Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Humanae Vitae Humanae Vitae 

50-vjetori i ‘Humanæ Vitæ’, Enciklikës mbi doktrinën e Kishës për martesën.

Më 25 korrik të vitit 1968, Papa Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’, që shpjegonte doktrinën kishtare mbi martesën ashtu siç e kishte përcaktuar Koncili II i Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

50 vjet më parë, më 25 korrik të vitit 1968, Papa Pali VI botonte enciklikën ‘Humanæ Vitæ’, që shpjegonte doktrinën kishtare mbi martesën ashtu siç e kishte përcaktuar Koncili II i Vatikanit. “Detyra e vështirë për ta transmetuar jetën njerëzore, në të cilën bashkëshortët janë bashkëpunëtorë të lirë e të përgjegjshëm të Hyjit Krijues, ka qenë gjithnjë burim gëzimi, ndonëse nuk kanë munguar kurrë as ankthi e vështirësitë…”. Me këto fjalë nis enciklika e Palit VI Humanæ Vitæ. E kjo enciklikë është fryt i një vendimi të thelluar, gjest guximtar në përpjekjen për të ripohuar vazhdimësinë e doktrinës e të traditës së Kishës. Është fjala për një mësim jo të lehtë, mbi një të vërtetë të pandryshueshme, që pas kaq kohe e nxjerr edhe më në pah largpamësinë me të cilën përballohet çështja. 

Pa e lënë vetën të sundohet nga joshja e teknikës, Kisha katolike vijon ta shikojë dashurinë bashkëshortore ndërmjet burrit e gruas si pjesëmarrje në veprimtarinë krijuese të vetë Hyjit. Është një vështrim plot respekt, i vëmendshëm ndaj asaj gjëje misterioze e mahnitëse, që ndodh në transmetimin e jetës. Natyrisht, logjika e reciprocitetit të mirëpritjes, e sundimit të vetvetes, e respektit të bashkëshortit, e përshpirtërisë dhe e përgjegjësisë, që karakterizon këtë vizion, mund të duket me vjet drite larg prej ndarjes së seksualitetit nga përgjegjësia, prej përpjekjes “për ta shndërruar seksualitetin në drogë, që sot çirret nga çdo skaj i rrugëve tona e i qyteteve tona, nga çdo ekran i TV –ve, nga faqet e internetit e tjera.

Por pikërisht për këtë enciklika Humanæ Vitæ është largpamëse. Duke marrë guximin të thotë fjalë të vështira, na kujton të vërtetën dhe dinjitetin e njeriut, të jetës e të dashurisë, që tepër shpesh bie në harresë. E, si pasojë, njeriu nuk bëhet aspak më i lumtur, përkundrazi, mbyllet në rrethin e egoizmit mbytës që rri gjithnjë në pritë. Ndërsa dashuria dhe arsyeja së bashku mund të bëjnë diçka shumë të madhe. Pra duhet shpëtuar dashuria, për të sotmen e për të nesërmen. Për të gjithë!

“Diçka, që prek nga afër jetën dhe lumturinë e njerëzve”: kështu shkruante Papa Pali VI, më 25 korrikun e vitit 1968, në hyrjen e Letrës enciklike “Humanae Vitae”, duke folur për “detyrën e rëndësishme të transmetimit të jetës njerëzore". Një temë që, në të gjitha kohët, ka vënë para ndërgjegjes së bashkëshortëve probleme e çështje serioze, e veçanërisht në ato vite, kur shoqëria përshkohej nga ndryshime të jashtëzakonshme, periudhë hipish e revolucioni seksual, që nuk mund të mos ngrinte pikëpyetje për Kishën.

Kujtojmë se kishin kaluar tre vjet nga përfundimi i Koncilit II të Vatikanit, por enciklika e Papës Montini, që i sensibilizonte prindërit mbi përgjegjësinë, që merrnin përsipër, kur sillnin në jetë një fëmijë, nuk u prit pa kritika. Dikush e akuzonte se ishte dorëlëshuar, pasi fliste për metodat natyrore të parandalimit të shtatzanisë e, të tjerë e akuzonin se ishte treguar tepër dorështrënguar me metodat kontraceptive.

