Kërko

Vikariati i Romës Vikariati i Romës

Papa, ipeshkvijve të dioqezës së Romës: koha për të zgjedhur si duhet vikarin e ri

Françesku priti më 8 prill në audiencë Këshillin Ipeshkvnor të dioqezës së Romës. Të shtunën, vikari i deritanishëm, kardinali De Donatis, u emërua në krye të Pendestarisë Apostolike. Për sa kohë që posti i tij, mbajtur nga viti 2017, është vakant, të gjitha funksionet dhe kompetencat, përfshirë përfaqësimin ligjor, do të ushtrohen nga zëvendësi Reina

R.SH. – Vatikan

Pak ditë pas emërimit të kardinalit Angelo De Donatis në krye të Pendestarisë Apostolike, të shtunën e kaluar, më 6 prill, Papa Françesku u takua paraditen e djeshme me Këshillin Ipeshkvnor të dioqezës së Romës, në Pallatin Apostolik të Vatikanit. Siç njofton Vikariati në faqen e tij të internetit, "për shkak të natyrës delikate të rolit të kardinalit vikar, Papa Françesku u komunikoi ipeshkvijve, bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, se do të marrë kohë për ta shoshitur mirë figurën e kujtdo, që do ta kryejë në të ardhmen këtë detyrë”, e cila është mbajtur nga kardinali De Donatis që nga viti 2017.

Funksionet dhe kompetencat do të ushtrohen nga zëvendësi

Tani, fillon një "fazë tranzicioni", në të cilën Papa "i inkurajoi ipeshkvijtë të vijojnë shërbesën baritore dhe veprimtaritë administrative të filluara më parë". Siç parashikohet në nenin 14, paragrafi 3 i Kushtetutës Apostolike “In Ecclesiarum Communione” rreth organizimit të vikariatit të Romës, botuar më 6 janar 2023, "për sa kohë që posti i kardinalit vikar është vakant, të gjitha funksionet dhe kompetencat e tij, përfshirë përfaqësimin ligjor, do të ushtrohen nga zëvendësi Baldassare Reina”.

09 prill 2024, 11:45