Papa: vëllazëria "dhurata e mrekullueshme" e Krishtlindjes
R.SH. - Vatikan
“#Krishtlindja na kujton se Zoti na do dhe dëshiron të jetë me ne. Kjo është arsyeja pse Jezusi lindi: sepse na do. Kjo është dhuratë e mrekullueshme. Dhe sjell me vete një tjetër: që edhe ne ta duam njëri-tjetrin si vëllezër. Sa shumë kemi nevojë për këtë sot!. Një dhuratë e mrekullueshme". Kështu, në kremtimin simbol të shkëmbimit të ndërsjellë të dhuratave dhe dashurisë, Papa Françesku e përkufizon Krishtlindjen e Jezusit në platformën sociale X në faqen @Pontifex, përmes së cilës Françesku arrin miliona besimtarë në nëntë gjuhë.
Në kërkimin e dashurisë "në vështirësitë e kohës sonë"
Festa e 25 dhjetorit nuk ka përfunduar, por vazhdon të na kujtojë “se Zoti na do dhe dëshiron të jetë me ne” dhe na kujton përtëritjen e vazhdueshme që vjen nga mesazhi i Krishtlindjes, të cilin Papa e bëri të vetin edhe në mesazhin e fundit drejtuar Romës e Botës (Urbi et Orbi). Një "mister feje e dashurie që nuk pushon kurrë duke na mahnitur dhe prekur" në shpirt - sikur tha Papa - që ndodhi "më shumë se dy mijë vjet më parë", por u përshtat me ngjarjet aktuale "nëpërmjet veprës së Shpirtit Shenjt, të njëjtit Shpirt dashurie dhe jete" që e fekondoi kraharorin e Marisë dhe nga mishi i saj njerëzor e formoi Jezusin". Vlerat dhe ndjenjat, ato të Krishtlindjes, të cilat “në hallet e kohës sonë” gjejnë terren pjellor, duke i komunikuar mbarë botës Jezusin, “Fjalën e përjetshme të shpëtimit”, që thotë “Unë të dua, unë të fal, kthehu tek unë, dera e zemrës sime është e hapur për ty!".
Sjellja e shpresës "aty ku ka humbur"
Në vazhdën e kësaj dhurate të parë të Krishtlindjes, Papa Françesku vë në dukje një të dytë: "që edhe ne mund ta duam njëri-tjetrin si vëllezër". Një ftesë për vëllazëri e shoqëruar me një vëzhgim atëror të përzemërt - "Sa shumë na duhet sot!" - gjë që pasqyrohet edhe në thirrjen po aq të përzemërt të mesazhit të Krishtlindjes Urbi et Orbi për të "heshtur armët dhe për të kapërcyer ndarjet". Ta bëjmë atë "hap" shtesë, duke hyrë nëpër Derën e Shenjtë "të hapur", në të cilën "nuk është e nevojshme të trokasësh", të cilën pikërisht Natën e Krishtlindjes Papa e kaloi i pari, duke përuruar Vitin Jubilar të Shpresës. Një dhuratë e cila, siç thuhet në predikimin e Meshës së Krishtlindjes, është gjithashtu edhe një angazhim: "për t'u sjellë shpresë" atyre popullsive, atyre vëllezërve dhe motrave "që e kanë humbur".