Kërko

Seminari i spitalit pediatrik të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù” Seminari i spitalit pediatrik të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù” 

Bambino Gesù: Karta e të Drejtave të Fëmijëve të Pashërueshëm

Pas rasteve të Aflie-t e të Charlie-t, spitali pediatrik i Selisë së Shenjtë harton një dokument për promovimin e aleancës terapeutike dhe të mbështetjes së fëmijëve me sëmundje të rënda e të pashërueshme.

R.SH. - Vatikan

Fatkeqësisht, ka fëmijë që nuk mund të shërohen, por nuk ekzistojnë fëmijë, që nuk mund të kurohen. Kjo ishte premisa e reflektimit të djeshëm në seminarin e spitalit pediatrik të Selisë së Shenjtë “Bambino Gesù”, një muaj pas vdekjes së vogëlushit anglez, Alfie Evans.

Temat dhe argumentet e reflektimit

         Aleanca terapeutike ndërmjet familjes e mjekut, shoqërimi dhe kujdesi për pacientët me sëmundje të pashërueshme, e drejta për kurat paliative dhe ato eksperimentale, aftësia për t’u lidhur në rrjet me strukturat e vendeve të ndryshme, nevoja për një normativë ndërkombëtare, të aftë të lehtësojë pasojat e konflikteve. Për këtë e për shumë argumente të tjera u fol në Sallën Salviati të spitalit, ku u mblodhën politikanë, mjekë, punonjës shkencorë dhe njerëz, që merren me bioetikën.

10 nenet e Kartës

         U paraqit Karta e të Drejtave të Fëmijëve të Pashërueshëm, hartuar nga spitali “Bambino Gesù”, për t’u dhënë të drejta të barabarta me të tjerët, edhe fëmijëve me nevoja të veçanta, pa mundësi shpëtimi, por me mundësi kurimi edhe në fazat e fundit të jetës. Teksti përmban dhjetë nene, që vënë në dukje rëndësinë e aleancës terapeutike të mjekut me familjen e pacientit, e cila duhet të marrë pjesë plotësisht në procesin e kurimit.

Pikat e tjera të Kartës kanë të bëjmë me të drejtën për një “opinion të dytë” mjekësor; me mundësinë për të zgjedhur një strukturë të besueshme shëndetësore, edhe duke u transferuar në një vend tjetër; me të drejtën për terapi eksperimentale e paliative; si edhe me të drejtën për shoqërimin psikologjik e shpirtëror. Fëmija e familja, së fundi, kanë të drejtën, siç thuhet në nenin 10, “të marrin pjesë në veprimtarinë e kurimit, të kërkimit e të mikpritjes, duke favorizuar rolin e tyre aktiv në Komitetet spitalore, në sportelet e shoqatave të prindërve, në aktivitetet rikrijuese e argëtuese, në administrimin e Shtëpive të Mikpritjes”. Presidentja e spitalit, Mariella Enoc, nënvizoi në seminar se Karta të Drejtave të Fëmijëve të Pashërueshëm do t’u propozohet edhe vendeve të tjera.

29 maj 2018, 15:35