Kërko

Një familje Një familje

Papa: pajtimi është detyrë e zemrës, familjet e plagosura duhen shoqëruar

Françesku i përgjigjet nga faqet e revistës mujore "Piazza San Pietro" një babai që i flet për përvojën e tij të vështirë të ndarjes nga gruaja dhe e inkurajon për respekt të ndërsjelltë dhe drejtësi të mëshirshme. Fëmijët nuk janë pengje të atit e të nënës, por bij për t'u dashur e për t’u mbrojtur, shkruan Papa. Kujdes dhuratat, mund të jenë joshje për t'ia hequr bashkëshortit pasardhësin. Të krijohen rrjete dhe takime për të përhapur shpresën se mund të çlirohemi nga leqet e së keqes.

R.SH. / Vatikan

Të vësh në lojë zemrën. Në marrëdhënie, kjo është gjëja kryesore. E shkroi këtë Papa Françesku, duke iu përgjigjur numrit të ri të revistës mujore e Bazilikës së Vatikanit, "Piazza San Pietro", që trajton temat e fesë, të përshpirtërisë dhe të jetës së përditshme përmes kontributeve të ndryshme, duke vënë në qendër një udhëtim brenda Bazilikës së Shën Pjetrit.

Ishte përgjigje e një letre dërguar Françeskut nga Giorgio, një babai romak që tregonte përvojën e tij të vështirë të ndarjes nga gruaja e tij. "Vetëm duke u nisur nga zemra, familjet tona do të jenë në gjendje të bashkojnë inteligjencat dhe vullnetet e ndryshme dhe t'i qetësojnë ato, në mënyrë që Shpirti të na udhëheqë si rrjet vëllezërish, sepse qetësimi është gjithashtu detyrë e zemrës", shpjegon Françesku, e kjo “Mrekulli sociale” është e mundur vetëm nëse zemra jonë “bashkohet me atë të Krishtit” dhe vetëm në këtë mënyrë “do të jetë e mundur të ndalohet dhe parandalohet dhuna në familje”.

Historia e Gjergjit

Gjergji i tha Papës se u nda pas 5 vitesh martesë dhe një vajze, me kërkesë të së shoqes “që kishte një burrë tjetër”. Vite më vonë, gruaja i kërkoi gjyqtarit pasaportën e fëmijës “për t’u zhvendosur në Athinë me partnerin e ri, me origjinë greke”, por gjyqtari e mohoi. Një muaj më vonë Gjergji u arrestua sepse policia gjeti kokainë në makinën e tij, ndërsa vajza e tij ishte me të. “Në burg iu luta për një kohë të gjatë Atë Pios nga Pietrelcina,” rrëfen ai. Pas 8 ditësh, për mrekulli (kështu më thanë gjykatësit dhe policia) zbuluan të vërtetën dhe më liruan”. Më pas u dënua ish-vjehrra dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë. Gjergji i beson Papës se e ka shndërruar "të keqen që pësoi, në të mirë për të tjerët" dhe se kështu e mposhti "urrejtjen dhe hakmarrjen" brenda vetes, duke ecur "në të vetmen rrugë, që i shpëtoi jetën", se ai reagoi "duke kujtuar shumë njerëz gjatë viteve” në të njëjtën situatë, “për ato reforma të së drejtës familjare që garantojnë të drejtën e fëmijëve të prindërve të ndarë t’i duan thjesht prindërit dhe gjyshërit e tyre”. Ai i kërkon Françeskut ta ndihmojë për "mbrojtjen e kësaj të drejte të pacenueshme të fëmijëve, që duhet mbrojtur gjithmonë" dhe thekson se "duhet ndaluar dhuna që përdor dhe shfrytëzon fëmijët me argumente, shantazhe dhe abuzime, të cilat mund të çojnë në tragjedi të rënda familjare me vrasje e vetëvrasje”.

Një dëshmi paqeje

"Historia e tij është dëshmi e paqes", komenton Papa, "që inkurajon në një botë të ndezur nga luftërat dhe urrejtja, e që korrespondon me një krizë dramatike shprese, e cila është gjithmonë aty, për të gjithë". Papa vëren se "në emër të interesave vetjake, duke përfshirë ato emocionale, kryhet dhuna dhe shpërdorimi, duke menduar kështu se po ndërton mirëqenien  ndërsa në vend të kësaj, dëmton vetveten". E kjo ndodh "gjatë pushtimeve dhe dhunës" së konflikteve botërore, si në jetën personale, ashtu edhe në atë familjare” dhe shpreson, duke qenë njëmendje me atë që propozon Gjergji, “se ka ligje gjithnjë e më të përshtatshme për t’i lejuar fëmijët e prindërve të ndarë të takohen dhe të rriten me dashuri nga të gjithë anëtarët e familjes”.

Të shoqërohen familjet e plagosura

Në përgjigjen dhënë Gjergjit, nga faqet e "Piazza San Pietro", Françesku këshillon që bashkësitë e krishtera "t’i shoqërojnë familjet e plagosura në mënyrë që fëmijët të mos bëhen kurrë pengje të baballarëve a të nënave të tyre". Ndonjëherë jemi “peng të egoizmit të zemrës njerëzore, që na bën të shëmtuar. Egoizmi nuk na bën të bukur” - shtoi Papa  - i cili bën thirrje që të mos i shndërrojmë kurrë fëmijët në pengje “të babait apo të nënës së tyre, por t’i duam dhe t’i mbrojmë” dhe na fton “të kemi kujdes” edhe “në dhuratat që u bëjmë fëmijëve tanë”, sepse “mund të jetë shantazh i vërtetë” për t’i shkëputur “nga dashuria e burrit apo e gruas”. “Kështu dhuratat janë lustër dashurie, janë iluzion, që e ndan të vërtetën nga dashuria” mendon Papa, ndërsa duhet të përpiqemi për respektin dhe butësinë, për drejtësinë e mëshirshme dhe jo për hakmarrjen dhe inatin”. “Rrjetet dhe takimet duhet të përiqen të përhapin shpresën se mund të çlirohemi nga lidhjet e së keqes" përfundon Françesku, për të shëruar veten, për t'u ngritur përsëri dhe për të transformuar " të keqen në të mirë”.

Në numrin e janarit të “Piazza San Pietro”, përveç fjalëve të Papës, bien në sy edhe pamjet e realizuara nga fotografi amerikan Steve McCurry, autor i shkrepjes së famshme “Vajza afgane”, që me fotografitë e luftës ia rikthen bukurinë dhe përshpirtërinë qendrës së krishterimit. Kardinali Pietro Parolin, më pas lëshon “britmë të fuqishme kundër luftës së pjesshme botërore”, ndërsa një kontribut i Susanna Tamaro, i titulluar “Shpresa lind nga feja”, na shtyn të reflektojmë mbi rëndësinë e fesë në kohë të vështira.

22 janar 2025, 14:53