Kërko

Udha e Kryqit 2024, Papa: O Krisht, ruaje Kishën dhe botën në paqe

Papa: O Zot Jezus, sytë tanë ngulen mbi kryqin tënd e sakaq e kuptojmë se ti dhurove gjithçka për ne. Po ta kushtojmë këtë kohë, Ty, o Zot! Po e kalojmë pranë teje, që u lute nga Gjetsemani - deri në Kalvar!

R.SH. / Vatikan

Ati i Shenjtë Françesku ka shkruar për herë të parë tekstet e meditimeve dhe të lutjeve të Udhë së Kryqit, të Premtes së Madhe, në Koloseum, të cilat më pas i ndoqi nga Shtëpia e Shën Martës, në Vatikan . "Jetojmë në një kohë të pamëshirshme dhe kemi nevojë për dhembshuri", shkruan Papa për "shumë të kryqëzuar" të botës dhe të historisë. “Si reagoj unë ndaj çmendurisë së luftës?”.

Në vijim tekstet e Udhë së Kryqit 2024 përgatitur nga Papa Françesku:

Bisedë me Jezusin në prag të kryqëzimit

O Zot Jezus, sytë tanë ngulen mbi kryqin tënd e sakaq e kuptojmë se ti dhurove gjithçka për ne. Po ta kushtojmë këtë kohë, Ty, o Zot! Po e kalojmë pranë teje, që u lute nga Gjetsemani - deri në Kalvar. Në Vitin e lutjes ecim pranë teje në udhën e lutjes.

Nga Ungjilli sipas Markut (14,32-37)

Arritën në një vend, që quhej Gjetseman. […]. Krishti mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe nisi ta pushtojë  frika e ankthi. E u tha atyre:

“Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Rrini këtu, zgjuar!”.

  Pastaj u largua paksa, u përmbys përdhe e lutej […]:

“Abba! Për ty nuk ka asgjë të pamundur! Largoje prej meje këtë kupë, veç jo çka dua unë, por çka do ti!”.

E u kthye e i gjeti në gjumë e i tha Pjetrit […]:  “Po a nuk ishe i zoti të rrish zgjuar për një orë të vetme?”.

Zot, ti e përgatite çdo ditë me lutje dhe tani në Gjetseman përgatit Pashkët. Abba! Atë! Gjithçka është e mundur për ty - thua - sepse lutja është para së gjithash dialog dhe intimitet; por është edhe luftë e kërkesë: largoje  këtë kupë prej meje! E është edhe besim e dhuratë:  Jo ajo që dua unë, por ajo që dëshiron ti. Kështu, me lutje, hyre në derën e ngushtë të dhimbjes sonë dhe e përshkove deri në fund. Ndjeve “frikë e ankth” (Mk 14:33): frikë përballë vdekjes, ankth nën barrën e mëkatit tonë, që e ndjeve mbi vete, ndërsa të pushtoi një hidhërim i pafund. Por në kulmin e luftës ti u lute "më fort" (Lk 22:44): kështu e shndërrove ashpërsinë e dhimbjes në dhuratë dashurie.

Një gjë të vetme më kërkove: të rri me ty, zgjuar. Nuk na e kërkon kurrë të pamundurën, por afërsinë. Megjithatë, sa herë t’u shmanga! Sa herë, si dishepujt, fjeta, në vend që të vigjiloja, sa herë nuk pata kohë apo dëshirë të lutem, sepse isha i lodhur, i trullosur nga rehatia, i përgjumur në shpirt. Jezus, ma përsërit edhe një herë mua, na e përsërit ne, kishës sate: “Çohu e lutu” (Lk 22,46). Na zgjo o Zot, zgjona nga përgjumja e zemrave tona, sepse edhe sot, e sidomos sot, ti ke nevojë për lutjen tonë.

1. Jezusi dënohet me vdekje

Kryeprifti, duke u ngritur në mes të asamblesë, e pyeti Jezusin e i tha: ''Nuk po përgjigjesh? Çka po dëshmojnë këta kundër teje?''. Por ai heshti dhe nuk u përgjigj [...] Pilati e pyeti përsëri, e i tha: "Nuk përgjigjesh aspak? Shiko për sa gjëra të akuzojnë!". Por Jezusi nuk  foli më, aq sa Pilati mbeti i habitur (Mk 14,60-61;15,4-5).

Jezus, ti je jeta, e je i dënuar me vdekje; e vërteta, e duron një gjyq të rremë. Por pse nuk ankohesh? Pse nuk e ngre zërin e nuk shpjegon arsyet tuaja? Pse nuk i përgënjeshtron të diturit dhe të fuqishmit siç ke bërë gjithmonë me sukses? Reagimi yt është befasues, Jezus: në çastin vendimtar, ti nuk flet, hesht. Sepse sa më e fortë të jetë e keqja, aq më e fortë është edhe përgjigja jote. E përgjigja jote është heshtja. Sepse heshtja jote është e frytshme: është lutje, është butësi, është falje, është mënyrë për të shpenguar të keqen, për ta kthyer atë që vuan, në dhuratë që ofron. Jezus, e kuptoj se të njoh pak, sepse nuk e njoh sa duhet heshtjen tënde; sepse në furinë për të  vrapuar e për të bërë, i zhytur në gjërat, i pushtuar nga frika se nuk do të mund të rri në këmbë ose nga dëshira për të vënë veten në qendër, nuk gjej kohë të ndalem dhe të rri me ty: të të lë të veprosh ty, Fjala e Atit, që punon në heshtje. Jezus, heshtja jote më trondit: më mëson se lutja nuk lind nga buzët që lëvizin, por nga zemra, që di të dëgjojë: sepse të lutesh do të thotë t’i bindesh Fjalës sate, ta adhurosh praninë tënde.

