Kërko

Papa me delegacionin e Institutit "Merrimack College", Massachusetts Papa me delegacionin e Institutit "Merrimack College", Massachusetts

Papa: të edukojmë për të përballuar sfidat dhe për t'u bërë më solidarë

Ndër audiencat e shumta të Atit të Shenjtë, paraditen e kësaj së premteje, një hapësirë kushtuar edukimit të të rinjve, frymëzuar nga parimi i Shën Agustinit "të kultivojmë njohuritë për të arritur urtinë"

R.SH. – Vatikan

Audienca e fundit e Papës Françesku, paraditen e kësaj së premteje, ishte ajo me një delegacion nga Instituti i Arsimit të Lartë “Merrimack College”, Massachusetts, pritur në Sallën Klementine në Vatikan. Që prej gati 80 vjetësh, kjo shkollë i kushtohet formimit të rinisë, duke u frymëzuar nga parimi agustinian i "kultivimit të njohurive për të arritur urtinë, siç e vë në dukje qartë motoja e institutit ‘per scientiam ad sapientiam’”.

Ati i Shenjtë bëri një reflektim të shkurtër mbi misionin e institutit, duke theksuar dy aspekte të lidhura me njëri-tjetrin: edukimin e të rinjve për t'u përballur me sfidat dhe për t'u bërë më solidarë.

Edukimi për t’u bërë ballë sfidave

Papa kujtoi traditën e shkollës, që u themelua nga etërit augustinianë në vitin 1947, për të formuar ushtarët e kthyer nga Lufta II Botërore, të cilëve nuk u mjaftonin vetëm kurset akademike, por kishin nevojë të gjenin kuptimin e jetës, shpresën dhe besimin në të ardhmen. “Ishte e nevojshme – nënvizoi Françesku - t'u ofrohej atyre, nëpërmjet studimit dhe bashkësisë shkollore, rruga drejt rilindjes së gjithanshme. Më pëlqen të them: nga mendja, te zemra, te duart”. E kjo vlen edhe për rininë e sotme.

“Edhe të rinjtë tanë, sot, jetojnë mes shumë ‘çështjeve kritike’: në nivel ekonomiko-financiar, në nivel punësimi, politik, mjedisor dhe vlerash, demografik dhe migrues. Është e rëndësishme që edhe ata, në të tashmen si në të kaluarën, të mësohen t’u bëjnë ballë sfidave së bashku, pa u shtypur prej tyre, por, duke reaguar që çdo krizë, pavarësisht nga vuajtjet, të shndërrohet në një mundësi zhvillimi”.

Të bëhemi më solidarë

Më tej, Papa preku aspektin e dytë: edukimin me qëllim shtimin e solidaritetit ndërmjet njerëzve. Kujtoi Benediktin XVI, që në enciklikën e tij “Spe Salvi” shkruan se "nuk është shkenca ajo që e shëlbon njeriun. Njeriu shëlbohet nga dashuria". Prandaj, Ati i Shenjtë i nxiti pedagogët e Institutit amerikan të Massachusetts t’i mësojnë të rinjtë t’i përjetojnë vështirësitë si mundësi, jo drejt së ardhmes me më shumë para e sukses, por me më shumë dashuri, për një humanizëm solidariteti.

“Është fjala për t'i mësuar ata të identifikojnë dhe t’i drejtojnë fondet në dispozicion, me planifikim plot krijimtari, drejt modeleve të jetës personale dhe shoqërore të karakterizuara nga drejtësia dhe mëshira, të cilat e bëjnë ‘ekzistencën e secilit dhe të të gjithëve të pranueshme dhe dinjitoze’ (Kongr. për Edukimin Katolik, Edukimi i humanizmit solidar, 2017, 6)”.

Papa vuri në dukje se globalizimi aktual ka aspekte negative, si izolimi, mënjanimi dhe kultura e hedhurinave, por ka edhe anë pozitive, si mundësia e përforcimit të solidaritetit dhe e promovimit të barazisë, nëpërmjet mjeteve të panjohura për brezat e mëparshëm. Prandaj, përfundoi Françesku, të rinjtë duhen edukuar që të dinë të zgjedhin si duhet ndër mundësitë e sotme, në mënyrë që edukimi të sjellë solidaritet, pjesëmarrje e bashkim.

10 maj 2024, 12:15