Thirrja e Papës për RD të Kongos: të ndalet dhuna e të mbrohen civilët
R.SH. / Vatikan
Të pushojnë armiqësitë, e edhe të gjitha format e dhunës kundër njerëzve e pronave të tyre! Sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, Papa kujtoi Republikën Demokratike të Kongos, komb "i dashur" afrikan, të cilin e vizitoi në janar 2023, ku sot do të takohen Presidenti Félix Tshisekedi dhe homologu i tij ruandez, Paul Kagame, i thirrur nga Kenia, në përpjekjen për të zgjidhur krizën e re, që ka shpërthyer furishëm ditët e fundit në rajonin e Kivu-së veriore, të tronditur nga dhuna tridhjetëvjeçare ndërmjet grupeve të armatosura. Dhunë, që nuk ka pushuar kurrë, ndërsa tani është ndezur përsëri me rrethimin e 3,500 rebelëve M23 të mbështetur nga Ruanda. Epiqendra e ndeshjeve është në qytetin e Gomës, të cilin Papa, në programin e parë të udhëtimit, të shtyrë më pas për arsye shëndetësore, pati shprehur dëshirën për ta vizituar.
Shpreh shqetësimin tim për keqësimin e situatës në Republikën Demokratike të Kongos. U bëj thirrje të gjitha palëve në konflikt të angazhohen për ndërprerjen e armiqësive e për mbrojtjen e popullatës civile të Gomës dhe zonave të tjera, të prekura nga operacionet ushtarake.
T’i jepet fund dhunës
Nga Salla e Palit VI, Papa bëri thirrje edhe për kryeqytetin Kinshasa, ku dëshmitarët dhe mediat lokale flasin për një situatë jashtë kontrolli: shembet aeroporti, rrethohet selia e qeverisë provinciale; sulmohen ambasadat e huaja, grabiten bankat dhe supermarketet, spitalet nuk janë më në gjendje t’i strehojnë viktimat (mbi njëqind të vdekur dhe një mijë të plagosur, sipas raporteve të spitaleve), në rrugë, vijojnë demonstratat…
Ditën e djeshme, shumë njerëz, pasi qenë mbyllur në shtëpi për tri ditë, pa energji elektrike për shkak të zjarreve, dolën me kujdes në kërkim të ujit dhe të ushqimit. E sapo dolën, zbuluan trupa pajetë përgjatë rrugës, më pas të mbuluar me batanije e me rroba. Papa lutet dhe kërkon lutje që “të pushojë çdo formë dhune kundër njerëzve dhe pronës së tyre”.
Ndërsa lutem për rivendosjen e shpejtë të paqes dhe të sigurisë, u drejtoj thirrjen autoriteteve lokale dhe bashkësisë ndërkombëtare të bëjnë çdo përpjekje për të zgjidhur me mjete paqësore situatën e konfliktit.
Lufta është gjithmonë humbje
Urgjenca për zgjidhje në Republikën Demokratike të Kongos nuk na bën të harrojmë zonat e tjera të luftës në botë. Si çdo të mërkurë, edhe sot Papa Françesku i ftoi besimtarët të vazhdojnë lutjen për paqe në ato vende ku vijojnë tensionet dhe mizoria.
Palestina, Izraeli, Mianmari dhe shumë vende që janë në luftë. Lufta është gjithmonë humbje. Të lutemi për paqen.
Kujtimi i viktimave të kampeve gjermane të përqendrimit
Nga tmerri i sotëm - në atë të djeshmin, Papa u drejton të njëjtën kërkesë për një lutje paqeje besimtarëve të Polonisë, të pranishëm në audiencën e përgjithshme, me të cilët kujton kohën kur polakët ishin viktima të shfarosjes në kampet gjermane të përqendrimit gjatë Luftës II Botërore. “Jini rojtarë të së vërtetës, të kujtimit të kësaj tragjedie dhe viktimave të saj, duke përfshirë edhe shumë martirë të krishterë”, theksoi Papa:
Është kujtesë e përkushtimit të vazhdueshëm për paqen dhe për mbrojtjen e dinjitetit të jetës njerëzore në çdo komb e në çdo fe. Ju bekoj nga zemra!
Urimet për Vitin e Ri hënor
Papa Françesku u dërgon një bekim edhe "miliona familjeve" në Azinë Lindore e në pjesë të tjera të botës, që po festojnë sot Vitin e Ri Hënor: "rast për të jetuar me kënaqësi më të madhe marrëdhëniet familjare dhe miqësitë". “Me urimet për Vitin e Ri” - vijoi Papa, mes duartrokitjeve të një grupi kinezësh të ulur në plate, “bekimi im mbërriftë tek të gjithë, ndërsa i lutem Zotit t’i japë secilit prej jush, paqe, qetësi dhe shëndet”.