Të lutemi, duke thënë: Foli zemrës sime, Jezus

Ti që i përgjigjesh së keqes me të mirë     Foli zemrës sime, Jezus

Ti që e shuan poteren me butësi               Foli zemrës sime, Jezus

Ti që i urren thashethemet dhe ankimet    Foli zemrës sime, Jezus

Ti që më njeh deri në fund të shpirtit,       Foli zemrës sime, Jezus

Ti që më do më shumë se e dua vetveten  Foli zemrës sime, Jezus

2. Jezusi ngarkohet me kryq

Ai mbarti mëkatet tona në korpin e tij

mbi drurin e kryqit,

që, duke mos jetuar më për mëkat,

të jetonim për drejtësi;

nga plagët e tij ju u shëruat (1 Pt 2,24).

Jezus, edhe ne mbartim kryqe, e shpesh, shumë të rënda: një sëmundje, një aksident, vdekja e një njeriu të dashur, një zhgënjim emocional, një fëmijë i humbur, një punë që mungon, një plagë e brendshme që nuk shërohet, dështimi i një projekti, një pritje tjetër e kotë... Jezus, si mund të lutem? Çfarë duhet të bëj kur ndihem i shtypur nga jeta, kur më rëndon mbi zemër një barrë e rëndë, kur jam nën këmbë të huaj dhe nuk kam forcë të kundërshtoj?  Unë të pyes, e Ti më gjegjesh: "Ejani tek unëtë gjithë të lodhur dhe të rënduar nga jeta, e unë do t'ju çlodh" (Mt 11:28). Të vij tek ti; ndërsa ngujohem brenda vetes: më vjen keq për vetveten, zhytem në viktimizëm, kampion i së keqes. Ejani tek unë: na the, po nuk na mjaftoi, e atëhere more mbi supe kryqin tonë, për të na lehtësuar barrën. Këtë dëshiron: që ne t’i shkarkojmë mundimet dhe shqetësimet tona mbi ty, sepse do që ne të ndihemi të lirë dhe të dashur. Faleminderit Jezus. Po e  bashkoj kryqin tim me tëndin, po të sjell lodhjen dhe mjerimet e mia, po flak mbi ty çdo barrë të zemrës.

Të lutemi duke thënë: po vij te ti, o Zot

Me historinë time                  Unë vij te ti, o Zot

Me kapitjet e mia                   Unë vij te ti, o Zot

Me kufizime e ligështi            Unë vij te ti, o  Zot

Me besë në dashurinë tënde    Unë vij te ti, o Zot

3. Jezusi rrëzohet për herë të parë

Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them, nëse një kokërr gruri nuk bie në tokë dhe nuk vdes, ajo mbetet vetëm; por nëse vdes, jep shumë fryt (Gjn 12,24).

Jezus, ti u rrëzove: çka mendon e si lutesh me fytyrën e zhytur në pluhur? Por, mbi të gjitha, çka të jep forcë për t'u ngritur përsëri në këmbë? Ndërsa je me fytyrë përdhe dhe nuk e sheh më qiellin, të përfytyroj duke përsëritur në zemrën tënde: Ati ynë, që je në qiell...! Shikimi plot dashuri i Atit që ngulet mbi ty, është forca jote. Por unë përfytyroj se, ndërsa puth tokën e thatë dhe të akullt, mendon për njeriun e nxjerrë nga dheu, mendon për ne, që jemi loçka e zemrës sate; dhe përsërit fjalët e testamentit tënd: “Ky është korpi im, që do të flijohet për ju” (Lk 22,19). Dashuria e Atit për ty, është e jotja për ne: dashuria, ja çka të bën të ngrihesh e të ecësh përsëri. Sepse ata që duan, nuk rrinë përdhe, rinisen; kush dashuron nuk lodhet, vrapon; e kush do, fluturon. Jezus, të kërkoj gjithmonë shumë gjëra, por më duhet vetëm një: të dish të duash. Do të rrëzohem në jetë, por dashuria do të më ndihmojë të ngrihem dhe të eci përpara, si ti, ekspert në rrëzime.  Jeta jote ishte gjithnjë rënie e vazhdueshme drejt nesh: nga Zoti - te njeriu, nga njeriu - te shërbëtori, nga shërbëtori - në kryqëzim, deri te varri; re në tokë si fara që vdes, re për të na ngritur nga toka dhe për të na çuar në parajsë. Ti, që ngrihesh nga pluhuri dhe bën të rilindë shpresën, më jep forcë të dua dhe të filloj përsëri.

Të lutemi duke thënë: Jezus, më jep forcë të dua dhe të filloj përsëri

Kur mbizotëron zhgënjimi                                                     Jezus, më jep forcë të dua dhe të filloj përsëri!

Kur gjykimet e të tjerëve bien mbi mua                              Jezus, më jep forcë të dua dhe të filloj përsëri!

Kur gjërat nuk ndreqen dhe humbas durimin                   Jezus, më jep forcë të dua dhe të filloj përsëri!

