Papa: një grua do të emërohet kryetare e Guvernatoratit të Vatikanit
R.SH. / Vatikan
Një grua, Motra Raffaella Petrini, do të marrë për herë të parë drejtimin e Guvernatorit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit marsin e ardhshëm. Këtë deklaroi Papa Françesku të dielën e kaluar, në një interviste për kanalin italian “Nove”. Gjatë pyetje-përgjigjeve me gazetarin italian Fabio Fazio, Papa Françesku komentoi edhe disa ngjarje aktuale, duke vënë në dukje me trishtim dëbimin masiv të mundshëm të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara; ndërsa shprehu gëzimin për armëpushimin në Gaza, me shpresën për një zgjidhje me dy shtete. Foli edhe për pritjen e emigrantëve, jubileun, hapjen e Portës Shenjte në burg, luftën kundër abuzimit dhe shëndetin e tij.
Papa Françesku pati dhënë një intervistë për të njëjtin emision, në vitin 2022, pastaj një të dytë, më 2024. Mbrëmjen e së dielës, kjo intervistë e re prej rreth një ore, ishte rast për të paraqitur autobiografinë e tij me titull Espère, botuar javën e kaluar njëkohësisht në njëqind vende: vepër delikate, me histori të shumta “të cilat të japin një ide për jetën time” – kujtoi Papa.
Motra Petrini në krye të Guvernatoratit
Pasi u sigurua për gjendjen e krahut, pas rënies dhe mavijosjes të enjten e kaluar, Ati i Shenjtë Bergoglio njoftoi se nga muaji mars, pas daljes në pension të kardinalit Fernando Vergéz Alzaga, Sekretarja aktuale Motra Raffaella Petrini do të jetë presidente e Guvernatoratit të Vatikanit. Një tjetër grua, pra, në krye të administratës së rëndësishme, pas emërimit të motrës Simona Brambilla në postin e prefektit të dikasterit për Jetën e Kushtuar . “Puna e grave në Kurien Romake është diçka që ka ecur ngadalë dhe është kuptuar mirë. “Sot kemi shumë” - komentoi Papa - duke renditur misionet që u janë besuar figurave femërore në Vatikan. “Gratë janë më të mira se ne në organizimin e punës”, përfundoi.
SHBA planifikojnë t’i dëbojnë masivisht emigrantët
Pasardhësi i Pjetrit më pas i përgjigjet një pyetjeje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në dritën e thashethemeve për një plan të mundshëm të dëbimit masiv të emigrantëve, pas fillimit të presidencës Donald Trump. Një mundësi që ai e përshkruan si "të turpshme", që do t’i bënte “të paguajnë faturën për çekuilibrin", të mjerët që nuk kanë asgjë!
Pritja e emigrantëve dhe lindshmëria e ulët
Duke prekur temën e migrimit, Papa Françesku përsëriti "katër foljet" për të përballuar urgjencën: "emigranti duhet të mirëpritet, të shoqërohet, të promovohet dhe të integrohet". Duke prekur temën e dashur për të, rënien e natalitetit, e duke vëzhguar situatën në Itali, ku mosha mesatare është “46 vjeç”, pohoi se kur një shoqëri nuk ka më fëmijë, duhet të mirëpresë emigrantët.
Lindja e Mesme: zgjidhje me dy shtete
Gazetari Fabio Fazio, në vijim, bën një pyetje për luftën në Lindjen e Mesme, me fillimin e armëpushimit në Gaza të dielën dhe lirimin e tre grave të mbajtura peng nga Hamasi. Siç bëri pas lutjes së Engjëllit të Zotit të kësaj së diele të 19 janarit, Papa shprehu mirënjohjen e tij për ndërmjetësuesit, përpara se të ndalej në mundësinë e një zgjidhjeje me dy shtete: "Besoj se kjo është zgjidhja e vetme. Disa e duan, disa jo”. "Paqja", shton Ati i Shenjtë, "është më e lartë se lufta", por duhet "guxim" për ta arritur, sepse "shpesh humbet diçka, por fiton më shumë". Lufta, nga ana tjetër, "është gjithmonë disfatë", këmbënguli Françesku, duke ripohuar vlerën e negociatave dhe duke denoncuar të ardhurat "e mëdha" të prodhuesve të armëve, që çojnë "në shkatërrim".
Mos harroni të burgosurit
Papa foli, më pas, për shpresën, një temë në zemër të Jubileut 2025: është "spiranca" pas së cilës kapemi, theksoi, duke përsëritur fjalët e predikimit të tij në hapjen e Portës Shenjte të burgut romak të Rebibbia. Një gjest i pashoq, që Papa e kërkoi sepse, pohoi, të burgosurit i kam gjithmonë në zemër”. “Mos i harroni të burgosurit”, vijoi, “sepse disa, që janë jashtë, janë edhe më fajtorë se ata”.
Turp dhe dhimbje për Holokaustin
Me afrimin e Ditës së Kujtimit, më 27 janar, Papa kujtoi se ndjen "keqardhjeje dhe turp" për tragjedinë që jetoi drejtpërdrejt gjatë një vizite në Aushvic, në vitin 2016, me tregime, filma dhe dëshminë e "zonjës së madhe" Edith Bruck, poete hungareze 92-vjeçare, e mbijetuar nga Shoah.
"Rënia e parë" në Kapelën Sikstine
Në fund Papa Jorge Marie Bergoglio tregoi disa anekdota të këndshme, si "rrëzimi i parë" në një shkallë të Kapelës Sikstine, menjëherë pas zgjedhjes, për të përshëndetur kardinalin Ivan Dias që qe i ulur në një karrige me rrota: "Papa i pagabueshëm filloi duke dështuar: u pengua!"
Kjo, një pjesë e intervistës së gjatë, që prek problemet më të mpehta të epokës. Në përfundim, në mbyllje të intervistës, një kërkesë me rastin e Vitit Shenjtë: “Mos e lini të kalojë ky rast! Shkoni përpara me guxim. E mos e humbni dëshirën për humor”.