Papa, më 3 shkurt, do të hapë e do të mbyllë Takimin për të Drejtat e Fëmijëve
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku do të hapë dhe do të mbyllë Samitin e parë Ndërkombëtar për të Drejtat e Fëmijëve, i cili do të mbahet në Vatikan të hënën, më 3 shkurt, me temën "T'i duam dhe t'i mbrojmë". Veprimtaria, e themeluar nga vetë Ati i Shenjtë, koordinohet nga Komiteti Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve. Samiti do të hapet nga Papa, që do të pritet nga dhjetë fëmijë, të ardhur nga vende të ndryshme të botës, të cilët do t'i dorëzojnë një mesazh. Ati i Shenjtë do të jetë i pranishëm edhe në seancën e pasdites, për mbylljen e Takimit.
Platformë për të zgjidhur problemet e më të vegjëlve
“Çdo ditë 14 mijë fëmijë vdesin” nga uria, nga lufta, nga shfrytëzimi, deklaron atë Enzo Fortunato, kryetar i Komitetit, në një konferencë për shtyp, që paraqiti sot, 28 janar, këtë Takim të nivelit të lartë në Vatikan. “Samiti – nënvizoi ai – do të kontribuojë në ndërtimin e një platforme për përballimin e çështjeve më urgjente lidhur me të drejtat e më të vegjëlve, duke promovuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërkombëtar për një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për fëmijët në mbarë botën”.
Në funksion të Ditës II Botërore të Fëmijëve - të cilën Papa Françesku e shpalli për në shtator 2026 - "tani, më shumë se kurrë, - nënvizoi atë Fortunato - është themelore të dëgjojmë zërat e fëmijëve: 'jo' urisë, pabarazive, dhunës, luftës dhe shkatërrimit të Tokës Mëmë”.
Miliona fëmijë ende pa të drejta
Samiti, siç njoftoi Ati i Shenjtë më 20 nëntorin e kaluar, "do të jetë një mundësi për të gjetur mënyra të reja ndihme dhe mbrojtjeje për miliona fëmijë ende pa të drejta, që jetojnë në kushte të pasigurta, shfrytëzohen dhe abuzohen, si edhe vuajnë nga pasojat dramatike të luftërave".
"Bota është plot me trishtimin e fëmijëve, të cilëve Papa dëshiron t'u dhurojë një buzëqeshje, një të ardhme", pohoi, gjatë konferencës së sotme për shtyp, Marco Impagliazzo, kryetar i Bashkësisë së Shën Egjidit. "Shumë fëmijë vdesin, për shkak të luftërave dhe të shfrytëzimit. Miliona nuk kanë mundësi për kurim dhe arsimim. Jemi në një krizë morale globale", nënvizoi ai, duke shtuar se samiti do të përpiqet të gjejë përgjigje për këtë. Para gazetarëve foli edhe Angelo Chiorazzo, themeluesi i Kooperativës Auxilium, i cili nënvizoi se fëmijët janë "kujdestarët e vërtetë të së ardhmes". “E kemi për detyrë ta mbrojmë këtë filiz të brishtë”. Duke kujtuar se viti 2024 ishte një nga vitet më të këqija në histori për fëmijët, që jetojnë në vendet në luftë, Chiorazzo vuri në dukje se një nga temat e Takimit do të jetë rishpërndarja e ushqimit. “Është e qartë për të gjithë se ka pabarazi ndërmjet një bote gjithnjë e më të pasur dhe një bote gjithnjë e më të varfër”.
Pjesëmarrje e nivelit të lartë
Në samit do të marrin pjesë shumë njerëz me influencë, si: Mbretëresha Rania Al Abdullah e Jordanisë; Lartmadhëria e saj Sheikja Moza bint Nasser, presidente e Fondacionit të Katarit për Arsimin, Shkencën dhe Zhvillimin e Bashkësisë; Imami i madh i al-Azharit, Ahmed El-Tayeb; fituesi i Çmimit Nobel për Paqe 2014, Kailash Satyarthi; senatorja italiane Liliana Segre; ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi; politikani dhe ambientalisti amerikan, Al Gore; kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach; presidenti i Interpolit, Ahmed Naser Al-Raisi; shkrimtarja hungareze e mbijtuar nga Shoah, Edith Bruck; zv.kryetari i Këshillit të Ministrave dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani; kryeekonomisti i FAO-s, Maximo Torero; presidenti i pestë i Indonezisë, Megawati Sukarnoputri; kryeekonomist i programit World Food, Arif Husain; filozofi dhe psikoanalisti Miguel Benasayag; kreu i Task Force së OKB-së për Borxhet, Paolo Gentiloni.