Kur ndjej se nuk mund të rri më në këmbë                       Jezus, më jep forcë të dua dhe të filloj përsëri

Kur më shtyp mendimi se s’do të ndryshojë asgjë           Jezus, më jep forcë të dua dhe të filloj përsëri

4. Jezusi takon nënën

Atëherë Jezusi, duke parë nënën e tij dhe dishepullin që e donte pranë saj, i tha [...] dishepullit: "Ja nëna jote!". Dhe që nga ajo orë dishepulli e mori me vete (Gjn 19,26-27).

Jezus, tuajt të braktisën, Juda të tradhtoi, Pjetri të mohoi: mbete vetëm, me kryqin. Por ja ku është jot ëmë. S’i duhen gjë fjalët, i mjaftojnë sytë,  që dinë ta shikojnë vuajtjen në fytyrë dhe ta marrin mbi vete. Jezus, në sytë rrëmbushur me lot e dritë të Marisë, ti sheh kujtimin e butësisë, të përkëdheljeve, të krahëve të dashur që të mirëpritën dhe të mbrojtën gjithmonë. Vështrimi i nënës është vështrimi i kujtesës, me themele në mirësi. Ne nuk mund të jemi, pa pasur një nënë që na sjell në botë,  as nuk mund të bëjmë pa një nënë, që na rikthen përsëri në botë. Ti e di dhe, nga kryqi, na dhuron nënën tënde. Ja, nëna jote - i thua dishepullit, e i përsërit secilit prej nesh: pas Eukaristisë, na jepni Marinë, dhuratën e fundit përpara se të vdesim. Jezus, rrugën tënde e ngushëllon kujtimi i dashurisë së saj. Edhe shtegtimi im duhet të bazohet në kujtesën e së mirës. E kuptoj, megjithëse lutja ime është e ligshtë në kujtesë: e shpejtë, e nxituar, një listë nevojash për sot dhe për nesër. Mari, ndaloje vrapin tim, më ndihmo të kujtoj: të ruaj hirin, të kujtoj faljen dhe mrekullitë e Zotit, të ringjalli dashurinë e parë, të shijoj mrekullitë e provanisë, të qaj me mirënjohje.

Të lutemi duke thënë: Zot, gjallëroje tek unë kujtimin e dashurisë sate

 

Kur plagët e së shkuarës riduken                                               Zot, gjallëroje tek unë kujtimin e dashurisë sate!

Kur e harroj kuptimin dhe fillin e gjërave                                Zot, gjallëroje tek unë kujtimin e dashurisë sate!

Kur i humbas nga sytë dhuratat që mora                                Zot, gjallëroje tek unë kujtimin e dashurisë sate!

Kur nuk kujtohem të të falënderoj, o Zot                                Zot, gjallëroje tek unë kujtimin e dashurisë sate!

5. Jezusi ndihmohet nga Kireneu

Ndërsa ushtarët po e çonin, ndaluan një farë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha dhe ia ngarkuan mbi shpatulla kryqin, për ta çuar pas Jezusit (Lk 23,26).

Jezus, sa herë, kur përballë sfidave të jetës, mendojmë se mund t’u bëjmë ballë vetëm! Sa e vështirë është të kërkosh një dorë, nga frika se mund të lësh përshtypjen e mungesës së nivelit të duhur, mbasi kemi gjithmonë kujdes që të dukemi! Nuk është e lehtë të besosh, aq më pak të lëshohesh në dorë të tjetrit. Por ata që luten e dinë se janë nevojtarë dhe ti, Jezus, je mësuar të besosh në lutje. Kështu që nuk e përbuz ndihmën e Kireneut. E dëshmon brishtësinë tënde para tij, njeriut të thjeshtë, fshtarit që kthehet nga fushat. Faleminderit sepse, duke pranuar ndihmë në nevojë, ti fshin figuren e një perëndie të paprekshme dhe të largët. Nuk je i pandalshëm në fuqi, por i pamposhtur në dashuri. Na mëson, kështu, se të duash të tjerët do të thotë t’i ndihmosh pikërisht aty, në ligështitë, nga të cilat turpërohen. Pastaj brishtësia shndërrohet në mundësi. I ndodhi Kireneasit: dobësia jote ia ndryshoi jetën dhe ai do të kujtohet një ditë se e  ndihmoi Shëlbuesin e tij, se u shpengua përmes atij kryqi, që e  mbajti mbi shpatulla. Që edhe jeta ime të ndryshojë, të lutem ty, Jezus: më ndihmo ta harroj mbrojtjen time e të duhem veç  prej Teje: atje ku më vjen më shumë turp nga vetja.

Të lutemi duke thënë: Më shëro, Jezus!

Nga çdo tundim i vetëdashjes                                                                 Më shëro, Jezus!

Nga mendimi se mund të bëj pa ty dhe pa të tjerët                            Më shëro, Jezus!

Nga rendja pas persosurisë                                                                     Më shëro, Jezus!

Nga ngurrimi që t’i besoj ty vuajtjet e mia                                            Më shëro, Jezus!

Nga nxitimi para nevojtarit që takoj rrugës                                          Më shëro, Jezus!

