Kërko

Homelia e kardinalit Parolin në Akuile Homelia e kardinalit Parolin në Akuile 

Kard. Parolin në Akuile: “I krishteri nuk sheh armiq gjithkund”

Homelia e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, në Akuile, për kremtimin e shenjtorëve martirë, pajtorë të dioqezës së Goricies.

R.SH. - Vatikan

“I krishteri nuk ka mani persekutimi, nuk sheh armiq gjithkund, nuk akuzon askënd, nuk provokon askënd”. Kështu theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë kremtimi të meshës së djeshme në bazilikën e lashtë të Akuilesë, me rastin e festës së shenjtorëve martirë, Ermacora (ipeshkëv) dhe Fortunato (diakon), pajtorë të dioqezës së Goricies, në Itali. Me kardinalin Parolin bashkëkremtuan edhe ipeshkvij të tjerë të rajonit.

Jezusi na shkëput nga mendësia e kësaj bote

         Duke i quajtur dishepujt miq, shpjegoi kardinali, “Jezusi i shkëput nga bota, nga miqësia e kundërt, ajo e kësaj bote. E bota, ajo në kuptimin me të cilin e përdor këtë fjalë shën Gjoni, është ai njerëzim, ku bëjmë pjesë të gjithë, kur mbyllemi në një mendësi vetëm ‘tokësore’ dhe në një kulturë të paaftë për të toleruar gjë tjetër, përveçse gjërave, që i ngjajnë dhe i përkasin”.

         “Në këtë kuptim – vijoi Sekretari i Shtetit – bota do vetëm çfarë njeh dhe i shkon për shtat. Bota nuk i do dishepujt e Krishtit, sepse e kupton se nuk përbën më themelin e ekzistencës së tyre. Fakti që Krishti i zgjedh, në të vërtetë, i jep bazë të re ekzistencës së këtyre burrave e grave, që, përmes Ungjillit, Zoti i tërheq, i josh e, së fundi, i shndërron. Urrejtja e botës (argument shumë antipatik dhe aspak ‘korrekt politikisht’, por absolutisht ungjillor) drejtohet kundër gjithçkaje që bota më parë e donte, sepse ishte e vetja, por tani nuk është më, sepse i është marrë nga duart”.

Jezusi, i vetmi që e shkëput njeriun nga humbja e jetës së vet

         “Por, kjo urrejtje kundër dishepujve – nënvizoi më tej, kardinali Parolin – është vetëm jehona e paktë e urrejtjes, shumë më të rrënjosur, kundër Atij, që e ktheu çlirimin e njerëzimit në qëllimin e jetës së vet! Ai është i vetmi, që ka forcë ta shkëpusë njeriun nga vetvetja dhe nga humbja e jetës së vet: sa mirë e kuptonin këtë, të krishterët e parë! E pra, Jezusi e pranoi me vetëdije këtë urrejtje, duke vazhduar misionin për të cilin e pati çuar Ati Qiellor: të donte njerëzimin, ta shpëtonte botën nga urrejtja e nga çdo ‘dije’ tjetër të rreme, të fitonte me të mirë mbi të keqen, të përuronte Mbretërinë e Zotit”.

         Urrejtja e botës, shpjegoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, “është thjesht faqja tjetër e zbulesës së Krishtit dhe e përzgjedhjes së dishepujve. Në një farë kuptimi, është shenja, që e dallon dishepullin besnik, megjithëse ai nuk është i destinuar fatalisht të zgjojë urrejtje apo ta nxisë atë qëllimisht e madje, të mburret me të”.

Urrejtja e botës e shenjon dishepullin besnik

         “Urrejtja për të cilën flet Ungjilli – nënvizoi kardinali Parolin  - nuk është fryt i ndonjë paranoje fetare: i krishteri nuk ka mani persekutimi, nuk sheh armiq gjithkund, nuk akuzon askënd, nuk provokon askënd, e di si ai vetë është i thirrur të konvertohet vazhdimisht! Përkundrazi, urrejtja zbulon thjesht mendësinë e kësaj bote e të çdo individi në krahasim me Ungjillin: vë në pah mbylljen, distancimin, keqkuptimin, hierarkinë e ndryshme të vlerave”.

         “Kjo botë, që është brenda e jashtë nesh – përfundoi kardinali Parolin – përherë e tunduar të largohet nga dashuria, të mos ia hapë sytë Dritës, pra, Krishtit dhe veprave të Tij të jetës, nga frika se mos shkrihet, nga frika se mos detyrohet të ndryshojë mendimin, zakonin, sigurinë… nga frika se mos e duan dhe do, kjo botë – po thoshim – mbetet gjithnjë objekti i fundit i dashurisë së Zotit, për shkak të së cilës na dhurohet Biri i Tij. Vëllezër e motra, të mësojmë të mos urrejmë e sidomos, të mos urrejmë ata, që duan me të vërtetë, kur vërejmë se jeta e tyre vë në diskutim tonën”.

13 korrik 2018, 19:17