Lutje me Papën në Bazilikën e Shën Palit, për unitetin e të krishterëve
R.SH. / Vatikan
Përshëndetje drejtuar Atit të Shenjtë, Papës Françesku, nga Kardinali Kurt Koch, në fillim të “Mbrëmjes në fund të Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve 2025”, në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve të Romës.
Ati i Shenjtë,
Përpara premtimit të bekimit të Zotit, do të doja t'ju drejtoja një përshëndetje të ngrohtë, edhe në emër të shumë të krishterëve të Kishave e Bashkësive të ndryshme kishtare që jetojnë në Romë, si dhe të ftuarve të shumtë, të cilët erdhën këtu, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, që të luten me ju për unitetin e të krishterëve.
Këto, fjalët e para të përshëndetjes drejtuar Papës, i pranishëm në këtë lutje tejet prekëse!
Të gjithë janë mbledhur si "shtegtarë shprese" e - vijon lutja - në emër të të gjithëve, ju falënderoj sinqerisht, Atë i Shenjtë, që edhe sivjet deshët të kryesoni Kremtimin e Lutjes së Mbrëmësores, duke treguar kështu rishtas se sa shumë kujdeseni për angazhimin ekumenik.
"A e beson këtë?" Jezusi ia bën këtë pyetje shumë të rëndësishme Martës në Betani, e cila, e pikëlluar nga vdekja e vëllait të saj të dashur, Lazrit, shpreson shumë se do të shpëtojë përmes Jezusit. Marta i përgjigjet me një besim të thellë: “Po, o Zot, unë besoj se Ti je Krishti, Biri i Perëndisë, ai që vjen në botë” (Gjn 11:27). Jezu Krishti bën të njëjtën pyetje në çdo epokë; e çdo brez i krishterë thirret të japë përgjigjen e tij.
"A e beson këtë?". Motrat dhe vëllezërit e Bashkësisë Bose e zgjodhën këtë pyetje si temë për Javën e Lutjes. Me këtë, dëshirojnë të na hapin zemrat për rastësinë e bukur që do të ndodhë në mes të Vitit Shenjt, të shpallur nga Shenjtëria Juaj, kur do të mund të kremtojmë edhe 1700-vjetorin e Koncilit I Ekumenik në historinë e Kishës. Në Koncilin e Nikesë, në fillim të shekullit IV, ipeshkvijtë i dhanë përgjigje shembullore pyetjes së Zotit: "A e beson ti këtë?". Etërit e Këshillit e shpallën Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, “të njëgjëshëm me Atin”.
Ky rrëfim kristologjik u bë baza e fesë së krishterë, të përbashkët për të gjithë të krishterët dhe të gjitha Kishat. Përvjetori i Koncilit të Nikesë na kujton se ne mund të gjejmë unitet ndërmjet nesh, të krishterëve, si dhe ndërmjet Kishave tona vetëm në fenë tonë të përbashkët, siç e vërejti shprehimisht Shenjtëria Juaj me rastin e vizitës te Patriarku Ekumenik Bartolomeu I në Konstandinopojë, në vitin 2014: “Dua ta siguroj secilin prej jush se, për të arritur qëllimin e dëshiruar të bashkimit të plotë, Kisha Katolike nuk ka ndërmend të bëjë asnjë kërkesë tjetër, përveç asaj të profesionit të besimit të përbashkët".
Prandaj ne mund të shpresojmë se gjithë të krishterët dhe të gjitha Kishat e krishtera do ta kremtojnë përvjetorin e Koncilit në bashkësi ekumenike dhe do të përtërijnë me bindje të thellë rrëfimin e tyre kristologjik. Ju falënderojmë, Atë i Shenjtë, për shoqërimin dhe mbështetjen Tuaj të bashkësisë ekumenike në këtë rrugëtim. Premtojmë se do të lutemi përsëri për ju dhe për shërbesën tuaj Petrine në shërbim të unitetit të Kishës. Me mirënjohje, kërkojmë tani bekimin tuaj apostolik.
Kardinali Kurt Koch