 6. Jezusi ngushëllohet nga Veronika që ia fshin fytyrën

Bekuar qoftë Hyji […] At i mëshirshëm dhe Hyj i çdo ngushëllimi. Ai na ngushëllon në të gjitha trazirat tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë ata, të cilët kalojnë çaste të vështira […]. Sepse siç dikohen pa masë mundimet e Krishtit në ne, po ashtu, nëpër Krishtin, dikohet pa masë edhe ngushëllimi ynë”. (2 Kor 1:3-5).

Jezus, shumë ndjekin shfaqjen barbare të ekzekutimit tënd dhe, pa të njohur as pa e ditur të vërtetën, të gjykojnë dhe të dënojnë, duke flakur mbi ty sharje e përçmim. Ndodh edhe sot, o Zot, dhe nuk të duhet as një procesion makabër: mjafton një tastierë, për të fyer e për të botuar dënime. Por, ndërsa shumë ulurijnë dhe gjykojnë, një grua çan turmën mes për mes. Nuk flet: vepron. Nuk shan: mëshiron. Ajo shkon kundër rrymës: e vetme, me guximin e dhembshurisë, rrezikon për dashurinë, gjen mënyrën për të kaluar mes për mes ushtarëve vetëm për t’i dhënë fytyrës sate ngushëllimin e një përkëdheljeje. Gjesti i saj do të hynte në histori, si gjest ngushëllimi. Sa herë kërkoj ngushëllim prej teje, Jezus! Por Veronika më kujton se edhe ti ke nevojë: ti, Zot i afërt, kërkon afërsinë time; ti, ngushëlluesi im, dëshiron të ngushëllohesh nga unë. Dashuri e padashur, edhe sot kërkon mes turmës zemra të ndjeshme ndaj vuajtjeve, dhimbjeve të tua. Kërkon adhurues të vërtetë, të cilët në shpirt dhe në të vërtetë (shih Gjoni 4:23) mbeten me ty (shih Gjoni 15), Dashuri e braktisur. Jezus, ndezma në shpirt dëshirën për të qenë me ty, për të të adhuruar dhe për të të ngushëlluar. E premto që, në emrin tënd, edhe unë të jem ngushëllim për të tjerët.

Të lutemi duke thënë: Më bëj dëshmitar të ngushëllimit tënd

 

Zot i mëshirës, ​​i afërt me ata që e kanë zemrën të plagosur                                    Më bëj dëshmitar të ngushëllimit tënd

Zot i butësisë, që prekesh për ne                                                                                 Më bëj dëshmitar të ngushëllimit tënd

Zot i dhembshurisë, që përbuz çkujdesjen                                                                 Më bëj dëshmitar të ngushëllimit tënd

Ti që trishtohesh kur ua drejtoj gishtin të tjerëve                                                      Më bëj dëshmitar të ngushëllimit tënd

Ti që nuk erdhe për të dënuar, por për të shpëtuar                                                  Më bëj dëshmitar të ngushëllimit tënd

7. Jezusi bie përsëri nën barrën e kryqit

[Djali i vogël] erdhi në vete dhe tha: [...] Unë do të ngrihem dhe do të shkoj te babai im dhe do t'i them: Atë, kam mëkatuar […]. Ai u ngrit dhe u kthye te i ati. Ndërsa ishte ende larg, i ati e pa, pati dhembshuri, vrapoi për ta takuar, iu hodh në qafë dhe e puthi. I biri i tha: "O Atë, kam mëkatuar [...]; nuk jam më i denjë të quhem biri yt". Por babai ia kthei [...]: "Ky djali im ishte i vdekur e u rikthye në jetë, ishte i humbur, e u gjet" (Lk 15,17-18,20-22,24)

Jezus, kryqi peshon: mbart barrën e disfatës, të dështimit, të poshtërimit. E kuptoj kur ndihem i shtypur nga ngjarjet, në shënjestër të jetës, i keqkuptuar nga të tjerët; kur ndjej peshën e tepruar e shqetësuese të përgjegjësisë dhe të punës, kur më ngërthen ankthi, më pushton melankolia, ndërsa më përsëritet një mendim mbytës: nuk do t’ia dalësh mbanesh, këtë herë nuk do të ngrihesh. Por ka edhe më keq. E kuptoj se kam prekur fundin, kur bie përsëri: kur kthehem tek gabimet e mia, tek mëkatet e mia, kur shkandullohem nga të tjerët… e atëherë kuptoj se jam ky që jam! Nuk ka asgjë më të keqe se të jesh i zhgënjyer nga vetja, i dërrmuar nga ndjenja e fajit. Por ti, Jezus, re disa herë nën peshën e kryqit për të qenë pranë meje, kur  rrëzohem. Me ty shpresa nuk shterron kurrë! Ndaj pas çdo renie ngrihem persëri, sepse kur gaboj, ti nuk lodhesh nga unë, por më afrohesh. Faleminderit që më pret; faleminderit, sepse rrëzohem shumë herë e ti më fal shumë herë: gjithnjë. Më kujto se rrëzimet mund të bëhen çaste vendimtare në rrugë, sepse më bëjnë ta kuptoj të vetmen gjë që ka rëndësi: të kuptoj se kam nevojë për ty. Jezus, gdhende në zemrën time sigurinë më të rëndësishme: se ngrihem me të vërtetë vetëm kur më ngre përsëri në këmbë, kur më çliron nga mëkatet. Mbasi jeta nuk rifillon përsëri nga fjalët e mia, por nga falja jote.

Të lutemi duke thënë: Ngremë përsëri, Jezus!

