Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Magnificat, H 77
Programe Podcast

Papa: jeta jonë, si e Marisë, shtegtim drejt bashkimit me Zotin

Sot, në solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, pranë të Birit të saj Jezus, duke kremtuar Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa shpjegoi kuptimin e kësaj ngjarjeje të pashoqe, që na përket të gjithëve! “Virgjëra Shenjte, kujtoi, na paraprin në udhëtim, duke na kujtuar se edhe jeta jonë është shtegtim i vazhdueshëm kah bashkimi përfundimtar me Zotin”.

R.SH. / Vatikan

Papa e nisi katekizmin e festës së kulmit të verës, kushtuar të Ngjiturit të Zojës në Qiell, me shprehjen, që e lexojmë në Ungjillin e kësaj ngjarjeje të pashoqe “U vu për udhë” (Lk 1,39). E kjo “sepse në Ungjillin e liturgjisë së kësaj të kremte kundrojmë Vashën e re të Nazaretit, Virgjërën Mari që, sapo dëgjoi kumtin e Engjëllit të Zotit, u vu për udhë drejt vendit ku banonte e kushërira, Elizabeta. E më pas, drejt atij vendi të amshuar, që e dëshirojmë, një ditë, të gjithë!

Maria, dishepulle e Krishtit, për udhë…

E bukur, kjo shprehje e Ungjillit - nënvizoi në vijim Papa - “U vu për udhë” (Lk 1,39). E kjo do të thotë se Maria  nuk e shikon si privilegj  lajmin që mori nga Engjëlli por, përkundrazi, del shpejt nga shtëpia e vihet për udhë me turrin e njeriut, që dëshiron t’ia kumtojë gëzimin e vet mbarë botës e, sidomos, t’i japë ndihmë kësaj bote të ngarkuar me dëshira e probleme!

Shtegtimi i parë i Marisë, metaforë e gjithë jetës

Këtë shtegtim Papa e quajti “metaforë e gjithë jetës së saj, sepse nga ky çast Maria do të jetë gjithnjë për udhë, në ndjekje të Jezusit, si dishepulle e Mbretërisë së Zotit. E, në fund, shtegtimin e saj tokësor, do ta përfundojë me Ngjìtjen në Qiell ku, së bashku me të Birin, shijon përgjithmonë e jetës gëzimin e pasosur!

Maria nuk është shtatore e palëvizshme allçie

Nëna e Krishtit nuk është shtatore e ngrirë, nuk duhet ta përfytyrojmë kështu! – kujtoi në vijim Papa Françesku në këtë ditë të valë gushti - Në te mund të shikojmë “motrën me sandale të plasaritura.., tejet të lodhur ndër vena” (C. Carretto, E lumja Ti, që besove”, Romë, 1983),  sepse kishte ecur pas Zotit e vëllezërve duke e përfunduar, më pas, udhëtimin e saj në lavdinë e Qiellit:

Në këtë mënyrë, Virgjëra Shenjte është ajo që na paraprin në udhëtim, duke na kujtuar të gjithëve se edhe jeta jonë është shtegtim i vazhdueshëm drejt bashkimit përfundimtar me Zotin”.

Zoti na bëri për gëzimin e Qiellit

Ta ngulisim mirë këtë në zemrat tona: Zoti na krijoi për gëzimin e Qiellit, ëndrra e tij është të na marrë me vete për të jetuar përgjithmonë në jetën e amshuar. Prandaj, jeta jonë nuk është udhëtim pa kuptim, as pa qëllim, por është projekt dashurie, është shtegtim, që na çon ditë pas dite në takimin me Të e në gëzimin e pafund që Ai na e përgatiti.

Pyetje themelore për jetën, në shtegtim

“Të dashur - përfundoi Papa me një varg pyetjesh retorike, siç e ka zakon në përfundim të çdo lutjeje të Engjëllit të Zotit - kjo shpresë duhet të ushqejë gjithë shtegtimin e jetës sonë, veçanërisht kur është tejet i lodhshëm. Dhe është mirë që në këtë ditë feste të pyesim veten:

“…a e kam këtë shpresë, duke e ditur se më shoqëron Zoti dhe se Ai më pret në fund të udhës sime tokësore? A lëviz në jetën time apo jetoj ditë pas dite? A  kujtoj se jam krijuar për qiell, duke kërkuar Zotin dhe duke i dashur vëllezërit e mi, apo mendoj vetëm për veten time dhe rri i mbyllur në ditët e mia tokësore?”.

Pyetje të vështira për jetën tonë, që Ati i Shenjtë na i bën çdo ditë, jo vetëm çdo të dielë, duke na nxitur të meditojmë thellë në të gjitha ditët e javës që vjen, e t’i jetojmë sipas këshillave të Papës Bergoglio:

Ta shikojmë Marinë dhe t'i kërkojmë të ndërmjetësojë për ne, në mënyrë që të mos e harrojmë fatin e lavdisë dhe të shpresës së amshuar, në të cilën na thërret Zoti (shih Ef 1,18)”.

15 gusht 2024, 12:58

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031