Kërko

Takimi i Papës me të burgosurat Takimi i Papës me të burgosurat  (Vatican Media)

Papa në Giudecca: shumë vuajtje në burg, kurrë mos e izoloni dinjitetin

Vizita e Papës në Venecia filloi në institutin e grave, ku ndodhet pavijoni i Selisë së Shenjtë për Bienalen. Helikopteri i Papës u ul në oborr. Pasi përshëndeti autoritetet dhe operatorët e objektit, Papa 'përqafoi' të burgosurat: "Keni një vend të veçantë në zemrën time". Denoncimi i mbipopullimit, dhunës, vuajtjes, por edhe mesazhi i shpresës: “Qëndrimi në burg mund të jetë fillim i diçkaje të re”

R. SH. - Vatikan

Xhulia, me flokë të kuq, tre vëthë në hundë, në gojë e në vetull, me vështrimi aq depërtues, sa vargjet që i pëlqen të shkruajë në qeli. Fanta, me origjinë afrikane, me gërsheta të gjata që zbukurojnë një fytyrë gati fëminore, aq sa nuk mund ta mendosh kurrë se është e një nëne 16-vjeçare. Antonella, më e madhja, me flokët mbledhur pas, gjyshe e dy nipërve. Janë tri nga 80 femrat e dënuara përfundimisht, të burgosura të Giudecca-s, të cilat e mirëpritën Françeskun sot, 28 prill, në burgun e grave: ndalesa e parë e vizitës së Papës në Venedik. Ditët e fundit kanë shoqëruar vizitorët mes mureve të shkatërruara dhe korridoreve me tulla të burgut, institucioni i katërt femëror në Itali, i cili që nga 19 prilli i kaluar, me frymëzimin e Papës, u kthye në pavijonin e Selisë së Shenjtë për edicionin e 60-të të Bienales së Artit. Tri "gratë", siç preferojnë ta quajnë veten të burgosurat këtu në Giudecca, udhëhoqën grupet e vogla gjatë soditjes së pikturave të murgeshës pop-artiste Corita Kent, kushtuar të drejtave të njeriut, ndërmjet pllakave të llavës së emaluar, me vizatime dhe pjesë të poezive krijuar nga vetë të burgosurat e nga piktorja siriane, Simone Fattal. Më pas skulpturat prej pëlhure, varur ndërmjet ballkoneve teatrale dhe rrëfyestoreve të kapelës Maddalena - ku Papa u takua me artistët menjëherë pas - krijuar nga artistja vizuale braziliane Sonia Gomes për nder të të gjitha grave (të gjitha, nga prostitutat - te amvisat) e për të kujtuar se secila është unike, e veçantë.

Mirënjohja e të burgosurve për Papën

Sot në mëngjes, pak para orës 8, kur laguna ishte ende e rrethuar nga një qiell gri, që dukej sikur bëhej një me ujin, Giulia, Fanta dhe Antonella së bashku me shoqëruesit e tyre, mirëpritën vizitorin më të rëndësishëm, Papën Françesku, të cilit prej ditësh donin t'i shprehnin mirënjohjen për intuitën e instalimit "në këtë ferr, të maskuar si drejtësi", siç thotë një nga vargjet më të zjarrta të Giulia-s, të Pavionit të Vatikanit, duke i bërë kështu "protagoniste" dhe duke i lejuar të thithin "ajër të ri".

Papa deshi ta fillonte udhëtimin në Venecia ndërmjet këtyre grave, të rënduara nga jeta dhe aksidentet, të cilat brenda mureve të atij, që në shekujt e kaluar ishte kuvendi i të penduarave, mësuan të hekurosnin, të qepnin, të kultivonin një kopsht perimesh dhe të prodhonin ushqime  

Jo vizitë zyrtare, por "takim"

Për Papën nuk është "vizitë zyrtare" kjo në Giudecca, por "takim" në të cilin "i dhurojmë njëri-tjetrit kohë, lutje, afërsi dhe dashuri vëllazërore":

“Sot të gjithë do të largohemi më të pasur nga ky oborr - ndoshta ai që do të dalë më i pasur do të jem unë - dhe e mira që do të shkëmbejmë do të jetë e çmuar”.

Këtë theksoi Françesku në urimin e tij - ndërprerë vazhdimisht nga duartrokitjet e grave dhe "falënderimet" e tyre - shqiptuar në kopshtin brenda burgut, një zonë e gjelbëruar me stola, lëkundëse dhe lojëra të tjera për fëmijë. Në vend të kësaj, helikopteri i Papës  zbriti në oborrin ku bie në sy vepra e Claire Fontaine, shkrimi "Ne jemi me ju në natë", i cili në mbrëmje ndriçon këtë hapësirë ​​të zhveshur, ku gratë mund të dalin për një orë e gjysmë në mëngjes dhe dy orë pasdite (“Na nxjerr nga errësira”, shpjegojnë). Dritare të barrikaduara me linja rrobash, këpucë dhe veshje të varura, një pus i zbukuruar për këtë rast dhe një pemë me dy vezë, nga e cila do të lindin dy pulëbardha ("Edhe nëna, artiste", bën shaka Antonella), ishte skenari që e mirëpriti ipeshkvin e Romës. Në këtë hapësirë ​​gjigante, Papa Françesku u prit nga patriarku i Venedikut, Francesco Moraglia, nga ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, nga presidenti i Venetos, Luca Zaia dhe nga autoritetet e vuajtjes së dënimit. Po Papa iu drejtua menjëherë të burgosurave, 42 italiane, 36 të huaja të 14 kombësive të ndryshme. U solli një mesazh: "Ju keni vend të veçantë në zemrën time". E më pas, fjalët plot me optimizëm:  

