Kërko

Udha e Kryqit në Koloseum Udha e Kryqit në Koloseum

Udha e Kryqit: për herë të parë, meditimet i shkruan Papa Françesku

“Në lutje me Jezusin në udhën e Kryqit”: kjo është tema e reflektimeve, që do shoqërojnë 14 ndalesat në Koloseum. Salla e Shtypit e Vatikanit: "Një akt meditimi dhe përshpirtërie, me Jezusin në qendër, në kuadrin e Vitit të Lutjes, shpallur nga Papa. Jo aq i drejtpërdrejtë, por më i gjerë, referimi ndaj aktualitetit". Tani për tani, nuk ka ndryshime në praninë e Papës në Udhën e Kryqit të së Premtes së Madhe, në Koloseum

R.SH. – Vatikan

Sivjet, është Papa Françesku, që shkruan personalisht meditimet për Udhën e Kryqit, e cila do të kremtohet të Premten e Madhe të Pashkëve, 29 mars, në Koloseum. Është hera e parë që nuk thirren njerëz apo grupe të ndryshme, siç ka ndodhur vitet e kaluara. Edhe më 2023 meditimet u përgatitën në Vatikan, duke bashkuar dëshmitë dhe fjalimet e Papës gjatë udhëtimeve apostolike, por kjo është hera e parë që Ati i Shenjtë i shkruan ato vetë nga e para. Në tekstet e kaluara, autorët përqendroheshin në tema, që kalojnë nga migrantët te familja, nga puna në jetën e të burgosurve.

Udhë Kryqi tejet meditative

"Këtë vit do të jetë një Udhë Kryqi tejet meditative", shpjegon Salla e Shtypit e Vatikanit, që bën të ditur se tema është: "Në lutje me Jezusin në udhën e Kryqit". Tekstet, të cilat do të bëhen publike pikërisht të premten, “përqendrohen jashtëzakonisht te Jezusi dhe te gjithçka jeton Ai në atë çast. Prej andej, hapet horizonti drejt botës së vuajtjes”, vijon nota e Sallës së Shtypit.

Pra, të Premten e Madhe, në Koloseum, do të kemi një Udhë Kryqi lutjeje, në vitin që Papa Françesku ia ka kushtuar pikërisht lutjes, në përgatitje për Jubileun 2025.

Prania e Papës në Palatin

Përsa i përket pranisë së Papës në Udhën e Kryqit, duke pasur parasysh gjendjen shëndetësore të tij dhe rënien e temperaturave në Romë, Salla e Shtypit e Vatikanit as e konfirmoi dhe as e mohoi: mbetet ajo që dihet, pra, Ati i Shenjtë do të jetë i pranishëm të Premten e Madhe në Koloseum. “Aktualisht nuk ka ndryshime në krahasim me atë që është planifikuar”. Tekstet e meditimeve do të shpërndahen të premten, më 29 mars dhe në të njëjtën ditë do të merret vesh se cilët do të jenë bartësit e kryqit përgjatë rrugëve të lashta rreth amfiteatrit, ku u martirizuan të krishterët e parë. Sigurisht, thekson Salla e Shtypit, “njerëzit që mbajnë kryqin janë të lidhur me reflektimin në atë ndalesë”.

26 mars 2024, 16:35