Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Finale: Andante maestoso
Programe Podcast

Papa: e keqja i ka ditët e numëruara, lufta e vdekja nuk do të fitojnë mbi popujt

Në të Dielën VI të Fjalës së Zotit, me të cilën përfundon edhe Jubileu i Botës së Komunikimit, Françesku thekson se Ungjilli është Fjalë e gjallë dhe e sigurt, që nuk zhgënjen kurrë dhe se Jezusi na çliron nga prangat e shpirtit, duke na hapur "sytë e zemrës", shpesh "të verbuar" nga joshja e pushtetit dhe e kotësisë, që "i bëjnë të padukshëm të ligështit dhe të vuajturit". Gjatë kremtimit, iu dha lektorati 40 laikëve nga vende të ndryshme, 4 nga Shqipëria

R.SH. – Vatikan

I gjithë Shkrimi Shenjt flet për Fjalën e Zotit bërë njeri për shpëtimin e botës, pra, e gjithë Bibla "përmend Krishtin dhe veprën e tij". Më pas, Shpirti Shenjt "e bën atë të pranishëm në jetën dhe në historinë tonë. Papa Françesku e theksoi disa herë këtë në Meshën, që kryesoi paraditen e sotme, 26 janar, në Bazilikën e Vatikanit, pikërisht në të Dielën e Fjalës së Zotit. Ati i Shenjtë e themeloi atë gjashtë vjet më parë, në të dielën e tretë të kohës së zakonshme të vitit liturgjik, e cila, këtë vit, mbyll edhe Jubileun e Botës së Komunikimit. Me këtë rast, ai u dha shërbesën e Lektorit dyzet laikëve të kombësive të ndryshme, katër prej të cilëve nga Shqipëria, duke u dhuruar një kopje të Biblës, për të nënvizuar se, me Fjalën e tij, Zoti na kërkon të jemi dëshmitarë dhe të "ungjillëzojmë në çdo kohë e në të gjitha vendet". Duke iu drejtuar të gjithë besimtarëve, Papa i këshilloi ta lexojnë me vëmendje Fjalën e Hyjit.

“Duhet të jemi më të mësuar me leximin e Shkrimit Shenjt. Më pëlqen t’u këshilloj të gjithëve të kenë një Ungjill të vogël, një Besëlidhje të Re xhepi, që ta mbajnë në çantë, ta mbajnë gjithmonë me vete, për ta marrë gjatë ditës e për ta lexuar. Një pjesë, dy pjesë… e kështu, gjatë ditës, kemi këtë kontakt me Zotin. Mjafton një Ungjill i vogël”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

T’i afrohemi Fjalës së Zotit me mahnitje

Fjala e Zotit është Fjala e gjallë, është Jezu Krishti e duhet t'i afrohemi me mahnitje, ftoi Papa Françesku. E, kështu, t’ia hapim "zemrën dhe mendjen për ta dëgjuar, sepse është Ai që flet, kur lexohet në Kishë Shkrimi Shenjt".

“Kur dëgjojmë Ungjillin, fjalët e Zotit, nuk duhet vetëm t'i dëgjojmë, por t'i kuptojmë, apo jo... Duhet të na arrijnë në zemër dhe të prodhojnë atë që thashë, "mahnitje". Fjala e Hyjit na mahnit gjithmonë, na përtërin gjithmonë, hyn në zemrat tona dhe na përtërin gjithmonë”.

Pesë veprimet e misionit të Jezusit

Në homeli, Papa u përqendrua në kuptimin e "asaj faqeje të Ungjillit sipas Lukës, në të cilën Jezusi, pasi ka lexuar diçka nga Isaia profet, kumton përmbushjen e atyre fjalëve dhe "paraqitet si Mesia", ai që është "i shuguruar përmes vojimit”. Faqe, që përmbledh pesë veprimet tipike të misionit të Krishtit, sqaroi Ati i Shenjtë: "kumtimi i Lajmit të Mirë për të varfrit", "shpallja e lirimit për të burgosurit", "dhënia e shikimit të verbërve", "lirimi i të shtypurve", "shpallja e vitit të hirit të Tënzot”, prandaj, Ungjilli është “fjalë dhembshurie”, “mëshire”, “drite”, “lirie” dhe “gëzimi”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Ungjilli nuk zhgënjen kurrë

Papa i shpjegoi një nga një të pesë veprimet e Jezusit dhe u kërkoi të gjithëve të impenjohen për t'i vënë ato në praktikë. Kur i zbatojmë, Krishti “na kumton se Zoti i afrohet varfërisë sonë, na shëlbon nga e keqja, na i hap sytë, thyen zgjedhën e shtypjes” dhe na jep një jetë të re, duke ecur përkrah nesh.

