Kërko

Urbi et Orbi, Papa: paqja nuk ndërtohet me armë, por duke shtrirë duart dhe duke hapur zemrat

Papa kujton se si Krishti Ngjallur është i vetmi që mund ta rrokullisë gurin e luftës dhe të krizave humanitare nga rruga e njerëzve dhe të hapë rrugën e jetës. Françesku lutet për viktimat e fëmijëve në Izrael, Palestinë dhe Ukrainë, duke kërkuar shkëmbimin e pengjeve dhe një armëpushim në Rripin e Gazës. Një kujtim edhe për Sirinë, Libanin, Haitin, çopullin Rohingya dhe vendet afrikane në vështirësi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku kujton se si Krishti Ngjallur është i vetmi që mund ta rrokullisë gurin e luftës dhe të krizave humanitare nga rruga e njerëzve dhe të hapë rrugën e jetës. Papa Françesku lutet për viktimat e fëmijëve në Izrael, Palestinë dhe Ukrainë, duke kërkuar shkëmbimin e pengjeve dhe një armëpushim në Rripin e Gazës. Një kujtim edhe për Sirinë, Libanin, Haitin, popullin Rohingya, vendet afrikane në vështirësi dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor . Papa nënvizoi: “mos të lejojmë që dhuratat e jetës të përbuzet nga njeriu. Jezu Krishti u ringjall dhe vetëm Ai është i aftë t’i rrokullisë gurët që mbyllin rrugën drejt jetës. Ai vetë, i Gjalli, është Rruga: Rruga e jetës, e paqes, e pajtimit, e vëllazërisë".

Mesazhi Papës Urbi et Orbi për Pashkën 2024 

Të dashur vëllezër dhe motra, Gëzuar Pashkët!

Sot, në mbarë botën, kumbon lajmi i nisur nga Jeruzalemi dy mijë vjet më parë: “Jezusi i Nazaretit, i kryqëzuari, u ringjall!” (Mk 16:6)

Kisha rijeton mahnitjen e grave që shkuan te varri në agim të ditës së parë të javës. Varri i Jezusit qe mbyllur me një gur të madh. Edhe sot, gurët e rëndë, tepër të rëndë i frenojnë shpresat e njerëzimit: guri i luftës, guri i krizave humanitare, guri i shkeljeve të të drejtave të njeriut, guri i trafikimit të qenieve njerëzore, e të tjerë akoma. Edhe ne, si gratë dishepulle të Jezusit,  e pyesim njëri-tjetrin: “Kush do t'i rrokullisë këta gurë? (krh. Mk 16:3)

Dhe ja se zbardh mëngjesi i Pashkëve: guri, ky gur i madh, tashmë është rrokullisur. Habia e grave është edhe e jona: varri i Jezusit është i hapur dhe është bosh! Këtu nis gjithçka. Përmes këtij varri bosh kalon një rrugë e re, rruga që askush përveç Zotit nuk mund ta hapte: rruga e jetës në mes të vdekjes, rruga e paqes në mes të luftës, rruga e pajtimit në mes të urrejtjes, rruga e vëllazërisë, në mes të armiqësisë.

Vëllezër e motra, Jezu Krishti u ringjall dhe vetëm Ai është i aftë t’i rrokullisë gurët që mbyllin rrugën drejt jetës. Ai vetë, i Gjalli, është Rruga: Rruga e jetës, e paqes, e pajtimit, e vëllazërisë. Ai na hap kalimin e pamundur për njeriun, sepse vetëm Ai shlyen mëkatin e botës dhe na i fal mëkatet tona. E pa faljen e Zotit, ky gur nuk mund të rrokulliset. Pa faljen e mëkateve, nuk mund të shpëtojmë nga mbylljet, nga paragjykimet, nga dyshimet e anasjellta, nga supozimet që gjithmonë shfajësojnë veten dhe akuzojnë të tjerët. Vetëm Krishti i ringjallur, duke na i falur mëkatet, hap rrugën drejt një bote të përtërirë.

Vetëm Ai na hap dyert e jetës, këto dyer të cilat ne i mbyllim vazhdimisht me luftërat që përhapen në mbarë botën. Sot e drejtojmë vështrimin tonë para së gjithash nga Qyteti i Shenjtë i Jeruzalemit, dëshmitar i misterit të mundimeve, vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit dhe nga të gjitha  bashkësitë e krishtera të Tokës së Shenjtë.

