Filloi mbledhja plenare e Roaco, 50-vjet pas themelimit
R. SH. - Vatikan
Sot, 19 qershor, pranë Sallës së Kongregacionit të Përgjithshëm të Shtëpisë së Jezuitëve, në Romë, nisën punimet e Asamblesë së 91-të plenare të Roaco-së – Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore - anëtarët e së cilës do të priten në audiencë nga Papa Françesku, të premten e ardhshme. Asambleja mblidhet në 50-vjetorin e themelimit, prej këndej, do të jenë të pranishëm edhe ish-përfaqësuesit me detyra të veçanta.
Mesha e falënderimit, në hapje
Punimet u hapën me një bashkëkretim eukaristik, në orën 8.30, në Kishën e Shpirtit Shenjt në Sassia, kryesuar nga prefekti, kardinali Leonardo Sandri, kryetar i Roaco-së, për të falënderuar Zotin e për t’ia besuar punimet e Plenares, ndërmjetësimit të të Shenjtnueshmes Mari, shoqëruar me një lutje të veçantë për bamirësit e gjallë e të vdekur.
Kishat në Lindjen e Mesme dhe në Tokën Shenjte
Në sesionin e 20 qershorit, sipas programit, do të jepen disa mendime kushtuar gjendjes së Kishave në Lindjen e Mesme, me vëmendje të posaçme tek Turqia, Siria, Iraku dhe Toka Shenjte, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve papnorë të vendeve përkatëse si dhe me fjalën e imzot Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet.
Në qendër të vëmendjes, ishte edhe situata në Tokën Shenjte, shoqëruar me një verifikim të ndihmave të marra, falë të ardhurave nga lëmoshët e së Premtes së Madhe. Morën pjesë edhe delegati apostolik i Jeruzalemit, imzot Leopoldo Girelli; rojtari i Tokës Shenjte, Atë Francesco Patton si dhe zëvendës-kancelari i Bethlehem University, atë Peter Bray.
Diaspora dhe sfidat baritore
Nesër, programi do t’i kushtohet plotësisht reflektimit mbi temën “Diaspora në Evropë, pas dyndjes së emigracionit dhe sfidat për kujdesin baritor të besimtarëve lindorë në Kontinentin e vjetër”, me ndërhyrjen, ndërmjet të tjerëve, të përfaqësuesve të besimtarëve siro-malabarezë, atyre ukrainas në diasporë, kaldejve dhe etiopëve në Evropën Qendrore. Ndërmjet të ftuarve të ditës, edhe Jan Tominski, ambasador i Bashkimit Evropian pranë Selisë së Shenjtë si dhe imzot Silvano Maria Tomasi, anëtar i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, që do të flasë, duke prekur disa nga tematikat më të mprehta të emigracionit.