Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
RRUZARJA NË LATINISHT
Programe Podcast
Papa në sallën Pali VI për audiencën e parë jubilare, 11 janar 2024 Papa në sallën Pali VI për audiencën e parë jubilare, 11 janar 2024

Papa: Zoti është shpresa për këtë tokë të shpërdoruar e të plagosur

Françesku nisi sot ciklin e audiencave jubilare të së shtunës, një çast “për t’i mirëpritur e për t’i përqafuar" shtegtarët e Vitit Shenjt. Kujtoi figurën e Gjon Pagëzuesit, "më i madhi ndër të lindurit nga gruaja", por edhe njeri "plot me pyetje". Për t'i sqaruar, "thellimi" i propozuar nga Ungjilli: "Të pranojmë se jemi të vegjël, që të fitojmë ‘Mbretërinë e Zotit’, së cilës vijojnë t’i kundërvihen shumë ‘Herodë’ të ditëve tona!”.

R.SH. / Vatikan

"Të rifillojmë!". Fjala jehon disa herë në Sallën Pali VI, në Vatikan. Një kor zërash, të rinj e të vjetër, inkurajohet nga Papa Françesku, që i ndjek me buzë në gaz. E ky është thelbi i katekizmit të ciklit të ri të audiencave jubilare të të shtuneve, nisur sot, 11 janar. Do të mbahen zakonisht çdo 15 ditë, në të njëjtin orar të të mërkurave kanonike dhe do të përqendrohen tek tema e shpresës, simbol i përqafimit  të shtegtarëve, që vizitojnë Romën, në kërkim të "fillimit të një rruge të re". Rifillim, pra!

Jubileu është fillim i ri, mundësi që të gjithë të rinisen nga Zoti. Me Jubileun rifillohet një jetë e re, një etapë e re!

Gjon Pagëzuesi, "profeti i shpresës"

Papa kujtoi, në vijim, natyrën teologjike të shpresës, duke analizuar etimologjinë e saj: "në latinisht virtù, virtus do të thotë 'forcë'", që "vjen nga Zoti". Prandaj nuk është cilësi e lindur - "që e ke a nuk e ke ", e as "zakon". Është vlerë "për t'u kërkuar", që na shtyn të nisemi në shtegtim, si shtegtarët. Festa e Pagëzimit të Jezusit, që kremtohet  nesër, është ftesë për të reflektuar mbi figurën e Gjon Pagëzuesit, "profetit të madh të shpresës", siç e quajti Françesku.

E kujtojmë me përkufizimin "e mrekullueshëm" të Jezusit në Ungjillin e Lukës: "Më i madhi ndër të lindurit nga gruaja". Kjo famë e përligjte dyndjen e njerëzve tek Gjoni, “sepse besonin në personalitetin e tij”, të gjithë të prirë nga dëshira e trashëguar deri në ditët e sotme “për një fillim të ri”. Një kalim ideal i stafetës nga Gjon Pagëzuesi, “që u propozonte të kalonin lumin Jordan" dhe shtegtarëve që kapërcejnë  Portën Shenjte, për të "rifilluar”.

Kjo është fjala, për të filluar përsëri, për të marrë udhën nga fillimi, si herën e parë.

“Ta ngulim në kokë këtë!”- nxit Papa - e, me humorin e tij të mirënjohur, vijon - “Nuk dëgjoj mirë”, “Jam pak i shurdhër”. Bën kështu shaka, duke e ftuar vazhdimisht kuvendin të përsërisë: “Të rifillojmë!”.

“Hop cilësor” i shpresës

Krahas “lëvdatës” së Gjon Pagëzuesit, Papa Françesku vë në dukje një shtesë  nga ana e Jezusit: “Unë po ju them se ndër të lindurit nga gratë, nuk ka asnjë më të madh se Gjoni, por edhe më i vogli në mbretërinë e Zotit është më i madh se ai". Shpresa, shpjegon Papa, "qëndron tërësisht në këtë hop cilësor".

Nuk varet nga ne, por nga Mbretëria e Zotit. E kjo është e papritura: mirëpritja e Mbretërisë së Zotit na çon në një rend të ri madhështor. Nga kjo bota jonë, të gjithë kemi nevojë për të!

E ne, "çfarë duhet të bëjmë?"- pyeti përsëri Françesku - "Të rifillojmë!"- gjegjen të pranishmit.

"A e kam në shpirt dëshirën e vërtetë për të nisur nga e para?"

Edhe Gjon Pagëzuesi, i përshkruar në çastet më të vështira të jetës, si ata të burgut, është shembull i fesë që ndeshet me dyshimet. Në kokën e  Pagëzuesit zjenin një mori pyetjesh, ashtu si në kohën e shumë shtegtarëve të sotëm, si për shembull, pyetja "pse ka kaq shumë 'Herodë' që ende e kundërshtojnë Mbretërinë e Zotit?". Përgjigja mund të gjendet në "ligjin befasues të Ungjillit", në "rrugën e re" të propozuar e të përshkuar nga Jezusi, të përqendruar mbi Lumnitë.

Ta pyesim veten atëherë: a kam në shpirt dëshirën e vërtetë për të nisur nga e para? Mendoni për këtë, secili prej jush: a dua të filloj nga e para brenda vetes? A dua të mësoj nga Jezusi, që është vërtet i madh? Më i vogli, në Mbretërinë e Hyjit, është i madh.

Të pranojmë se jemi të vegjël

Duke kujtuar Gjonin, Papa Françesku na fton të bëjmë një hap më tej. Për të parë në "ndryshimin e Zotit", në madhështinë e tij "të ndryshme", një shpresë të re të përhapur në "shtëpinë e përbashkët", aq "shumë të shpërdoruar e të plagosur".

“E ne nisemi rishtas nga ky origjinalitet i Zotit, që shkëlqeu në Jezusin e që tani na detyron të shërbejmë, të duam vëllazërisht, të pranojmë se jemi të vegjël. E t’i shikojmë më të vegjlit, t’i dëgjojmë e të jemi zëri i tyre. Ja fillimi i ri, ky është Jubileu ynë!”.

Papa Françesku përfundoi duke i kërkuar edhe një herë turmës të përsërisë lajtmotivin e gëzueshëm që përshkoi gjithë katekizmin: "Të rifillojmë!”.

11 janar 2025, 13:26
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031