Kërko

Papa pret në Vatikan familjet e pengjeve izraelite

Delegacioni i të afërmve të personave të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor u prit paraditen e sotme nga Françesku, për rreth një orë. Në Itali ata do të takohen me përfaqësues të institucioneve dhe të bashkësive hebraike të vendit

R.SH. – Vatikan

Zgjati më pak se një orë takimi i Papës Françesku me familjet e pengjeve izraelite që janë ende në duart e Hamasit. Ati i Shenjtë i priti paraditen e sotme, 8 prill, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, gjashtë muaj pas sulmit brutal kundër Izraelit, më 7 tetor, i cili shkaktoi mbi 1100 të vdekur. Atë ditë, u rrëmbyen edhe 240 vetë, përfshirë gra, të moshuar dhe fëmijë, ndërmjet të cilëve edhe anëtarët e familjeve Bibas, Berger, Dalal, Miran, Nimrodi.

Familjarët e tyre, të cilët mbanin pankarta me fytyrat e të rrëmbyerve, u pritën sot nga Papa, që është takuar edhe më 22 nëntor 2023 me të afërmit e pengjeve izraelitë dhe me një grup palestinezësh, anëtarët e familjeve të të cilëve ndodhen në Gaza. “Françesku dëshiron të tregojë afërsi shpirtërore me vuajtjet e secilit”, shpjegoi atëherë zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni. Papa ka bërë dhe vijon të bëjë thirrje të panumërta për lirimin e pengjeve, duke kërkuar edhe armëpushimin në Rripin e Gazës dhe arritjen e ndihmave humanitare në vend, si kushte urgjente dhe të nevojshme për zgjidhjen e konfliktit.

Delegacioni

Delegacioni që erdhi në Romë përbëhej nga Bezalel Shnaider, tezja e Shiri Bibas, gruaja e marrë së bashku me dy fëmijët e saj 4 vjeç e 9 muaj, Ariel dhe Kfir (më i vogli nga pengjet, që mbushi një vjeç në robëri); pastaj Gal Dalal, i mbijetuari i Festivalit të Supernovës dhe vëllai i Guy, 22 vjeç, i rrëmbyer gjatë “rave”. E pranishme sot ishte edhe nëna e tij, Merav Gilboa Dalal. Më tej: Naama Miran, motra e Omri Miran, 46 vjeç, e rrëmbyer në kibucin Nir Oz; Lee Yam Berger, motra binjake e Agam, ushtare 19-vjeçare, rrëmbyer në bazën ushtarake Nahal Oz. E pranishme ishte edhe kushërira e saj, Sarah Waxman Bakshi. Së fundi, Alon dhe Amit Nimrodi, babai dhe motra e Tamirit, një ushtar i kapur nga Hamasi në bazën Cogat.

Takime në Itali

Përveç takimit me Papën, në programin e delegacionit në Itali janë edhe takime me përfaqësues të institucioneve dhe të bashkësive hebraike të vendit.

08 prill 2024, 13:59