 

Kur, i paralizuar nga mosbesimi, trishtohem e dëshpërohem                                          Ngremë përsëri, Jezus!

Kur shoh asgjënë time dhe ndihem krejt i kotë                                                                 Ngremë përsëri, Jezus!

Kur turpi dhe frika më pushtojnë                                                                                         Ngremë përsëri, Jezus!

Kur tundohem të humbas shpresën                                                                                   Ngremë përsëri, Jezus!

Kur harroj se forca ime është në faljen tënde                                                                    Ngremë përsëri, Jezus!

8. Jezusi takon gratë e Jeruzalemit

Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish e disa gra që e qanin dhe e vajtonin (Lk 23,27)

O Jezus, kush të ndjek deri në fund përgjatë udhës së kryqit? Jo të pushtetshmit, që të presin në Kalvar, jo spektatorët që rrinë larg, por njerëzit e thjeshtë, të mëdhenj në sytë e tu dhe të vegjël në sytë e botës. Janë gratë, të cilave u ke dhënë shpresë: nuk kanë zë, por dëgjohen. Na ndihmo t’ua njohim madhështinë grave, atyre që ishin besnike dhe afër teje për Pashkë, por që ende sot mënjanohen, duke pësuar poshtërime e dhunë. O Jezus, gratë, që takon, rrahin gjoksin dhe vajtojnë për ty. Ato nuk qajnë për veten, por për ty, qajnë për të keqen dhe mëkatin e botës. Lutja e tyre, bërë me lot, të arrin në zemër. Po lutja ime a di të derdhë lot? A prekem para teje, i kryqëzuar për mua, para dashurisë sate të butë e të plagosur? A derdh lot për gënjeshtrat dhe për paqëndrueshmërinë time? Para tragjedive të botës, zemra ime është e akullt apo shkrihet? Si reagoj para çmendurisë së luftës, para fytyrave të fëmijëve që nuk dinë më të buzëqeshin, para nënave, që i shohin të kequshqyer dhe të uritur dhe nuk kanë më lot për të derdhur? Ti, o Jezus, derdhe lot mbi Jeruzalemin, qave për ngurtësinë e zemrave tona. Më shkund nga brenda, më jep hirin të derdh lot duke u lutur dhe të lutem duke qarë.

Të lutemi, duke thënë: Jezus, shkrije zemrën time të ngurtësuar

 

Ti që i di të fshehtat e zemrës                                             Jezus, ma shkri zemrën e ngurtësuar

Ti që trishtohesh nga ngurtësia e shpirtrave                    Jezus, ma shkri zemrën e ngurtësuar

Ti që i do zemrat e përvuajtura dhe të penduara            Jezus, ma shkri zemrën e ngurtësuar

Ti që i thave ma falje lotët e Pjetrit                                   Jezus, ma shkri zemrën e ngurtësuar

Ti që e shndërron të qarën në këngë                               Jezus, ma shkri zemrën e ngurtësuar

9. Jezusit i zhveshin rrobat

“‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’” (Mt 25,37-40).

Jezus, këto janë fjalët që the para Mundimeve. Tani e kuptoj këmbënguljen tënde për t'u identifikuar me nevojtarët: të burgosën; ti i huaj, të çuan jashtë qytetit për t'u kryqëzuar; ti je lakuriq, i zhveshur nga rrobat; ti, i sëmurë dhe i plagosur; ti, i etur në kryq dhe i uritur për dashuri. Më lër të të shoh në vuajtje dhe të shoh të vuajturit në ty, sepse ti je aty, në ata që zhvishen nga dinjiteti, në të krishterët e poshtëruar nga arroganca dhe padrejtësia, nga fitimet e padrejta në kurriz të të tjerëve, në indiferencën e përgjithshme. Të shoh o Jezus, të zhveshur nga rrobat dhe e kuptoj që ti më fton të zhvishem nga shumë gjëra të jashtme. Sepse ti nuk shikon dukjen, por zemrën. E nuk do një lutje të shterpët, por një lutje të frytshme bamirësie. O Zot i zhveshur, më nxirr lakuriq edhe mua. Sepse është e lehtë të flasësh, por, pastaj, a e dua vërtet në të varfërit, korpin tënd të plagosur? A lutem për ata që zhvishen nga dinjiteti? Apo lutem që të mbuloj vetëm nevojat e mia dhe të vishem me siguri? Jezus, e vërteta jote më nxjerr në shesh siç jam dhe më bën të përqendrohem në ç’ka më rëndësi: në ty i kryqëzuar dhe në vëllezërit e tu të kryqëzuar. Bëj që ta kuptoj tani, që të mos jem i zhveshur nga dashuria kur të dal para teje.

Të lutemi, duke thënë: Më zhvish, o Zot Jezus!

 

Nga lidhja veç me dukjen e jashtme                                                  Më zhvish, o Zot Jezus!

Nga armatura e indiferencës                                                              Më zhvish, o Zot Jezus!

Nga besimi se të ndihmoj të tjerët nuk varet nga unë                    Më zhvish, o Zot Jezus!

Nga kulti i mirësisë së shtirë dhe nga i dukjes së jashtme               Më zhvish, o Zot Jezus!

Nga bindja se jeta është e mirë nëse është e mirë për mua          Më zhvish, o Zot Jezus!

10. Jezusi gozhdohet në kryq

Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. E Jezusi lutej: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!” (Lk 23,33-34).