 

Sa ishte profetike ajo Letër enciklike edhe për kohët e sotme?        

Me këtë Enciklikë, Papa Pali VI – në vazhdën e Koncilit II të Vatikanit – deklaroi pa dyshim se ushtrimi i përgjegjshëm i atësisë është vlerë objektive për familjet e krishtera. Njëkohësisht, ai tregoi mënyrat e përshtatshme për ta jetuar këtë vlerë, duke pasur parasysh të gjitha përmasat e dashurisë njerëzore. Duhet të kujtojmë se në ato vite, shumë e konsideronin planifikimin e lindjeve si një lloj “konçesioni mirëdashës” për çiftin e jo si vlerë pozitive për t’u ndjekur. Atëherë, Kisha katolike theksonte jashtëzakonisht detyrën e lindjes së fëmijëve si qëllim kryesor i martesës, gjë që, për një kohë të gjatë, e bëri të vështirë kumtimin teologjik e të ekuilibruar të vetë bashkimit martesor.

Enciklika u mbrojt haptazi nga Papa Shën Gjon Pali II, i cili foli shpesh mbi dashurinë bashkëshortore, në katekizmin e tij. Por kritikat ndaj saj i shkaktuan vuajtje Palit VI aq sa për dhjetë vjet pas “Humanae Vitae” ai nuk shkroi enciklikë tjetër. Gjithsesi, çështja e dashurisë familjare meriton të shqyrtohet dhe të studiohet më thellë, së paku në dy drejtime: nga njëra anë, duhet ta konsiderojmë në kontekstin e të gjitha gjërave të rëndësishme e të frytshme që ka thënë Kisha mbi martesën e familjen gjatë këtyre 50 vjetëve.

Pastaj, nga pikëpamja e punës kërkimore historiko-teologjike, do të ishte e dobishme të rindërtohej rruga sipas së cilës u përpilua Enciklika, nga qershori 1966 deri më 25 korrik 1968. Për këtë priten rezultatet nga shqyrtimi i dokumenteve të ruajtura në arkivat e Selisë së Shenjtë. Disa studiuese e teologë kanë marrë lejen për t’i bërë këto kërkime arkivore.  Nga këto të dhëna që pritën të dalin në dritë, do të kuptohen synimet dhe shqetësimet për të cilat u vu në lëvizje Papa Pali VI, që e zgjidhi pozitivisht çështjen, pavarësisht nga vështirësitë e shumta.

Duhet theksuar se nuk u përkrah gjithnjë, ashtu siç duhej në ato vite… e gjithë çështja e ndërlikuar e Komisionit Papnor, që punoi nga viti 1963 në vitin 1966 e në fund të fundit, nuk arriti t’i jepte në dorë çfarë i duhej për të hartuar Enciklikën. Kështu që Papës Palit VI iu desh gati t’ia fillonte vetë nga e para. Mbi të rëndonte opinioni publik kishtar i atyre viteve, që, së bashku me bashkësinë e teologëve, ishte i ndarë në pro e kundër pilulës kontraceptive.

 

A ekziston një fill që e lidh “Humanae Vitae” me enciklikën “Amoris Laetitia” të Papës Françesku?

Filli është ai që nis me “Gaudium et Spes”, me të cilën Kisha katolike e konsideron parësor kujdesin për martesën dhe familjen. Ajo sheh në këto realitete vendin kryesor, ku bashkësia e krishterë është e thirrur të takojë njerëzit e kohës së vet, duke u kujdesur për gjithçka që ka të bëjë me njeriun e duke ofruar risinë e kumtit të krishterë. Në këtë kuptim, ekziston një vazhdimësi e veçantë ndërmjet Palit VI e Françeskut, që kalon përmes Papës Shën Gjon Palit II e Papës Benediktit XVI. 

25 korrik 2018, 12:27