Kërko

Papa priti në audiencë Presidenten e Republikës së Maltës

Papa priti sot në audiencë Presidenten e Maltës Myriam Spiteri Debono. Biseda me Papën zgjati afër 20 minuta, në fund shkëmbimi i dhuratave. Kreu i shtetit ka ofruar një pajisje Tecartherapy që do të ofrojë fizioterapi dhe trajtime rehabilitimi fizik për njerëzit e pastrehë. Në bisedimet në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit situata në Mesdhe, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, sfidat e migracionit

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite, më 24 janar, Presidenten e Republikës së Maltës, Myriam Spiteri Debono, shoqëruar nga bashkëshorti dhe delegacioni presidencial. Biseda private, e cila zgjati 20 minuta, u zhvillua në sallën e bibliotekës në Pallatin Apostolik, në Vatikan.

Dhuratat

Në fund të audiencës, pas prezantimit të delegacionit maltez, u bë shkëmbimi i dhuratave. Ati i Shenjtë Françesku i dhuroi një skulpturë qeramike të titulluar ‘Butësia dhe Dashuria’, vëllimet e dokumenteve papnore, Mesazhin e Ditës Botërore të Paqes të këtij viti, të nënshkruar nga Papa posaçërisht sot, dhe një vëllim ilustrues të Pallatit Apostolik. Presidentja Spiteri Debono iu përgjigj duke i dhuruar Papës një pajisje teraçeutike Tecartherapy për trajtime të fizioterapisë dhe rehabilitimit fizik për personat e pastrehë, me synimin për të reduktuar inflamacionin dhe dhimbjen në patologjitë kryesore muskuloskeletore, shumë të zakonshme tek këta njerëz për shkak të kushteve të jetesës. Pajisja Tecartherapy do të jetë e destinuar për në ambulancën mjekësore të Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Bamirësisë. Presidentja i dhuroi Papës edhe një shportë me produkte tipike malteze.

Bisedimet në Sekretariatin e Shtetit

Pas përfundimit të takimit me Papën, presidentja malteze dhe shoqëruesit e saj shkuan në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, ku u zhvillua takimi me Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.

"Gjatë bisedimeve të përzemërta", thuhet në një njoftim nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë, "u shpreh vlerësimi reciprok për marrëdhëniet solide dypalëshe midis Selisë së Shenjtë dhe Maltës, duke ripohuar angazhimin për të forcuar më tej bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët","ndërsa biseda vazhdoi – njofton zyra e shtypit të Vatikanit - u trajtuan edhe tema të ndryshme me rëndësi ndërkombëtare, me një vëmendje të veçantë ndaj situatës në rajonin e Mesdheut, konfliktet në Izrael dhe Palestinë, krizën në Ukrainë, si dhe sfidat që lidhen me migracionin".

24 janar 2025, 16:15