Mendimet e mia shkojnë së pari tek viktimat e konflikteve të shumta që po ndodhin në botë, duke filluar me atë të Izraelit e të Palestinës, e edhe atë të Ukrainës. Krishti i Ngjallur haptë një rrugë paqeje për popullsinë e shkatërruar të këtyre rajoneve. Ndërsa bëj thirrje për respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, kërkoj shkëmbimin e përgjithshëm të të gjithë të burgosurve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës: të gjithë për të gjithë!

Për më tepër, bëj edhe një herë thirrje që të garantohet hyrja e ndihmave humanitare në Gaza, duke kërkuar përsëri lirimin e shpejtë të pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor, si dhe armëpushimin e menjëhershëm në Rripin e Gazës.

Të mos lejojmë që armiqësitë në vijim, të vazhdojnë të prekin seriozisht popullatën civile, tani e rraskapitur, e veçanërisht fëmijët. Sa vuajtje shohim në sytë e tyre. Sy që na shikojnë e na pyesin: pse? Pse kaq shumë vdekje? Pse kaq shumë shkatërrim? Lufta është gjithmonë absurditet dhe disfatë! Të mos lejojmë, prandaj, që erërat e luftës të fryjnë gjithnjë e më të forta nëpër Evropë dhe Mesdhe. Të mos dorëzohemi para logjikës së armëve dhe riarmatimit. Paqja nuk ndërtohet kurrë me armë, por duke shtrirë duart dhe duke hapur zemrat.

Të mos harrojmë Sirinë, e cila vuajti për katërmbëdhjetë vjet nga pasojat e një lufte të gjatë dhe shkatërrimtare. Kaq shumë vdekje, kaq shumë njerëz të zhdukur, kaq shumë varfëri dhe shkatërrim presin përgjigje nga të gjithë, duke përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Sot, shikimi im përqendrohet veçanërisht në Liban, i cili prej kohësh po jeton një bllokim institucional dhe një krizë të thellë ekonomike e sociale, sot të rënduar nga armiqësitë në kufirin me Izraelin. I Ngjalluri e ngushëlloftë popullin e dashur libanez dhe mbështetët të gjithë vendin në thirrjen e tij për të qenë vend takimi, bashkëjetese dhe pluralizmi.

I drejtoj një mendim të veçantë rajonit të Ballkanit Perëndimor ku po ndërmerren hapa të rëndësishme drejt integrimit në projektin evropian: e uroj që dallimet etnike, kulturore dhe konfesionale të mos jenë shkak përçarjeje, por të bëhen burim pasurie për të gjithë Evropën dhe të gjithë botën.

Inkurajoj gjithashtu diskutimet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, në mënyrë që, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, të mund të vazhdojnë dialogun, të sigurojnë njerëzit e zhvendosur, të respektojnë vendet e adhurimit të besimeve të ndryshme fetare dhe të arrijnë sa më shpejt të jetë e mundur në një marrëveshje përfundimtare paqeje. 

Krishti i ringjallur haptë një rrugë shprese për njerëzit që, në pjesë të tjera të botës, vuajnë nga dhuna, konflikti, pasiguria ushqimore, si dhe efektet e ndryshimeve klimatike. I ngushëlloftë viktimat e të gjitha formave të terrorizmit. Të lutemi për të gjithë ata që humbën jetën dhe të kërkojmë pendesë për autorët e krimeve të tilla.

I Ngjalluri e ndihmoftë popullin haitian, që dhuna e cila po e copëton dhe po e gjakos vendin të pushojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që të mund të përparojë në rrugën drejt demokracisë dhe vëllazërisë.

I ngushëlloftë Rohingya-t, të prekur nga një krizë serioze humanitare, dhe i haptë rrugën e pajtimit Mianmarit, të copëtuar prej vitesh nga konfliktet e brendshme, në mënyrë që çdo logjikë e dhunës të braktiset përfundimisht.

Ai i Lumi i haptë shtigjet e paqes në kontinentin afrikan, veçanërisht për popullatat e vuajtura në Sudan dhe në të gjithë rajonin e Sahelit, në Bririn e Afrikës, në rajonin Kivu në Republikën Demokratike të Kongos dhe në provincën nga Kepi Delgado, në Mozambik, e i dhëntë fund situatës së thatësirës së zgjatur e cila prek rajone të gjëra dhe shkakton mungesë e zi buke.