O Jezus, të shporojnë krahë e këmbë me gozhdëm, duke ta shqyer mishin dhe pikërisht tani, ndërsa dhimbja fizike është më e tmerrshme, nga goja të rrjedh lutja e pamendueshme: fali ata, që po të vënë gozhdë në kyçet e dorës. E jo vetëm një herë, por shumë herë, siç kujton Ungjilli, me atë foljen që tregon një veprim të përsëritur: thoshe: “Atë, fali”. Atëherë, me ty, o Jezus, edhe unë mund të gjej guximin për të zgjedhur faljen, e cila çliron zemrën dhe i jep hov të ri jetës. O Zot, nuk mjafton të na falësh, por na justifikon edhe para Atit: ata nuk dinë çfarë bëjnë. Na mbron, bëhesh avokati ynë, ndërmjetëson për ne. Tani që duart e tua, me të cilat bekoje dhe shëroje, janë gozhduar dhe këmbët e tua, me të cilat çoje lajme të gëzuara, nuk mund të ecin më, tani, në pafuqi, na zbulon gjithëpushtetin e lutjes. Në majën e Golgotës, na zbulon lartësinë e lutjes ndërmjetësuese, e cila shpëton botën. O Jezus, bëj që unë të mos lutem vetëm për mua dhe për të dashurit e mi, por për ata që nuk më duan dhe më lëndojnë; të lutem, sipas dëshirave të zemrës sate, për ata që janë larg teje; për t’i shpërblyer e për të ndërmjetësuar në favor të atyre që, duke të injoruar, nuk e njohin gëzimin e dashurisë për ty dhe të faljes prej teje.

Të lutemi duke thënë: O Atë, ki mëshirë për ne dhe për mbarë botën

Për mundimet dhimbshme të Jezu Krishtit                                                                                                O Atë, ki mëshirë për ne dhe për mbarë botën

Për fuqinë e plagëve të tij                                                                                                                             O Atë, ki mëshirë për ne dhe për mbarë botën

Për faljen e tij në kryq                                                                                                                                   O Atë, ki mëshirë për ne dhe për mbarë botën

Për ata, që falin, për hir të dashurinë tënde                                                                                               O Atë, ki mëshirë për ne dhe për mbarë botën

Nëpërmjet ndërmjetësimit të atyre që të besojnë, të adhurojnë, shpresojnë dhe të duan                 O Atë, ki mëshirë për ne dhe për mbarë botën

11. Jezusi larton britmën për braktisjen e tij

Që prej orës gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi mbarë tokën. Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë të madh: “Eli, Eli! Lema sabakthani? ‑ që d.m.th: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!” (Mt 27,45-46).

O Jezus, ja lutja e padëgjuar: i larton Atit britmën për braktisjen tënde. Ti, Zot i qiellit, nuk flet me bubullimë, por pyet pse? Në kulmin e Mundimeve, e ndieve largësinë nga Ati dhe nuk e quajte më Atë, si gjithmonë, por Zot, thuajse nuk ishe më në gjendje ta identifikoje fytyrën e tij. Pse kështu? Për t’u zhytur deri në fund të humnerës së dhimbjes sonë. E bëre për mua, që kur shoh vetëm errësirë, kur përjetoj shembjen e sigurive dhe mbytjen e jetës, të mos ndihem më vetëm, por të besoj se ti je aty me mua: ti, Zoti i bashkimit, që përjeton braktisjen për të mos më lënë më peng të vetmisë. Kur thirre pse, e bëre me një Psalm: kështu e bëre lutje edhe shkretinë më të skajshme. Ja ç’duhet bërë në stuhitë e jetës: në vend që të heshtim e t’i mabjmë gjërat përbrenda, ta lartojmë britmën ty. Lavdi ty, o Zot Jezus, sepse nuk ike nga përhumbja ime, por e jetove plotësisht; lumni e lavdi ty që, duke marrë përsipër çdo distancë, u bëre i afërt me më të largëtit prej teje. E unë, në terrin e pseve të mia, të gjej ty, o Jezus, dritë në natën e errët. E, në britmën e kaq shumë njerëzve të vetmuar dhe të përjashtuar, të shtypur dhe të braktisur, të shoh ty sërish, o Zoti im: bëj që të të njoh dhe të të dua.

Të lutemi duke thënë: Jezus, bëj që të të njoh dhe të të dua

 

Në fëmijët e palindur dhe në ata të braktisur                                                                                        Jezus, bëj që të të njoh dhe të të dua

Në shumë të rinj, në pritje që dikush ta dëgjojë britmën e tyre të dhimb                                         Jezus, bëj që të të njoh dhe të të dua

Në shumë të moshuar të flak                                                                                                                  Jezus, bëj që të të njoh dhe të të dua

Në të burgosurit dhe në ata që janë vetëm                                                                                           Jezus, bëj që të të njoh dhe të të dua

Në popujt më të shfrytëzuar dhe të harrua                                                                                          Jezus, bëj që të të njoh dhe të të dua

12. Jezusi vdes duke ia dorëzuar veten Atit dhe duke i dhuruar Parrizin hajdutit të mirë

[Një nga kriminelët e varur në kryq] tha:“Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë”… Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha: “O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!” Si tha këto, dha shpirt (Lk 23,42-43,46).

