Shoah, Papa: tmerri nuk duhet harruar, antisemitizmi nuk duhet të lëshojë kurrë më rrënjë
R.SH. / Vatikan
"Kurrë më!" Françesku e bën këtë thirrje të fuqishme sot, 27 janar 2025, Ditë e Kujtimit të Holokaustit, tetëdhjetë vjet pas çlirimi të kampit Aushvic-Birkenau, emblemë e asaj humnere, që u shkatërroi jetën miliona njerëzve e familjeve.
“Përsërisim sot me forcë se farët e antisemitizmit nuk duhet të lejohen kurrë më të zënë rrënjë në zemrat e njerëzve. Duke kujtuar vuajtjet dhe lotët e viktimave të Shoah, përsërisim: kurrë më!”.
Duhet zhdukur antisemitizmi me të gjitha format e persekutimit fetar
E shkuara dhe e ardhmja, pra, në mesazhin e Papës në nëntë gjuhë, në platformën X në faqen e internetit @Pontifex. E kaluara, kujtim që nuk duhet të shuhet kurrë, sidomos kur të mbijetuarit e fundit, dëshmitarë të tmerreve, dalëngadalë po shuhen; ndërsa e ardhmja, ose më mirë breznitë e reja, të arsimuara, ndoshta pa e njohur mirë historinë, duket se u dorëzohen shumë lehtë manifestimeve të racizmit dhe antisemitizmit. Në disa raste, edhe deri në mohimin e asaj që ndodhi në vitet e errëta të Luftës II Botërore. Fenomene, që u shtuan pas 7 tetorit 2023, me masakrën e Hamasit, në Izrael dhe reagimin ushtarak izraelit, në Gaza. Fenomene të dënuara rrepsisht nga Papa në disa raste, e sidomos në fjalimin e fuqishëm para ambasadorëve të akredituar në Selinë e Shenjtë, përmes të cilit Ati i Shenjtë Bergoglio shprehu shqetësimin për "shprehjet në rritje të antisemitizmit" kundër bashkësive të hebrejve në botë, të dënuara “fuqimisht”.
Për të nënvizuar rëndësinë e përvjetorit të sotëm, Papa Françesku shtoi një thirrje të dytë:
“Tmerri i shfarosjes së miliona hebrenjve nuk mund as të harrohet dhe as të mohohet. Kujtojmë gjithashtu shumë të krishterë, duke përfshirë edhe shumë martir. Të punojmë të gjithë së bashku për të zhdukur plagën e antisemitizmit, njëheresh me çdo formë të persekutimit fetar”.