Cerca

Vatican News

50 vjet “Humanae vitae”: Pali VI e vështrimi i tij “pozitiv”

Në 50-vjetorin e “Humanae vitae”, rizbulojmë fjalët, që Papa Pali VI ia kushtoi Enciklikës, gjatë audiencës së përgjithshme, një javë pas publikimit të tekstit. Thirrje, ajo e Papës Montini, për bashkëshortët e krishterë, që në dokument të mos shohin një sëri me ndalime, por një kontribut për jetën familjare.

R.SH. - Vatikan

Një e mërkurë vere, mbushur me njerëz e ngrohtësi, që nuk kanë të bëjnë me temperaturën e ditës. 50 vjet më parë, Papa Pali VI është në Castelgandolfo dhe mban audiencën e përgjithshme në sallën e Pallatit Papnor, një javë pas botimit të enciklikës së tij të fundit, "Humanae vitae". Fraza e tij e parë i bën njerëzit të ngrehin veshët. “Fjalët tona – theksoi – kanë sot një temë të detyrueshme, marrë nga Enciklika me titull Humanae vitae…”. Ndoshta, prej ditësh, Papa Montini mendonte për këtë çast, kur do t’u fliste njerëzve drejtpërdrejt, me zemër të hapur, për një temë, së cilës ia pati kushtuar të gjitha forcat, deri një javë më parë, deri në përfundimin e njërit prej dokumenteve më delikate e më të ndërlikuara të papnisë së tij dhe të Kishës bashkëkohore.

Fjala kyç

         Pak rreshta e mbërrin në pikën nevralgjike. “Ky dokument papnor – nënvizon - …nuk është thjesht deklarim i një ligji moral negativ, pra, i përjashtimit të çdo veprimi, që synon ta bëjë të pamundur shtatzaninë, por është sidomos, paraqitja pozitive e moralit bashkëshortor, duke pasur parasysh misionin e tij të dashurisë e të fekonditetit…”. Pali VI i njeh mirë kritikat dhe rezervat ndaj tekstit, brenda e jashtë Kishës. Prandaj fjala “paraqitje pozitive” është kyçi, me të cilin, Papa dëshiron të interpretohet enciklika, e atë fjalë e thekson gjatë audiencës në Castelgandolfo:

         “Humanae vitae është sidomos paraqitja pozitive e moralit bashkëshortor”.

         Ai mbiemër cilësor është strumbullari, që zbulon zemrën e Papës e jo vetëm të tij. E Pali VI ndjen nevojën të shpjegojë se e ka kontrolluar vetë enciklikën, me skrupolozitet, paragraf për paragraf, për ta shndërruar në një akt magjisteri, që nuk shpreh ndonjë lloj mendimi autokratik, por reflekton dashurinë e një ati ndaj familjeve, sidomos ndaj atyre, që e jetojnë fenë.

Studiuam e diskutuam “sa mundëm”

         Vetë Papa Montini nuk u flet mbi përmbajtjen e enciklikës besimtarëve të mbledhur për audiencën, dëshiron të përqendrohet në “ndjenjat”, që ia kanë mbushur shpirtin gjatë katër vjetëve të hartimit të lodhshëm të “Humanae vitae”. Në atë ditë të fundit të korrikut, Ati i Shenjtë pranon se “ndjenja e parë ishte ajo e përgjegjësisë së madhe… që – pohon Papa Pali VI, në një kohë kur akoma përdorej ‘plurale maiestatis’, pra, numri shumës për Shenjtërinë e Tij – na ka bërë të vuajmë jo pak shpirtërisht… Kemi studiuar, lexuar, diskutuar sa mundëm; e, edhe jemi lutur shumë”. Përdorimi i shumësit, edhe sot, duket sikur e shumëfishon lodhjen, që Pali VI nuk ka ndërmend ta fshehë, pasi vërtet, ka bërë ç’është e mundur për të dëgjuar e për të marrë parasysh të gjitha zërat kompentente në atë fushë.

Shpresa në bashkëshortët e krishterë

E megjithatë, shton më tej, “një ndjenjë tjetër, që na ka udhëhequr gjithnjë në punën tonë, është ajo e dashurisë, e ndjeshmërisë baritore ndaj njerëzve, të cilët janë të thirrur ta integrojnë personalitetin e tyre në jetën bashkëshortore e në familje”. E ndjenja e tretë, pohon Papa, është ajo e “shpresës”. Ati i Shenjtë shpreson se “do të jenë bashkëshortët e krishterë ata, që do ta kuptojnë se si fjala Jonë, sado e rreptë dhe e guximshme të duket, dëshiron të jetë interpretuese e vërtetësisë së dashurisë së tyre, thirrur për ta shndërruar vetveten deri në imitimin e dashurisë së Krishtit për nusen e tij mistike, Kishën”. Do të jetë familja e krishterë, uron Pali VI, që “do të dikojë në familjet moderne përshpirtërinë e saj, burim përsosjeje për anëtarët e saj të veçantë dhe dëshmi morale për shoqërinë”.

25 korrik 2018, 13:38