Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
PASMBRËMËSORJA LATINISHT
Programe Podcast
2025.01.25 Rektorët e Seminareve të Mëdha  të Francës 2025.01.25 Rektorët e Seminareve të Mëdha të Francës

Papa, rektorëve të seminareve: jini të durueshëm, pa frikë nga larmitë e ligështitë

Françesku takohet me rektorët e seminareve të madhore dhe përgatitore të Francës dhe nënvizon rëndësinë e "formimit njerëzor, shpirtëror, intelektual, baritor" për komunitetet me anëtarë që vijnë nga prejardhje të ndryshme shoqërore e familjare dhe nga kultura të ndryshme", e "të mos këmbëngulin në rrezikun që përfaqësojnë personalitete shumë të dobëta dhe të ngurta ose nga çrregullime emocionale": "Njeriu i përsosur nuk ekziston, Kisha përbëhet nga anëtarë të brishtë"

R.SH. / Vatikan

Seminari mund të japë "dëshmi koherente të jetës së krishterë" dhe të bëhet "hapësirë ​​e favorshme për rritjen e priftit të ardhshëm”, nëse "kujdeset për cilësinë dhe vërtetësinë e marrëdhënieve njerëzore, që jetohen atje, të ngjashme me ato të familjes”, me tipare të atësisë dhe të vëllazërimit”. Vetëm në këtë atmosferë "mund të krijohet besimi reciprok, i domosdoshëm për marrëdhënie të mira", e seminaristi do të jetë në gjendje "për të qenë vetvetja, pa frikë se do të gjykohet në mënyrë arbitrare". Këtë kujtoi Papa Françesku sot paradite, 25 janar, në takimin me rektorët e seminareve madhore dhe përgatitore të Francës, me rastin e shtegtimit të tyre jubilar.

Formimi njerëzor, shpirtëror, intelektual dhe baritor

Papa kujtoi se kandidatët “që paraqiten në seminar, sot më shumë se kurrë, janë krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri”: “Disa janë shumë të rinj, të tjerë tashmë kanë përvojë të gjatë jete; disa kanë fe që ka fituar pjekurinë, të tjerë, që është duke e fituar”. Seminaristët “vijnë si nga rrethana të ndryshme shoqërore dhe familjare, ashtu edhe nga kultura të ndryshme” e, mbi të gjitha, “e ndjejnë thirrjen brenda shumë lëvizjeve shpirtërore që i njeh sot Kisha”. Propozimi i "formimit njerëzor, shpirtëror, intelektual dhe baritor për një bashkësi kaq të larmishme" - theksoi Papa - është sigurisht  sfidë e madhe.

Mos kini frikë nga larmia

Detyra “nuk është e lehtë” e prandaj “vëmendja ndaj shtegtimit të secilit si dhe shoqërimi vetjak janë më të domosdoshme se kurrë”. E është e rëndësishme që “skuadrat e formimit ta pranojnë këtë larmi, të dinë ta mirëpresin dhe ta shoqërojnë”. Nuk duhet pasur "frikë nga larmia". Qëllimi i seminarit, kujton Françesku, është i qartë:

Të formojë dishepuj misionarë 'të dashuruar' me Mësuesin, barinj 'me erën e deleve' që jetojnë mes tyre për t'u shërbyer dhe për t'u çuar mëshirën e Zotit.

Shijet e ndryshme të hirit të sakramentit

Ekzistojnë "kritere të ndryshme, me të cilat është e pamundur të bëhet kompromis për dhënien e shugurimit", por seminari, megjithatë, "nuk duhet të kërkojë të formojë klone, që të gjithë të mendojnë në të njëjtën mënyrë, me të njëjtat shije dhe të njëjtat mundësi". Hiri i sakramentit, pohoi Papa, “rrënjoset në gjithçka që e pasuron personalitetin e pashoq të të çdo njeriu, personalitet që duhet respektuar për të prodhuar fruta me shije të ndryshme, për të cilat ka nevojë vetë larmia e Popullit të Zotit”.

