Kërko

Papa Françesku priti në audiencë 250 ipeshkvij në krye të Komisioneve Ipeshkvnore për Komunikimin dhe drejtorë të Zyrave të Komunikimit të Konferencave Ipeshkvnore Papa Françesku priti në audiencë 250 ipeshkvij në krye të Komisioneve Ipeshkvnore për Komunikimin dhe drejtorë të Zyrave të Komunikimit të Konferencave Ipeshkvnore

Papa, komunikatorëve institucionalë të Kishës: "Komunikimi është akt dashurie"

Françesku priti në audiencë 250 ipeshkvij në krye të Komisioneve Ipeshkvnore për Komunikimin dhe drejtorë të Zyrave të Komunikimit të Konferencave Ipeshkvnore. I ftoi në një punë "simfonike", ku përfshihen "të gjithë", me çdo lloj gjuhe: komunikimi "nuk është përsëritje e frazave a parullave", por "akt dashurie"

R.SH. – Vatikan

"Kullat e reja të Babelit: të gjithë flasin dhe nuk e kuptojnë njëri-tjetrin". Komunikimi duhet të ndërtojë ura dhe të zhdukë ndarjet, pasi ai është "akt dashurie". Kështu u tha Papa Françesku 250 ipeshkvijve në krye të Komisioneve Ipeshkvnore për Komunikimin dhe drejtorëve të Zyrave të Komunikimit të Konferencave Ipeshkvnore, të cilët i priti sot në audiencë në Vatikan, në kuadrin e Jubileut të Botës së Komunikimit. Që sot e deri të mërkurën, ata do të marrin pjesë në Konferencën ndërkombëtare të komunikatorëve institucionalë katolikë.

“Ta pyesim veten: si mund të mbjellim shpresë në mes të dëshpërimit të shumtë, që na prek dhe na sfidon? – bëri Ati i Shenjtë serinë e pyetjeve, me të cilat, si zakonisht, i nxit të pranishmit për veprim. - Si ta kurojmë virusin e ndarjes, që kërcënon edhe bashkësitë tona? A shoqërohet komunikimi ynë me lutje? Apo në fund të fundit, po komunikojmë për Kishën vetëm sipas rregullave të marketingut? Duhet t'ia bëjmë vetes këto pyetje”.

Shumë pyetje, që presin përgjigje

Fjalimi i Papës nisi që në fillim me pyetjet, të cilat, zakonisht, i bën në fund. Por në to përfshiheshin të gjitha argumentet e rëndësishme për një komunikim të mirë në Kishë, komunikim, që u jep njerëzve shpresë, pavarësisht nga vështirësitë e konfliktet, që kalon bota. Fjalë, që i bënë jehonë mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, e cila sapo u kremtua në solemnitetin e Shën Françeskut të Sales, javën e kaluar.

“A po dëshmojmë se historia njerëzore nuk përfundon në rrugë pa krye? – vijoi sot paradite Ati i Shenjtë, në Sallën Klementine. - E si mund të tregojmë një tjetër perspektivë për një të ardhme që nuk është shkruar ende? …A mund t’u përçojmë njerëzve se shpresa nuk është iluzion? Shpresa nuk zhgënjen kurrë; por a dimë si ta komunikojmë këtë? A dimë si të kumtojmë se jeta e të tjerëve mund të bëhet më e bukur, edhe nëpërmjet nesh? A mund t'i shtoj unë bukuri jetës së të tjerëve? Dhe a dimë si të komunikojmë dhe të bindim se falja është e mundur?"

Më i shqetësuar për inteligjencën njerëzore, sesa për inteligjencën artificiale

Komunikimi i krishterë duhet të "tregojë se Mbretëria e Zotit është afër" dhe "të shikojë përtej të zakonshmes, përtej së keqes, përtej paragjykimeve, përtej stereotipeve". Kjo është sfidë e madhe, që mund ta përballojmë vetëm së bashku. Prandaj Françesku këshilloi më tepër lidhje ndërmjet protagonistëve të ndryshëm të komunikimit, në nivel kontinental dhe universal.

“Është fjala për aftësinë e rrjetëzimit, për njohuritë dhe kontributet që të jepni informacionin e duhur dhe kështu, t’i shpëtoni të gjithë nga deti i dëshpërimit dhe i çinformimit”. Teknologjitë e reja nuk duhet të lartohen në “idhull”. “Ju rrëfej diçka: më shumë se inteligjenca artificiale, më intereson inteligjenca njerëzore, atë duhet të zhvillojmë!”

Komunikimi është për të gjithë

Françeskut i pëlqen të theksojë se Kisha është "për të gjithë". E sot, përfshiu në këtë ide edhe sektorin e medias dhe të komunikimit në Kishë, të cilit i la pikërisht këto dy fjalë “rrjet” dhe “të gjithë së bashku”.

“Motra dhe vëllezër, rrjeti ynë është për të gjithë. Për të gjithë! Komunikimi katolik nuk është diçka e veçantë, nuk është vetëm për katolikët. Nuk është një gardh në të cilin mbyllemi, as një sekt…, jo! Komunikimi katolik është hapësira e një dëshmitari, që di të dëgjojë dhe të perceptojë shenjat e Mbretërisë së Zotit… Për ne komunikimi nuk është taktikë, nuk është teknikë. Nuk ka të bëjë me përsëritjen e klisheve apo parrullave, as mund të kufizohet në shkrimin e deklaratave për shtyp. Komunikimi është akt dashurie. Vetëm një akt falas dashurie gërsheton rrjete të së mirës. Por për rrjetet duhet të kujdesemi, ato duhen riparuar çdo ditë. Me durim dhe fe”.

27 janar 2025, 10:58