O Jezus, një kriminel në Parriz! Ai ia beson vetveten ty dhe ti ia beson Atit bashkë me ty. Zot i së pamundurës, e bën hajdutin shenjtor. E jo vetëm kaq: në Kalvar, e ndryshon rrjedhën e historisë. E bën kryqin, emblemë e torturës, ikonë të dashurisë; e bën murin e vdekjes urë drejt jetës. Ti e shndërron errësirën në dritë, ndarjen në bashkim, dhimbjen në valle, madje, edhe varrin, stacionin e fundit të jetës, në pikënisje të shpresës. Por, këto shndërrime i bën me ne, kurrë pa ne. O Jezus, kujtohu për mua: kjo lutje e sinqertë të dha mundësinë për të bërë mrekulli në jetën e atij krimineli. Fuqia e padëgjuar e lutjes. Nganjëherë, mendoj se lutja ime nuk dëgjohet, por është themelore të ngulmosh, të vazhdosh, të kujtohesh për tìi thënë vetes: "Jezus, kujtohu për mua". Kujtohu për mua e për të këqijat që kam bërë nuk do të jenë më fundi, por rifillimi. Kujtohu: më lër të rri sërish në zemrën tënde, edhe kur largohem, kur humbas në rrotën e jetës, që rrotullohet me shpejtësi marramendëse. Kujtohu për mua, o Jezus, sepse të kujtohesh nga ti – siç dëshmon hajduti i mirë – do të thotë të hysh në Parriz. Mbi të gjitha, ma kujto, o Jezus, se lutja ime mund të ndryshojë historinë.

Të lutemi, duke thënë: Jezus, kujtohu për mua

 

Kur shpresa zbehet dhe mbretëron zhgënjimi                                                Jezus, kujtohu për mua

Kur nuk jam në gjendje të marr një vendim                                                   Jezus, kujtohu për mua

Kur e humbas besimin në vetveten dhe te të tjerët                                       Jezus, kujtohu për mua

Kur e humbas nga sytë madhështinë e dashurisë sate                                  Jezus, kujtohu për mua

Kur mendoj se lutja ime është e padobishme                                                Jezus, kujtohu për mua

13. Jezusin e ulin nga kryqi në krahët e Marisë

Simeoni… i tha Marisë, nënës së tij: “Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë - edhe ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin” (Lk 2,34-35).

Mari, pas "po"-së tënde, Fjala u bë njeri në kraharorin tënd; tani, shtrirë në prehrin tënd është korpi i tij i torturuar: ai fëmijë, që e mbaje në krahë është kufomë plot plagë. Por, edhe tani, në çastin më të dhimbshëm, shkëlqen oferta jote: një shpatë ta shporon shpirtin e lutja jote vazhdon të jetë një "po" për Zotin. Mari, ne jemi të varfër në "po" dhe të pasur në "nëse": nëse do të kisha prindër më të mirë, nëse do të isha kuptuar dhe dashur më shumë, nëse karriera ime do të kishte shkuar më mirë, nëse nuk do të ishte ai problem, nëse nuk do të vuaja më, nëse Zoti do të më dëgjonte... Gjithmonë duke pyetur për psenë e gjërave, nuk e kemi të lehtë ta jetojmë të tashmen me dashuri. Ti do të kishe shumë "nëse" për t'i thënë Zotit, por prapë i thua "po". I fortë në fe, beson se dhimbja, e përshkuar nga dashuria, jep fryte shëlbimi; se vuajtja, me Zotin, nuk e ka fjalën e fundit. E, ndërsa e mban në krahë Jezusin e pajetë, jehojnë brenda teje fjalët e fundit, që të tha: Ja biri yt. Nënë, jam unë ai bir! Më përqafo me krahët e tu dhe përkulu mbi plagët e mia. Më ndihmo t'i them "po" Zotit, "po" dashurisë. Nënë e mëshirës, ​​jetojmë në kohë të pamëshirshme dhe kemi nevojë për dhembshuri: ti, e butë dhe e fortë, na lyej me bagmin e butësisë: zgjidhi nyjet e shpirtit dhe rezistencën e zemrës.

Të lutemi, duke thënë: Më merr për dore, o Mari

 

Kur dorëzohem para fajësimit dhe viktimizmit                                                            Më merr për dore, o Mari

Kur ndaloj së luftuari dhe pranoj të jetoj me gënjeshtra                                             Më merr për dore, o Mari

Kur vonoj dhe nuk gjej guximin t'i them "po" Zotit                                                     Më merr për dore, o Mari

Kur jam i butë me veten dhe i ashpër me të tjerët                                                      Më merr për dore, o Mari

Kur dua që Kisha dhe bota të ndryshojnë, por unë nuk ndryshoj                             Më merr për dore, o Mari

14. Jezusi vendoset në varrin e Jozefit të Arimatesë

Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit… Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb (Mt 27,57-60).

