Kërko

  Papa në fillim të audiencës me delegacionin e Departamentit të Stomatologjisë të Universitetit të Napolit “Federico II” Papa në fillim të audiencës me delegacionin e Departamentit të Stomatologjisë të Universitetit të Napolit “Federico II”  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: mjekësia nuk duhet ta shpërfillë dinjitetin njerëzor për interesat e tregut

Papa priti në audiencë një delegacion të Departamentit të Stomatologjisë nga Universiteti i Napolit Federico II, me rastin e 800-vjetorit. Gjatë takimit të përzemërt kujtoi se "asnjë jetë nuk duhet zhdukur": njeriu duhet të trajtohet "tërësisht, jo vetëm pjesërisht”, me “afërsi, dhembshuri e butësi”. Papa kujtoi infermierët që, pas operacionit në mushkëri, në rininë e tij, "jo vetëm që ia jepnin ilaçet" por edhe "e merrnin për dore".

R. SH. Vatikan

“Nëse e rrezikon dinjitetin njerëzor”, mjekësia “rrezikon t'i jepet hua interesave të tregut dhe ideologjisë”, në vend që të “kujdeset për jetën e sapolindur, jetën e vuajtur, jetën e varfër. Mjeku është mjek për të shëruar sëmundjet: duke mjekuar gjithnjë, e gjithnjë duke shëruar! Asnjë jetë nuk duhet të hidhet poshtë” e njeriu do kujdes “në tërësi, jo vetëm në një pjesë”, por me “afërsi, dhembshuri dhe butësi”. Këtë i kujtoi Papa Françesku  delegacionit të Departamentit të Stomatologjisë të Universitetit të Napolit “Federico II”, 80 persona që i priti sot paradite, 29 nëntor 2024, në Sallën Klementine, në Vatikan, me rastin e tetëqind vjetorit të themelimit të universitetit napolitan, një nga më të vjetrit në botë.

Kujdes: me afërsi, dhembshuri dhe butësi

Papa theksoi rëndësinë e mësimit të Hipokratit dhe Scribonius: "primum non nocere, secundum cavere, tertium sanare: së pari, mos dëmto; së dyti, ki kujdes; së treti, shëro". E edhe sqaroi  se “mos bëj dëm” do të thotë “të mos i shtosh dëme dhe vuajtje, atyre që po i jeton i sëmuri”.

Kij kujdes: ky është veprimi ungjillor par excellence, ai i Samaritanit të Mirë; por duhet bërë me “stilin e Zotit”. Cili është stili i Zotit? Afërsi, dhembshuri dhe butësi.

Pas qepjes së plagës, infermierja më kapi dorën

E këto fjalë, Papa Françesku i lidhi me përvojën e tij personale si i ri i sëmurë, në Argjentinë...

Kujtoj kur, njëzet vjeç, ma hoqën një pjesë të mushkërisë, që ishte e sëmurë. Po, më dhanë ilaçe, por ajo që më dha më shumë forcë ishte dora e infermiereve, të cilat pasi ma qepën plagën, më kapën për dore... Kjo butësi njerëzore të bën shumë mirë! Kujdesu pra!

Teknologjitë e reja në mjekësi, me etikë

Së fundi, "shëro", sepse për Papën shërimi e shtyn mjekun  "t’i ngjajë  Jezusit, i cili ua shëroi njerëzve të gjitha llojet e sëmundjeve dhe të ligështive ". E në vijim citoi Katekizmin e Kishës Katolike: "Qofsh i lum me të mirat që u bëhen të vuajturve". Për të nënvizuar më pas se teknologjia, e cila po zhvillohet me shpejtësi edhe në mjekësi, e kombinuar me "mençurinë klasike", nuk duhet të vazhdojë kurrë pa etikë.

Përndryshe, do të neglizhohej dinjiteti njerëzor, i cili është i njëjtë për të gjithë! Mjekësia rrezikon t'i jepet hua interesave të tregut dhe ideologjisë, në vend që t'i kushtohet të mirës së jetës së sapolindur, jetës së vuajtur, jetës së varfër. Mjeku ekziston për të shëruar nga e keqja: për të shëruar gjithmonë! Asnjë jetë nuk duhet të flaket tutje! Mjekoni gjithmonë! “E po ky nuk do t'ia dalë…”. Shoqërojeni deri në fund

Këto janë parimet e "shkencës gjithnjë në shërbim të njeriut"- sipas Papës Françesku - i cili i falënderoi mjekët napolitanë "për kompetencën dhe qëndrueshmërinë e punës së tyre, e edhe i porositi: pas tetëqind vjetësh, vazhdoni të mësoni!".

 

29 nëntor 2024, 12:28