Papa: të sëmurë e punonjës shëndetësorë, "engjëj të shpresës", jeni himn për dinjitetin njerëzor
R.SH. – Vatikan
Pacientë e mjekë, infermierë e familjarë, miq e meshtarë, murgesha e rregulltarë. Të gjithë “engjëj të shpresës”, të gjithë “lajmëtarë të Zotit”, njëri për tjetrin, njëri me tjetrin, kudo që janë: familje, klinika, shtëpi pleqsh, ambulanca, spitale. Papa Françesku lavdëron punën e punonjësve shëndetësorë dhe inkurajon ata, të cilëve u drejtohet - pacientët - duke përsëritur rëndësinë e përmasës njerëzore në çdo trajtim mjekësor. E bën këtë në mesazhin e tij me rastin e Ditës së 33-të Botërore të të Sëmurëve, e cila do të kremtohet më 11 shkurt, me temë “Shpresa nuk zhgënjen (Rom 5,5) dhe na bën të fortë në mundime”.
Në një deklaratë të përbashkët të Dikasterit vatikanas për Ungjillëzimin dhe të atij për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor sqarohet se kremtimi solemn trevjeçar i Ditës, i cili duhej të mbahej këtë vit, është shtyrë për në vitin 2026, për shkak të Jubileut. “Papa Françesku – lexojmë në notë – ka vendosur që kremtimi, i cili duhej të mbahej këtë vit, do të mbahet më 11 shkurt 2026, në tempullin Marian të Virgen de Chapi, në Arequipa, Peru”.
E pikërisht Jubileun përmend Ati i Shenjtë në mesazhin e tij të publikuar sot, më 27 janar, duke nënvizuar se në kuadër të këtij Viti, ata që u japin ndihmë të vuajturve kanë “një rol të veçantë”. "Udha juaj e përbashkët", shkruan Papa, "është shenjë për të gjithë, himn për dinjitetin njerëzor, këngë shprese, zëri i së cilës shkon shumë përtej dhomave dhe shtretërve të vendeve mjekësore ku ndodheni". Është nxitje për bamirësi, edhe pse jo e lehtë, ku të përfshihet e gjithë shoqëria.
Takim, dhuratë dhe shkëmbim
Në përvojën e sëmundjes, vëren Papa, ka tre aspekte që karakterizojnë punën me të sëmurët: takimi, dhurata, shkëmbimi. Takimi, vëren ai, ndodh kur dikush përjeton afërsinë dhe dhembshurinë e Zotit në kohë brishtësie. Jezusi, pohon Françesku, "nuk na braktis dhe shpesh na befason me dhuratën e një këmbënguljeje, që nuk e kishim menduar kurrë se e kishim dhe që nuk do ta kishim gjetur kurrë vetë". Nga dhimbja e përjetuar në këtë mënyrë, vijon ai, rrjedh “ngushëllimi i afërsisë dhe i vërtetësisë, që vjen nga Zoti”.
Dhurata ka të bëjë me shpresën, që vjen nga Krishti e "kurrë si në vuajtje", vëren Papa, nuk e kuptojmë se "është para së gjithash një dhuratë për t'u mirëpritur dhe për t’u kultivuar". Nga kjo "shpresë e madhe", siguron Ati i Shenjtë, "vjen çdo dritë tjetër, me të cilën mund të kapërcejmë sprovat dhe pengesat e jetës", konfuzionin, shqetësimet, zhgënjimet, duke ndierë, ashtu si dishepujt e Emausit, praninë e Zotit, që "na kthen guximin dhe besimin”. Duke folur pastaj për shkëmbimin, Papa tërheq vëmendjen për gjithçka ndodh në "vendet ku njerëzit vuajnë". Sa herë, pohon ai, pranë shtratit të një të sëmuri "mësojmë të shpresojmë", si dhe të besojmë e të zbulojmë dashurinë, duke përjetuar afërsi dhe kujdes. Si të sëmurët, ashtu edhe personeli mjekësor e shëndetësor, si në shtëpi, në klinika apo në spitale, kudo, thekson Françesku, është e rëndësishme të kujtohen çastet më të bukura shpirtërore "për të mos i harruar ato": "buzëqeshja bujare e një punonjësi shëndetësor, vështrimi mirënjohës e plot besim i një pacienti, fytyra mikpritëse dhe e kujdesshme e një mjeku ose e një vullnetari, ajo plot pritje e shqetësim i një bashkëshorti, i një biri a bije, i një nipi apo i një miku të dashur”.
Në këtë Jubile të sapofilluar, përfundon Papa, të gjithë ju “keni më shumë se kurrë një rol të veçantë. Udha juaj e përbashkët, në të vërtetë, është shenjë për të gjithë, 'një himn për dinjitetin njerëzor, një këngë shprese', zëri i së cilës shkon përtej dhomave dhe shtretërve të vendeve mjekësore ku ndodheni, duke stimuluar dhe inkurajuar në bamirësi “gjithë shoqërinë”, në një harmoni, që nganjëherë, është e vështirë për t’u arritur, por pikërisht për këtë arsye, shumë e ëmbël dhe e fuqishme, në gjendje të sjellë dritë dhe ngrohtësi aty ku është më e nevojshme”.
Datat e Jubileut të të sëmurëve dhe të njerëzve me aftësi ndryshe
Krahas Ditës Botërore të të Sëmurëve, që këtë vit kremtohet në nivelin dioqezan më 11 shkurt, në notën e përbashkët e Dikastereve të Vatikanit përmenden dy data të tjera të ngjashme: Jubileu i të Sëmurëve dhe i Botës së Shëndetësisë (5 dhe 6 prill), si edhe Jubileu i Personave me Aftësi të Kufizuara (28 dhe 29 prill).