Kërko

ISRAEL-PALESTINIAN-CONFLICT ISRAEL-PALESTINIAN-CONFLICT

Papa: dhimbje për vullnetarët e vrarë në Gaza. Shumë djem ranë në çmendurinë e luftës

Në audiencën e përgjithshme, Françesku kujtoi shtatë punonjësit e ndihmës të OJQ-së World Central Kitchen, që humbën jetën nën goditjet e një droni izraelit, pastaj bëri thirrje për armëpushim në Rrip: “Ta shmangim çdo përpjekje të papërgjegjshme për ta zgjeruar konfliktin në rajon". Më pas tregoi një Rruzare dhe një Testament të Ri që i përkisnin Oleksandrit, ushtarit ukrainas, vdekur në moshën 23 vjeçare: "Të heshtim ca çaste, duke menduar për të dhe për shumë të rinj të tjerë. Lufta dërmon"

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku merr frymë thellë dy herë, ndërsa me sy gjysmë të mbyllur shikon turmën prej 25 mijë besimtarësh mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme. Para se të flasë shtrëngon buzët, si për të frenuar emocionet, e më pas, duke shikuar letrën e dorëzuar pak më parë nga bashkëpunëtori, shfren me zërin që i dridhet: “Fatkeqësisht, nga Lindja e Mesme vazhdojnë të vijnë lajme të trishta... ". “E përsëris edhe një herë kërkesën time të prerë për armëpushim të menjëhershëm në Rrip!”.

Keqardhje për vullnetarët e vrarë të Kuzhinës Qendrore Botërore

Një thirrje e re, e njëjta që nga shpërthimi i konfliktit pas 7 tetorit, nga Papa, për Gazën e shkatërruar nga bombardimet, ku tani për tani numërohen 32.900 të vdekur, sipas të dhënave të botuara nga Ministria e Shëndetësisë, përgatitur nga Hamasi. Këtyre iu shtuan edhe shtatë vullnetarët e OJQ-së World Central Kitchen, të vrarë dy ditë më parë teksa shpërndanin ushqime për popullatën civile. Një dron qëlloi tri herë në drejtim të kolonës, me të cilën po udhëtonin.

Shtatë bashkëpunëtorët, dy palestinezë me shtetësi të dyfishtë (Shtetet e Bashkuara dhe Kanada) dhe pesë shtetas të Australisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë, kishin marrë të gjitha masat paraprake për të mos u qëlluar: ata po lëviznin në një rrugë, për të cilën ishte rënë dakord paraprakisht me IDF, por të gjithë i rrëmbeuvdekja brenda pak minutash. Episodi shkaktoi zemërim ndërkombëtar. Kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti "rast tragjik në të cilin forcat tona të armatosura synojnë pa dashje njerëz të pafajshëm. Kjo ndodh në kohë lufte". Për Papën, dhimbja për këto viktima të reja është tejet e fortë: “Shpreh keqardhje të thellë për vullnetarët e vrarë gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore në Gaza. Lutem për ta dhe familjet e tyre…”.

Hyrja e ndihmave dhe lirimi i pengjeve

Papa Françesku, më pas, përsëriti kërkesën që popullatës civile "të rraskapitur dhe të vuajtur" të Gazës t'i lejohet hyrja e ndihmave humanitare; në të njëjtën kohë, siç ka bërë prej muajsh, kërkoi që pengjet izraelite,  rrëmbyer në sulmin brutal të 7 tetorit dhe ende në duart e Hamasit "të lirohen menjëherë". Papa u lut që të shmanget "çdo përpjekje e papërgjegjshme për të zgjeruar konfliktin në rajon" dhe të punohet "në mënyrë që kjo dhe luftërat e tjera të cilat vazhdojnë të kallin vdekje dhe vuajtje në shumë pjesë të botës, të marrin fund sa më shpejt të jetë e mundur".

Rruzarja dhe Besëlidhja e Re të Oleksandr, ukrainas që vdiq në moshën 23 vjeçare

Duke e zgjeruar shikimin drejt botës, nga Toka e Shenjte mendimi Papës shkon tek "Ukraina e martirizuar", ku ka "shumë vdekje". Papa kthehet mënjanë  e merr një libër të vogël dhe një çantë të zezë. "Kam në duar një Rruzare dhe një libër të Besëlidhjes së Re të lënë nga një ushtar që vdiq në luftë" - shpjegon Papa -  “Ky djalë quhej Oleksandr, Alessandro, e ishte 23 vjeç”. Motra Lucía Caram, murgeshë domenikane me origjinë argjentinase, banuese në Barcelonë, por që nga fillimi i konfliktit e përfshirë në ndihmat për Ukrainën, ia dhuroi Papës më 13 marsin e kaluar, ditë kur festonte përvjetorin e njëmbëdhjetë të papnisë. Murgesha, e pritur në studion e Sallës Pali VI para audiencës së përgjithshme, i dhuroi Françeskut rruzaren dhe Biblën e këtij të riu me origjinë nga Bakhmuti, i cili vdiq në Avdika. Aleksandri - kujtoi sot Françesku, i prekur sërish - lexonte Besëlidhjen e Re dhe Psalmet e, në librin e Psalmeve, kishte nënvizuar Psalmin 129: “Prej humnerës ngrej zërin tek ti, o Zot,  o Zot, dëgjoje britmën time!”.

 Ky i ri "la një jetë përpara", shtoi Ati i Shenjtë Françesku, "Rruzaren dhe Besëlidhjen e tij të Re, të cilën e lexoi dhe u lut, pak para se të nisej për një jetë më të mirë":

Dëshiroj që të gjithë të heshtim në këtë çast, duke menduar për këtë djalë dhe shumë të tjerë si ai, që vdiqën në këtë çmenduri lufte. Lufta gjithmonë shkatërron, e ne mendojmë për ta dhe lutemi”.

Ta lusim Zotin për një paqe të drejtë

Papa mbyll sytë dhe për pak çaste në shesh dëgjohet vetëm fishkëllima e erës. Të gjithë bashkojnë zërat me lutjen e Ipeshkvit të Romës drejtuar Zotit. Jorge Mario Bergoglio kërkon lutje edhe në përshëndetjen drejtuar shtegtarëve polakë kur, duke kujtuar të Dielën e Mëshirës Hyjnore, përvjetor i themeluar nga Gjon Pali II, që do të kremtohet këto ditë dhe mesazhin e transmetuar nga Shën Faustina Kowalska, thekson:

"Të mos dyshojmë kurrë në dashurinë e Zotit, por t'ia besojmë vazhdimisht jetën tonë dhe botën, duke i kërkuar veçanërisht paqe të drejtë për kombet e martirizuar nga lufta”.

03 prill 2024, 13:16