I Ngjalluri premtoftë që të ndriçojë drita e tij mbi migrantët dhe ata që kalojnë periudha vështirësish ekonomike, duke u dhënë ngushëllim dhe shpresë në kohë nevoje. Krishti i udhëzoftë të gjithë njerëzit vullnetmirë që të bashkohen në solidaritet për të përballuar së bashku sfidat e shumta me të cilat ndeshen familjet më të varfra, në kërkim të një jete më të lumtur e më të mirë.

Në këtë ditë kur ne kremtojmë jetën që na u dhurua me ringjalljen e Birit, le të kujtojmë dashurinë e pafund të Hyjit për secilin prej nesh:  dashuri që kapërcen të gjitha kufizimet dhe të gjitha ligështitë. Por, sa shpesh përçmohet dhurata e çmuar e jetës. Sa fëmijë nuk munden as ta shohin dritën? Sa vdesin nga uria, sa nuk kanë as kujdesin kryesor apo janë viktima të shpërdorimit e të dhunës? Sa jetë po  shndërrohen në mallra  tregtie në rritje të njerëzve? Në këtë ditë kur Krishti na ka çliruar nga skllavëria e vdekjes, u bëj thirrje atyre që kanë përgjegjësi politike të mos kursejnë asnjë përpjekje për të luftuar plagën e trafikimit të qenieve njerëzore, duke punuar pa u lodhur për të çmontuar rrjetet e shfrytëzimit dhe për t'u kthyer lirinë atyre që janë viktimat e tyre. Zoti i ngushëlloftë familjet e tyre, veçanërisht ata që presin me ankth lajmet për të dashurit, duke u dhënë ngushëllim dhe shpresë.

Drita e ringjalljes i ndriçoftë mendjet dhe na i ktheftë zemrat, duke na bërë të vetëdijshëm për vlerën e gjithë jetës njerëzore, që duhet mirëpritur, duhet mbrojtur dhe dashuruar.

Gëzuar Pashkët të gjithëve!

31 mars 2024, 14:13

Ç’është lutja e Mbretëreshës Qiellore?

Lutja fillestare e Mbretëreshës Qiellore, ose thjesht “Mbretëresha Qiellore”, është një nga katër lutjet mariane (të tjerat janë Alma Redemptoris Mater, Ave Regina Coelorum dhe Salve Regina).

Ishte Papa Benedikti XIV ai që, në vitin 1742, porositi të thuhej, në vend të Engjëllit të Tënzot, duke qëndruar në këmbë, si shenjë e fitores mbi vdekjen , gjatë Kohës së Pashkëve, domethënë, që nga e Diela e Pashkëve, deri tek Dita e Rrëshajëve.

Thuhet, ashtu si Engjëlli, tri herë në ditë: në  agim, në mesditë e në muzg, për t’ia kushtuar ditën Zotit e Marisë.

Kjo lutje e lashtë, sipas një tradite të përshpirtshme, duhet ta ketë fillesën  aty nga shekulli VI ose shekulli X, ndërsa përhapja e saj dokumentohet që nga gjysma e parë e shekullit XIII, kur u përfshi në Shkurtoren françeskane. Përbëhet nga katër fraza të shkurtëra, që përfundojnë me Aleluja e është lutja, që besimtarët ia drejtojnë Marisë, Mbretëreshë e Qiellit, për t’u gëzuar bashkë me të për ngjalljen e Krishtit.

Papa Françesku, më 6 prill 2015, pikërisht gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në ditën pas Pashkëve, foli për gjendjen shpirtërore, me të cilën duhet thënë kjo lutje:

“… i drejtohemi Marisë duke e ftuar të gëzojë, sepse Ai, që e mbajti në kraharor, u ngjall, siç pati premtuar, e ia besojmë veten ndërmjetësimit të saj. Në të vërtetë gëzimi ynë është pasqyrim i gëzimit të Marisë, sepse është ajo, që i ruajti e i ruan në zemër ngjarjet e jetës së Jezusit. Ta themi, prandaj, këtë lutje  me mallëngjimin e bijve, që janë të lum, sepse e Lume është edhe Nëna e tyre.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >