet një hapësirë dialogu me autoritetet e Republikës Popullore Kineze në të cilën, si të jenë kapërcyer moskuptimet e së kaluarës, të mund të punohet së bashku për të mirën e popullit kinez e për paqen në botë” (Mesazh në Kuvendin kushtuar Matteo Ricci-t, 24 tetor 2001). E Papa Benedikti, në vitin 2007, sqaroi se në dialog Kisha katolike në Kinë nuk ka misionin të ndryshojë strukturat ose administrimin e shtetit, por t’u kumtojnë njerëzve Krishtin” (Letër Kishës në Kinë, n. 4).

Kisha, pra, kërkon thjesht të drejtën dhe lirinë për të kumtuar Ungjillin: çështjet ngushtësisht politike, nuk bëjnë pjesë në misionin e saj. Ndërtimi i një rendi të drejtë shoqëror e shtetëror është kryesisht detyrë e politikës, por, duke qenë njëkohësisht edhe detyrë njerëzore e morale parësore, Kisha e ka për detyrë  të japë kontributin e saj të veçantë, përmes pastrimit të arsyes, formimit etik e profetik e edhe frymës kritike, kur është e nevojshme.

Disa herë Benedikti XVI, në Letrën drejtuar Kishës në Kinë, pohon, ashtu siç pati bërë edhe pararadhësi i tij, se Selia e Shenjtë është gati për dialog me Autoritetet e Republikës Popullore Kineze dhe uron që “ të hapen së shpejti udhët konkrete të komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore kineze”, sepse “miqësia ushqehet me takime, me ndjesi të përbashkëta në situata të trishta, me solidaritetet e shkëmbime ndihmash” (n 4). Pa harruar kurrë, nga njëra anë, busolën e fesë e të urtisë baritore, e, nga ana tjetër, duke e kuptuar se çështjet në këtë fushë janë të ndërlikuara e se duhen kërkuar rrugëzgjidhjet e problemeve ekzistuese, duke e kapërcyer konfliktin e përhershëm me Autoritetet legjitime civile (po aty).

Në këtë vijë veprimtarie dhe shërbese papnore dëshiron të ecë edhe Papa Françesku, duke vijuar udhën e dialogut. E, prej këndej, kërkon të vijohen takimet zyrtare me qeverinë kineze, me gjithë urtinë e shoshitjen e nevojshme, por edhe me guximin, që lind nga besimi në Zotin. Kjo, ndërmjet tjerash, shpjegon pse Ati i Shenjtë ka shprehur, në raste të ndryshme, dëshirën për ta vizituar Kombin e madh kinez e për t’u takuar me Presidentin e Kinës.  

 

01 korrik 2018, 11:53