Liria e brendshme

Papa Françesku theksoi, në veçanti, tri pika, të cilave "është e rëndësishme t'u kushtohet vëmendje". E para, “kujdes, që kandidati të formohet me liri të vërtetë shpirtërore”:

Sfidat që do t'i paraqiten gjatë jetës kërkojnë që të dijë, i ndriçuar nga feja dhe i nxitur nga bamirësia, sesi të gjykojë dhe të vendosë me kokën e tij, ndonjëherë edhe kundër rrymës ose duke përballuar rreziqe, pa dhënë përgjigje të parapaketuara, pa paragjykime ideologjike ose me mendimin e çastit. Duhet të piqet mendja, të piqet zemra e të piqen duart. Tri gjëra, që duhet të jenë koherente, të qëndrueshme: çka mendoni, çka ndjeni dhe çka bëni. E edhe tri gjuhë: ajo e mendjes, e zemrës dhe e duarve. Pastë koherencë ndërmjet këtyre.

Humanizëm i drejtpeshuar

Pika e dytë, që kujtoi Françesku, lidhet me "pjekurinë me sjellje të ekuilibruara të kandidatit, të aftë për marrëdhënie njerëzore". Prifti duhet të sillet "me butësi, me afërsi, me dhembshuri", me tre "atributet e Zotit", përsëriti Papa: "Zoti është i afërt, është i butë, i mëshirshëm. Seminaristi, që nuk është i aftë për këtë, nuk vlen. Ka rëndësi, kjo". Papa porosit edhe të mos "këmbëngulet" në "rrezikun e përfaqësuar nga personalitete shumë të ligshta e të ngurta, ose nga çrregullime emocionale": "Nga ana tjetër, njeriu i përsosur nuk ekziston dhe Kisha përbëhet nga gjymtyrë të brishta e mëkatare, që mund të shpresojnë gjithmonë të përparojnë; e aftësia juaj dalluese në këtë pikë duhet të jetë e matur, e durueshme, e ndriçuar nga shpresa.

Mos kini frikë nga dobësitë dhe kufizimet e seminaristëve tuaj! Mos i dënoni shumë shpejt dhe shoqërojini si duhet. Me atë, që u quajt martirizimi i durimit; shoqërimi!

Thirrja dhe misioni

Pika e tretë - vërejti Françesku - është “orientimi vendimtar i thirrjes meshtarake për mision”:

Meshtari është për mision. Një prift që vepron si monsieur abbé nuk është për mision. E kjo nuk është e drejtë. Prifti është gjithmonë për mision. Edhe pse, sigurisht, njeriu nuk bëhet i tillë për veten, por për Popullin e Zotit, për t'i bërë të gjithë ta njohin dhe ta duan Krishtin. Pika fillestare e kësaj dinamike mund të gjendet vetëm në një dashuri gjithnjë e më të thellë dhe  më të zjarrtë për Jezusin, të ushqyer nga formimi serioz në jetën e shpirtit dhe nga studimi i Fjalës së Zotit. Është e vështirë të përfytyrohet thirrja  meshtarake, që nuk ka përmasën e fortë të vetëflijimit, të bujarisë, të shkëputjes nga vetja, të përvujtërisë së sinqertë; dhe kjo duhet vërtetuar! Vetëm Krishti e mbush priftin e vet me gëzim.

Jo pretekst, por dashuri e vërtetë

Së fundi, Papa Françesku kujtoi se nuk është e pazakontë të shohësh "që gjatë rrugës, disa përfundojnë pak nga pak në shërbimin e vetvetes". Fjalë, pasuar nga porosi të sakta: “Kini mendjen, sidomos me paratë. Gjyshja na thoshte gjithmonë: ‘Djalli hyn nga xhepat’. Ju lutem, varfëria është gjë shumë e bukur. Shërbejini të tjerëve. E, kujdes nga karrierizmi. Kini kujdes. Kujdes nga bota, xhelozia, kotësia! Dashuria për Zotin dhe Kishën të mos jetë pretekst: të jetë e vërtetë".

25 janar 2025, 14:05
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031