Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Rondo: Allegretto
Programe Podcast

Françesku: vetëm dashuria e mbush përplot jetën, jo gjërat materiale

Në lutjen e Engjëllit Papa kometoi Ungjillin e sotëm: “Nëse ndokush i dhuron të tjerëve gjithçka, me ndihmën e Zotit, edhe me pak e gjë, të gjithë mund të kenë diçka”. Kjo ndodh në familjet tona ku prindërit lodhen e këputen gjithë jetën për t’i rritur fëmijët: “Gjë e bukur kur fëmijët janë mirënjohës. Mirënjohja i bën solidarë, që nuk grinden për trashëgiminë”. Pasuria më e çmuar nuk janë paratë, është dashuria, që dhuron gjithçka!

R.SH. - Vatikan

Ndërsa qindra njerëz, ardhur nga të katër anët e botës në shtegtim në këto ditë të vala vere, kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit pa pyetur për diellin përvëlues, Papa u duk si zakonisht në dritaren e Engjëllit. Fjalët e para që i drejtoi turmës, ishin ato të përshndetjes së zakonshme. Ishte ende mëngjes, ndaj Papa uroi: “Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!”. E, pas përshëndetjes, nisi katekizmi e së dielës, të shkurtër, por edhe të ngarkuar me mendime, që t’i pushtojnë gjatë mendjen e zemrën.

Jezusi, pas mrekullisë së bukëve

Sot - kujtoi Papa - Ungjilli na flet për Jezusin i cili, pas mrekullisë së bukëve dhe peshqve, i fton turmat që e kërkojnë të reflektojnë mbi atë që ndodhi e ta kuptojnë domethënien e saj (shih Gjoni 6:24-35).

 Turma kishte ngrënë ushqimin e përbashkët dhe kishte parë se si, edhe me pak burime, falë bujarisë dhe guximit të një djali, i cili ua kishte vënë në dispozicion të tjerëve atë që kishte, të gjithë kishin ngrënë sa ishin ngopur (shih Gjoni 6:1-13).

“Shenja ishte e qartë: nëse secili u jep të tjerëve atë që ka, me ndihmën e Zotit, edhe me pak e gjë, të gjithë mund të kenë diçka”.

Turma nuk e kuptoi Jezusin

E qartë ishte, por ata nuk e kuptuan: ata kujtuan se Jezusi ishte një lloj prestigjatori e u kthyen për ta kërkuar, me shpresë se do ta përsëriste mrekullinë si të ishte magji (shih v. 26).

Turma, gjithnjë e uritur, mendon vetëm për bukët e peshqit

Ata ishin protagonistë të një përvoje themelore për udhëtimin e tyre, por nuk e kuptuan domethënien e saj: vëmendja e tyre u përqendrua vetëm te bukët dhe peshqit, te ushqimi material, i cili mbaroi menjëherë, duke i lënë të uritur.

Nuk e kuptuan se ishte vetëm një mjet, përmes të cilit Ati, duke ua shuar urinë, u zbuloi diçka shumë më të rëndësishme: udhën e jetës, që zgjat pambarim dhe shijen e bukës, që të ngop jashtë çdo mase:

“Po buka e vërtetë ishte dhe është Jezusi, Biri i dashur i Zotit i bërë njeri (shih v. 35), i ardhur për të jetuar varfërinë tonë, për të na prirë, përmes saj, në gëzimin e bashkimit të plotë me Hyjin dhe me vëllezërit (shih Gjn 3:16), në këtë dhuratë”.

Çka e ngopë botën?

Papa vijoi t’i shpjegojë turmës së besimtarëve e jo besimtarëve që duronin vapën kulmore të verës, për të ndjekur porositë e Javës, se gjërat materiale nuk e mbushin jetën:

“Vetëm dashuria mund ta bëjë këtë (shih Gjoni 6:35). E, që kjo të ndodhë, duhet ndjekur një rrugë, ajo e bamirësisë, e cila nuk mban asgjë për vete, por ndan gjithçka”.

Ftesë për meditim

Në vijim, Papa i drejtoi turmës, që e ndiqte nga të katër anët e botës, veç asaj që i kishte sytë ngulur nga Sheshi -  tek Dritarja e Engjëllit, pyetjen:

“A nuk ndodh kjo edhe në familjet tona? Le t’i mendojmë ata prindër që luftojnë gjithë jetën për t'i rritur mirë fëmijët e tyre dhe për t'u lënë  diçka për të ardhmen. Sa bukur kur ky mesazh kuptohet dhe fëmijët janë mirënjohës e nga ana tjetër mbështesin njëri-tjetrin si vëllezër!”

Këto fjalë optimste të Papës, u pasuan nga ca të tjera, pesimiste, të kundërta, të trishtueshme:

 “E sa e trishtueshme, ndërkaq, kur ata grinden për trashëgiminë, dhe ndoshta nuk flasin më me njëri-tjetrin për vite me radhë! Mesazhi i babait dhe i nënës, trashëgimia e tyre më e çmuar, nuk është paraja, por dashuria me të cilën ata u japin fëmijëve të tyre gjithçka që kanë, ashtu siç bën Zoti me ne dhe kështu i mësojnë të duan”.

Unë e sendet materiale

Si zakonisht në përfundim, Papa na ftoi ta pyesim veten: çfarë marrëdhënie kam unë me gjërat materiale? A jam skllav i tyre, apo i përdor lirisht, si mjete për të dhënë dhe për të marrë dashuri? A di t'i them "faleminderit" Zotit dhe vëllezërve të mi për dhuratat e marra dhe t'i ndaj me gëzim?

Pyetje, që presin gjegje, për të cilën Papa beson se mund të na ndihmojë Nëna e Krishtit:

Maria, e cila ia dhuroi gjithë jetën Jezusit, na mësoftë ta bëjmë çdo gjë një mjet dashurie.

 E, me këtë shpresë të ëmbël përfundoi edhe Engjëlli i Tënzot i kësaj së dieleje.

04 gusht 2024, 12:28

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031