Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Allegretto grazioso
Programe Podcast
Amnesty pena di morte Amnesty pena di morte

Papa: dënimi me vdekje nuk sjell drejtësi, është helm për shoqërinë

“Një i krishterë në krahët e vdekjes. Angazhimi im përkrah të dënuarve”: ky, titulli i librit të Dale Racinella-s, botuar nga Libreria Editrice Vaticana, në dalje të martën, më 27 gusht. Parathënia, e Papës Françesku. Racinella, 72 vjeç, avokat i suksesshëm në Wall Street, shoqëroi shpirtërisht, si kapelan laik, të dënuarit me vdekje në disa burgje në Floridas, që nga viti 1998, së bashku me gruan e tij, Susan. Në këtë vëllim rrëfen përvojën, lindur nga takimi i tij me Jezusin

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku

Ungjilli është takimi me një Njeri të gjallë, që e ndryshon jetën: Jezusi është i aftë të revolucionarizojë projektet tona, aspiratat dhe perspektivat tona. Ta njohësh Atë, do të thotë ta mbushësh jetën me kuptim, sepse Zoti na ofron gëzimin që nuk kalon kurrë. E sepse është Ai vetë gëzimi.

Historinë njerëzore të Dale Recinella-s, të cilin e takova në një seancë dëgjimore, e njoha më mirë përmes artikujve, që shkroi ndër vite për L'Osservatore Romano. E tani, përmes këtij libri, që prek zemrën, e konfirmon atë që është thënë: vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet  sesi një burrë, me shumë synime të tjera për t’u arritur në të ardhmen e tij, u bë kapelan, e një i krishterë laik, u bë bashkëshort dhe atë i të dënuarve me vdekje.

Një detyrë shumë e vështirë, e rrezikshme dhe e mundimshme për t'u realizuar, sepse prek të keqen në të gjitha përmasat e saj: të keqen e bërë kundër viktimave, e cila nuk mund të ndreqet; të keqen që përjeton i dënuari, duke e ditur se e pret vdekja e sigurt; të keqen që, me praktikën e dënimit me vdekje, zë një vend që nuk duhet ta ketë në shoqëri. Po, siç e kam përsëritur disa herë, dënimi me vdekje nuk është në asnjë mënyrë rrugëzgjidhja e dhunës, që mund të prekë njerëzit e pafajshëm. Ekzekutimet kapitale nuk bëjnë kurrë drejtësi, ndërsa ushqejnë ndjenjën e hakmarrjes, që kthehet në helm të rrezikshëm për trupin e shoqërive tona civile. Shtetet duhet të shqetësohen e t’u japin të burgosurve mundësinë për ta ndryshuar me të vërtetë jetën e tyre, në vend që të investojnë para dhe burime për t'i shtypur ata, sikur të ishin qenie njerëzore të padenja për të jetuar, që meritojnë asgjësimin. Në romanin e tij Idioti Fjodor Dostojevski e përmbledh kështu, në mënyrë të përsosur, padrejtësinë logjike dhe morale të dënimit me vdekje, duke folur për një person të dënuar me të: “Është dhunim i shpirtit njerëzor, asgjë tjetër! Është thënë: “Mos vra!”, e përkundrazi, me që ai vrau, duhet ta vrasin të tjerët. Jo, është diçka që nuk duhet të ishte”.

Vetë Jubileu i vitit 2025 duhet t’i angazhojë të gjithë besimtarët që të kërkojnë njëzëri heqjen e dënimit me vdekje, praktikë e cila, siç thotë Katekizmi i Kishës Katolike, "është e papranueshme sepse cenon paprekshmërinë dhe dinjitetin e personit!" (n. 2267).

Për më tepër, veprimi i Dale Recinella-s, pa harruar kontributin e rëndësishëm të gruas së tij Susan, siç pasqyrohet në libër, është dhuratë e madhe për Kishën dhe shoqërinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Dale jeton dhe vepron. Angazhimi i tij si kapelan laik, pikërisht në një vend vërtet çnjerëzor, si ai ku njeriu dënohet me vdekje, është dëshmi e gjallë dhe pasionante e shkollës së mëshirës së pafundme të Zotit, siç na mësoi Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës, ​​sipas të cilit nuk duhet të mendojmë kurrë se mund të ekzistojë një mëkat yni, një gabim ose veprimi yni, që na largon përfundimisht nga Zoti. Zemra e tij tashmë është kryqëzuar për ne. E Zoti mundet vetëm të na falë!

Natyrisht, kjo mëshirë e pafundme hyjnore mund edhe të shkandullojë, si shkandulloi shumë njerëz në kohën e Jezusit, kur i Biri i Zotit hante me mëkatarët dhe prostitutat. Vetë vëlla Dale duhet të përballojë kritika, ankesa dhe refuzime për angazhimin e tij shpirtëror, së bashku me të dënuarit. Por a nuk është e vërtetë se Jezusi priti në përqafimin e tij një hajdut të dënuar me vdekje? E pra, Dale Recinella e ka kuptuar vërtet këtë dhe e dëshmon me jetën e tij, sa herë kalon derën e një burgu, veçanërisht atë, që ai e quan "shtëpia e vdekjes", se dashuria e Zotit është pa masë e pa kufi. E edhe se deri mëkatet tona më të ndyra, nuk e shpërfytyrojnë identitetin tonë para syve të Zotit: ne mbetemi bijtë e Tij, të dashur prej Tij, të ruajtur prej Tij, të çmuar prej Tij!

Prandaj do të doja ta falënderoj sinqerisht, tejet i prekur, Dale Recinellan: sepse veprimi i tij si kapelan në dënimin me vdekje është pranim këmbëngulës dhe pasionant i realitetit më intim të Ungjillit të Jezusit, që është mëshira e Zotit, dashuria e tij pa kurrfarë interesi për çdo njeri, edhe për ata që bënë e bëjnë gabime. E se pikërisht nga një shikim dashurie, si ai i Krishtit në kryq, ata mund të gjejnë kuptimin e ri të jetës së tyre e, edhe, të vdekjes së tyre!

18 gusht 2024, 13:04
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031