Jozef: emri, që së bashku me Marinë, e gjejmë në agimin e Krishtlindjes, shënon edhe aurorën e Pashkëve. Jozefi i Nazaretit pa një ëndërr dhe me guxim, e mori Jezusin për ta shpëtuar nga Herodi; ti, Jozef i Arimatesë, more trupin e tij, pa e ditur se një ëndërr e pamundur dhe e mrekullueshme do të realizohej pikërisht aty, në varrin që i ke dhënë Krishtit kur mendoje se ai nuk mund të bënte më asgjë për ty. Por, është njëmend e vërtetë se çdo dhuratë që i bëhet Hyjit merr një shpërblim më të madh. Jozef i Arimatesë, ti je profet i guximit të madh. Për t'i bërë dhuratën tënde një të vdekuri, shkon te Pilati i tmerrshëm dhe i lutesh që t’i japësh Jezusit varrin, që kishe bërë për vete. Lutja jote është këmbëngulëse dhe fjalët pasohen nga veprat. Jozef, na kujto se lutja këmbëngulëse jep fryte e, madje, e tejshkon edhe terrin e vdekjes; se dashuria nuk mbetet pa përgjigje, por na dhuron fillime të reja. Varri jot, që – i vetmi në histori – do të jetë burim jete, ishte i ri, i sapogërmuar në shkëmb. E unë, çfarë t'i jap Jezusit si gjë të re në këtë Pashkë? Pak kohë për ta kaluar me Të? Pak dashuri për të tjerët? Frikën dhe mjerimet e mia të varrosura, të cilat Krishti i pret, t’ia ofroj atij siç bëre ti me varrin? Do të jetë vërtet Pashkë, nëse i dhuroj diçka timen Atij, që dha jetë për mua: sepse vetëm kur japim, edhe marrim; sepse jetën e gjejmë kur e humbasim dhe e zotërojmë vërtet kur e dhurojmë.

Të lutemi duke thënë: Ki mëshirë, o Zot

 

Për mua, që përtoj të bëj kthesë                                                                                                                         Ki mëshirë, o Zot

Për mua, që dua të marr shumë dhe të jap pa                                                                                                  Ki mëshirë, o Zot

Për mua, të paaftin për t’iu dorëzuar dashurisë sate                                                                                        Ki mëshirë, o Zot

Për ne, të gatshëm për t’u shërbyer, por të ngadalshëm në shërbimin e të tjerëve                                    Ki mëshirë, o Zot

Për botën tonë të mbushur me varret e egoizmit                                                                                           Ki mëshirë, o Zot

 

Lutja përfundimtare (në emrin e Jezusit, 14 herë)

O Zot, të lutemi si nevojtarët, të brishtët dhe të sëmurët e Ungjillit, që të thirrën me fjalën më të thjeshtë dhe më familjare: me emrin tënd.

O Jezus, emri yt shpëton, sepse ti je shpëtimi ynë.

O Jezus, ti je jeta ime dhe për të mos e humbur drejtimin në rrugën time, kam nevojë për ty, që fal dhe ngre sërish në këmbë, që ma shëron zemrën dhe i jep kuptim dhimbjes.

O Jezus, ti i ke marrë mbi vete të këqijat e mia dhe nga kryqi nuk më qorton me gisht, por më përqafon; ti, zemërbutë dhe i përvujtë, më shëro nga urrejtja dhe inati, më çliro nga dyshimet dhe mosbesimi.

O Jezus, të shikoj në kryq dhe shoh të shpërfaqet para syve të mi dashuria, kuptim i qenies sime dhe qëllim i udhës sime: më ndihmo të dua dhe të fal, të kapërcej intolerancën dhe indiferencën, të mos ankohem.

O Jezus, në kryq ke etje e, është etja për dashurinë dhe lutjen time; ke nevojë për to për të çuar deri në përmbushje planet e tua të së mirës e të paqes.

O Jezus, të falënderoj për sa i përgjigjen ftesës tënde dhe ngulmojnë në lutje, në guximin për të besuar, duke vazhduar të ecin përpara në vështirësi.

O Jezus, të paraqes barinjtë e popullit tënd të shenjtë: lutja e tyre e mbështet grigjën; bëj që të gjejnë kohë për të ndenjur para teje, për t’ia përshtatur zemrat e tyre zemrës sate.

O Jezus, të bekoj për rregulltaret e rregulltarët kundrues, lutja e të cilëve, e fshehur nga bota dhe e këndshme për ty, ruan Kishën dhe njerëzimin.

O Jezus, po sjell para teje familjet dhe njerëzit, që sonte, u lutën nga shtëpitë e tyre, të moshuarit, veçanërisht të vetmuarit, të sëmurët, gurë të çmuar të Kishës, të cilët i bashkojnë vuajtjet e tyre me të tuat.

O Jezus, kjo lutje ndërmjetësimi u mbërriftë motrave dhe vëllezërve, që në shumë anë të botës, vuajnë nga persekutimet, për shkak të emrit tënd; atyre, që pësojnë dramën e luftës dhe atyre, që, duke marrë forcë nga ti, bartin kryqe të rënda.

O Jezus, me kryqin tënd na ke bërë të gjithëve një gjë të vetme: bashkoji besimtarët në një bashkësi, diko ndjenja vëllazërore e durim, na ndihmo të bashkëpunojmë dhe të ecim së bashku; mbaje Kishën dhe botën në paqe.

O Jezus, gjykatës i shenjtë që do të më thërrasësh me emër, më çliro nga gjykimet e nxituara, nga thashethemet dhe nga fjalët e dhunshme e fyerëse.

O Jezus, para se të vdesësh, thua: "U krye". Unë, në paplotësinë time, nuk mund ta them; por unë kam besim te ti, sepse ti je shpresa ime, shpresa e Kishës dhe e botës.

O Jezus, dua të të them edhe një fjalë dhe të vazhdoj të përsëris: faleminderit! Faleminderit, o Zoti dhe Hyji im.

29 mars 2024, 16:35