Lindja e Mesme, Papa: të respektohet armëpushimi e të arrihet zgjidhja e drejtë me dy shtete
R.SH. / Vatikan
Pas kaq dhimbjesh, pas lutjeve, pas thirrjeve drejtuar Marisë Virgjër, Mbretëreshës së Paqes, Papa Françesku, gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, shprehu mirënjohjen ndaj atyre të cilët punuan për arritjen e armëpushimit në Gaza, që hyri në fuqi vetëm pak orë më parë.
U shpreh mirënjohjen të gjithë ndërmjetësve. Është punë e mirë ndërmjetësimi që të arrihet paqja. Faleminderit ndërmjetësve. Falënderoj gjithashtu të gjitha palët e përfshira për këtë rezultat të rëndësishëm. Uroj që çka u miratua të respektohet menjëherë nga palët dhe të gjitha pengjet, më në fund, të mund të kthehen në shtëpi dhe të përqafojnë të dashurit. Lutem shumë për ta dhe familjet e tyre.
Ndihmë për ata që vuajnë
Papa shqetësohet edhe për familjet e shumta në Gaza që kalojnë çaste të vështira, që vuajtën nga uria, humbja e njerëzve të dashur dhe kushtet e vështira që pashmangshmërisht i sjell lufta. Shpresoj që e gjithë ndihma humanitare të arrijë tek popullsia e Gazës më shpejt dhe në sasi më të mëdha, pasi është aq urgjentisht e nevojshme.
Dy shtete
“Si izraelitët dhe palestinezët - kujton Papa Françesku - kanë nevojë për shenja të qarta shprese”. Shpresoj që autoritetet politike të të dyjave palëve, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, të arrijnë zgjidhjen e duhur për të dy shtetet. Të gjithë le t'i thonë po dialogut, po pajtimit, po paqes. Të gjithë lutemi për këtë: dialog, pajtim, paqe.
Në Kubë, gjeste të mëdha shprese
Papa kujtoi edhe lirimin e shpallur të një grupi të burgosurish nga burgjet kubane. Dje lirimi i profesorit Petro Albert Sanchez, 70-vjeçar, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore vuante dënimin në arrest shtëpijak dhe i Felix Navarro Rodriguez, i dënuar me 9 vjet burgim. Gjest i madh shprese, që konkretizon një nga synimet e këtij viti jubilar. Uroj që në muajt e ardhshëm të vazhdojë ndërmarrja e nismave të këtij lloji në vende të ndryshme të botës, me shpresen se do të ngjallin besim në rrugën e njerëzve dhe popujve.
Papa: nëse frika dhe shqetësimet e heqin shijen e jetës, Zoti jep shpresë
Në fund, Papa përshëndeti besimtarët e pranishëm, duke kujtuar Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, me nxitjen që të lutemi për "dhuratën e çmuar të bashkimit të plotë të të gjithë dishepujve të Zotit". E të lutemi gjithnjë për Ukrainën e martirizuar, për Palestinën, Izraelin, Mianmarin dhe për të gjithë popujt që vuajnë nga lufta.