“Burgu mund të bëhet vend i rilindjes morale dhe materiale, në të cilin dinjiteti i grave dhe i burrave nuk ‘izolohet', por promovohet nëpërmjet respektit të anasjellë dhe kujdesit për talentet e aftësitë, ndoshta të lëna pas a të burgosura nga telashet e jetës, por që mund të riduken për të mirën e të gjithëve, ndaj meritojnë vëmendje e besim”.

Delikatesa e fjalëve të Françeskut bie ndesh me "realitetin e ashpër" të përjetuar në Giudecca, si në shumë burgje në Itali: mbipopullim, mungesë strukturash dhe burimesh, episode dhune. Kaq shumë elementë, kaq shumë faktorë, "kaq shumë vuajtje". Megjithatë, ngushëllon Papa, "është Zoti ai që do të jemi bashkë në këtë çast, ardhur nëpër rrugë të ndryshme, disa shumë të dhimbshme, edhe për shkak të gabimeve nga të cilat, në mënyra të ndryshme, çdo njeri mbart plagë e dregëza". Zoti do që ne të jemi bashkë, mbasi e di se secili prej nesh, këtu, sot, ka diçka unike për të dhënë dhe për të marrë dhe se ne të gjithë kemi nevojë për të.

Rizbulimi i bukurisë

Të burgosurit dëgjojnë të prekur atë, që vetë Papa e quan paradoks: "Jeta në burg mund të shënojë fillimin e diçkaje të re, nëpërmjet rizbulimit të bukurive të padyshimta tek ne dhe tek të tjerët". Veprimtaria artistike e Bienales që pret Giudecca, në projektin e së cilës të burgosurit kontribuan "aktivisht" është dëshmi e kësaj. Më pas burgu mund të bëhet "vend rindërtimi"- këmbëngul Papa - në të cilin "dikush mund të shikojë dhe të vlerësojë me guxim jetën e dikujt, të heqë atë që nuk është e nevojshme, atë që është e rëndë, e dëmshme ose e rrezikshme dhe të zhvillojë një projekt":

“E pastaj filloni përsëri duke gërmuar themele dhe duke u kthyer, në dritën e përvojave të fituara, për të hedhur tullë më tullë, së bashku, me vendosmëri”.

 Mundësi të reja

Për këtë arsye - vijoi Françesku - është themelore që "sistemi i burgjeve t'u ofrojë të burgosurve edhe mjete e hapësira për rritjen njerëzore, shpirtërore, kulturore dhe profesionale, duke krijuar kushtet për riintegrimin e tyre të shëndetshëm".

“Jo për t’u ‘izoluar dinjitetin’, por për t’u dhënë mundësi të reja!”.

 "Të falurit, që sjellin falje"

Në të njëjtën mënyrë, duke parë gratë atje para syve të tij, Jorge Mario Bergoglio përsërit fjalët që i ka drejtuar gjithmonë në katërmbëdhjetë vizitat e tij gjatë këtyre njëmbëdhjetë vjetëve, për ata që jetojnë në kushte kufizimi, në Itali, jashtë vendit apo në Meshën e Darkës së Mbrame të së Enjtes së Madhe: domethënë të gjithëve që janë mëkatarë, por në të njëjtën kohë, të gjithë të falur nga Zoti:

“Mos të harrojmë se të gjithë kemi gabime për t'u falur dhe plagë për të shëruar dhe se të gjithë mund të shërohemi, që të sjellim shërim; të falemi, që të sjellim falje, të rilindim që të sjellim rilindje".

Fjalët për të nisur ditën

Françesku përshëndetet me burgun. Jashtë e pret një varkë patrullimi e cila do ta çojë në Bazilikën e Shën Marisë së Shëndetit për takimin me 1600 të rinj nga zona e Triveneto. Së pari, megjithatë, i lë grave të Giudecca-s  një këshillë praktike, disa fraza me të cilat mund të nisin çdo ditë:

"Sot është koha e duhur", "sot është dita e duhur", "sot filloj", përgjithmonë, për gjithë jetën!”.

Dhurata

Mes batutave ("Tani po më dëbojnë edhe jashtë"), duartrokitjeve dhe falënderimeve të vazhdueshme, Papa i dorëzoi institucionit të vuajtjes një ikonë të Zojës:

  "Është butësia e nënës dhe këtë butësi Maria e ka për ne të gjithë ".

28 prill 2024, 10:25