Kërko

Eukaristia Eukaristia  

Kungimi në martesat ndërkonfesionale: Papa kërkon thellim

Një letër e Kongregatës për Doktrinën e fesë, sqaron mendimin e Papës Françesku mbi temën e martesave ndërkonfesionale: duhen bërë studime të mëtejshme për ta thelluar këtë temë ekumenike, që ka të bëjë me Kishën universale.

R. SH. - Vatikan

Një letër e Kongregatës për Doktrinën e fesë, sqaron mendimin e Papës Françesku mbi temën e martesave ndërkonfesionale, problem i ngritur nga episkopati gjerman; duhen studime të mëtejshme për ta thelluar këtë temë ekumenike.

Çështje, pra, mbi të cilën ipeshkvijtë  ftohen  të presin një normativë, e cila lidhet me mbarë Kishën universale. Ky, thelbi i Letrës dërguar, në emër të Papës, nga Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kryetarit të Konferencës ipeshkvnore gjermane, lidhur me temën delikate të dhënies së Kungimit në rastin e martesave ndërkonfesionale, domethënë, në rastin kur njëri nga bashkëshortët është katolik e tjetri, protestant. Në tekst nënvizohet nevoja për ta vlerësuar me vëmendje  ndikimin që mund të ushtrojë çdo vendim mbi ekuilibrin e arritur në dialogun ekumenik.

Qëndrimi i ipeshkvijve gjermanë

Argumenti i martesave ndërkonfesionale - mundësi e njohur nga e Drejta kanonike në kushte të caktuara - u diskutua shkurtin e kaluar nga ipeshkvijtë gjermanë në një material ndihmës me titull: “Të ecim me Krishtin - në gjurmët e unitetit”. Dokumenti, i votuar nga dy të tretat e pjesëmarrësve në takim, i krijonte bashkëshortit protestant mundësinë ta merrte Kungimin gjatë Meshës katolike, pas një bisede paraprake me famullitarin.

Vendos ipeshkvi

Shtatë prelatëve, të cilët në selinë e plenares nuk dhanë mendim të favorshëm – duke e shprehur edhe me shkrim ngurrimin e tyre, në një letër drejtuar Atit të Shenjtë – vetë Françesku u kërkoi, më 3 majin e kaluar, të japin opinionin, në ballafaqim me kryesinë e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, me Dikasterin për bashkimin e të krishterëve dhe atë të Teksteve Ligjore, Pra, pas letrës së prefektit  të Doktrinës së Fesë dhe në pritje për thellime të mëtejshme, që do t’i kushtohen temës, ipeshkvit dioqezan i mbetet përgjegjësia t’i vlerësojë rastet e sinjalizuara e edhe të vendosë.

05 qershor 2018, 13:47