Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Takimi botëror i familjeve Takimi botëror i familjeve 

Papa: Ndjesë e plotë për Takimin botëror të familjeve

Të gjithë ata që do marrin pjesë, ose që do të ndjekin përmes mjeteve të komunikimit një nga ngjarjet e Takimit botëror të familjeve, i cili do të mbahet në Dublin gushtin e ardhshëm, në praninë e Papës, mund të fitojnë ndjesën e plotë ose të pjesshme.

R.SH. -Vatikan

Papa Françesku jep dhuratën e ndjesës së plotë, me rastin e Takimit IX botëror të familjeve, që do të mbahet në Dublin të Irlandës, nga 21 deri më 26 gusht të këtij viti. Njoftimin e jep Pendestaria Apostolike me një Dekret të shpallur dje, në përkujtimin liturgjik të Virgjërës Mari, Nënë e Kishës.

Ndjesa e plotë

Ndjesa e plotë - shpjegohet - mund të fitohet pas plotësimit të kushteve të zakonshme (rrëfim sakramentor, kungim eukaristik dhe lutje, sipas ndjeteve të Atit të Shenjtë) nga ana e besimtarëve që, “me shpirtin e pastruar nga çdo mëkat”, do të marrin pjesë në ndonjë nga funksionet gjatë takimit, ose në përfundimin e tij solemn. Ata, që nuk kanë mundësi të marrin pjesë në ngjarje, mund ta fitojnë ndjesën me të njëjtat kushte, nëse, të “bashkuar shpirtërisht me besimtarët e pranishëm në Dublin”, do të thonë në familje Atynën, Besojmën dhe lutje të tjera, lartuar mëshirës hyjnore sipas ndjeteve të lartpërmendura, posaçërisht kur fjalët e Papës do të transmetohen përmes radios e televizionit.

Ndjesa e pjesshme

Në Dekret shtohet se “besimtarët mund ta fitojnë ndjesën e pjesshme sa herë që do të luten, me zemër të penduar, për të mbarën e familjeve.

Vullnetarët, në përgatitje e sipër, janë 3500; po mblidhen  mijëra kërkesa për lutje, ndërsa ikona zyrtare e takimit të Dublinit vijon të shtegtojë në të gjitha dioqezat e Irlandës; së fundi - pohon Dikasteri - qindra bashkësi ndërkombëtare murgeshash të klauzurës njoftojnë se do të luten vazhdimisht për pjesëmarrësit e takimit.

Familja, në fjalët e Papës

Takimi do të ketë në qendër të vëmendjes porositë e Nxitjes Apostolike të Françeskut Amoris laetitia. Papa ka mbajtur 33 katekizma kushtuar familjes gjatë audiencave të përgjithshme, duke pohuar me forcë se familja zë vend qendror në Kishë e në shoqëri. Bëhet fjalë për familjen e themeluar mbi martesën e një burri me një grua, përplotësimi i së cilës theksohet me forcë, duke iu kundërvënë kolonizimeve ideologjike, si teoria e gender, “gabim i mendjes njerëzore”. Papa nuk flet për familje abstrakte, por konkrete, me gëzimet e vështirësitë e saj. Posaçërisht kërkon vëmendje të posaçme për familjet e plagosura si dhe familjet e ashtuquajtura të parregullta.

 

22 maj 2018, 14:34