“Shëlbimi, që na dhuron Ai, nuk është realizuar ende plotësisht; e dimë këtë, e megjithatë, luftërat, padrejtësitë, dhimbja, vdekja nuk do ta kenë fjalën e fundit: Ungjilli është në fakt një fjalë e gjallë dhe e sigurt, që nuk zhgënjen kurrë. Ungjilli nuk zhgënjen kurrë”.

Lajm i mirë për të varfrit, fjalë dhembshurie

Jezusi, "i dërguar për t'u sjellë lajmin e mirë të varfërve", lajmin se Mbretëria e Hyjit është afër, na bën të kuptojmë se "Zoti vjen për të vizituar popullin e tij, duke u kujdesur për të përvuajturit dhe të mjerët", theksoi Françesku. E kështu, Ungjilli, Lajmi i Mirë, “është fjalë dhembshurie – stil i Zotit ky, së bashku me afërsinë dhe mëshirën – që na kërkon të jemi bamirës, t’u falim borxhet të afërmve dhe të impenjohemi me bujari në shoqëri”.

  (Vatican Media)

E ardhmja i përket Zotit

Ndërkaq, duke shpallur lirimin për të burgosurit, Krishti na thotë se "e keqja i ka ditët e numëruara, pasi e ardhmja i përket Zotit", vërejti Papa.

“Me forcën e Shpirtit Shenjt, Jezusi na shëlbon nga çdo faj dhe na e çliron zemrën, duke e liruar nga çdo zinxhir i brendshëm, duke sjellë në botë faljen e Atit. Ky Ungjill është fjalë mëshire, e cila na kërkon të bëhemi dëshmitarë të apasionuar të paqes, solidaritetit dhe pajtimit”.

Pushteti e kotësia e bëjnë të padukshëm të ligështin

Ndërsa "dhënia e shikimit të verbërve" është një vepër më e gjerë e Jezusit, sepse shndrit shpirtin e çdo njeriu, ku banon mëkati. E atëherë, ajo e Krishtit "është fjalë drite", "na nxit drejt së vërtetës – pohoi Ati i Shenjtë - drejt dëshmisë së fesë dhe drejt koherencës në jetë”.

“Mesia na hap sytë e zemrës, shpesh të verbuar nga joshja e pushtetit dhe e kotësisë: sëmundje të shpirtit, të cilat na pengojnë ta kuptojmë praninë e Hyjit dhe i bëjnë të padukshëm të ligështit e të vuajturit”.

  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Vëllezër në emër të Krishtit

Jezu Krishti vjen edhe për të "liruar të shtypurit". Kjo do të thotë, para së gjithash, se Krishti "na bën vëllezër në emrin e tij", shtoi Papa e, për këtë arsye, portat e "burgjeve të persekutimit e të vdekjes hapen nga pushteti plot dashuri i Zotit", fjala e të cilit është "fjalë lirie", sepse "kërkon kthimin e zemrave, ndershmërinë e mendimit dhe këmbënguljen në sprova".

Koha e re, që nuk e konsumon jetën e shpallur nga Jezusi

Së fundi, "viti i hirit të Zotit", që shpall Jezu Krishti, është "kohë e re, e cila nuk e konsumon jetën, por e ripërtërin atë", nënvizoi Papa, duke kujtuar Jubileun e sapofilluar, i cili na përgatit, "me shpresë, për takimin përfundimtar me Shëlbuesin”. Prandaj, ajo e Krishtit "është fjalë gëzimi", "që na bën thirrje për mikpritje, bashkim dhe udhëtim, si shtegtarë, drejt Mbretërisë së Hyjit”.

26 janar 2025, 11:24
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031