Toka e Shenjtë, Papa falënderon dy baballarë, miq të bashkuar nga kryqi
R.SH. / Vatikan
Në përfundim të katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në sallën Pali VI në Vatikan, Papa Françesku kujtoi historinë e dy vajzave të vrara. Vetë prania e tyre, njëra pranë tjetrës, është dëshmi e prekshme që tregon se jo gjithçka ka humbur, se ka një dritë që të ndihmon ta kapërcesh “errësirën” e botës së kapërthyer nga terri. Bassam Aramin dhe Rami Elhanan, njëri izraelit dhe tjetri arab, janë "dy njerëz të thjeshtë, dy baballarë", që i bashkoi dhimbja më e madhe për një prind: humbja e fëmijës! Bassam pa Abirin e tij 10-vjeçare duke vdekur nga një plumb gome i shkrepur prej një ushtari izraelit; Rami humbi Smadarin 13-vjeçare në një sulm vrasës palestinez. Dy tragjedi tronditëse, shprehje e dhunës që kapërthen Tokën Shenjte; pas këtyre tragjedive, dy burrat u takuan dhe e mbollën dhimbjen e tyre në tokën e mirë të shpresës. Atë tokë, që shkul të keqen për të rritur frytet e së mirës dhe të pajtimit!
Përshëndetja e Papës
Sot Bassami dhe Rami ishin të pranishëm në Sallën Pali VI, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, të ulur pranë njëri-tjetrit dhe të shoqëruar nga drejtori i Libreria Editrice Vaticana (LEV), Lorenzo Fazzini. Françesku i priti në mëngjes, më pas i përshëndeti përsëri në fund të audiencës. Por, fillimisht, donte të tërhiqte vëmendjen e botës për historinë e tyre: “Këtu sot, në këtë audiencë, janë dy vetë, dy baballarë. Janë të parët: një izraelit dhe një arab”:
“Të dy humbën bijat e tyre në këtë luftë dhe të dy janë miq; nuk shohin armiqësinë e luftës, por miqësinë e dy burrave që e duan njëri-tjetrin dhe që kanë kaluar nëpër të njëjtin kryqëzim
Faleminderit për dëshminë tuaj!
Bassam dhe Rami janë sot fytyrat më të njohura të Forumit të Familjeve të Rrethit të Prindërve, organizatë bazë e familjeve palestineze dhe izraelite që humbën anëtarët e familjeve për shkak të konfliktit në Tokën Shenjte dhe që bashkëpunojnë nga dëshira për sigurimin e paqes së qëndrueshme. Historia e tyre tregohet tërësisht në librin e shkrimtarit irlandez Colum McCann, Apeirogon, emër i një shumëkëndëshi me një numër të pafund brinjësh. Aq sa të pafundme janë nuancat e këtyre dëshmive dhe rrethanat e vështira në të cilat u zhvilluan. Françesku i nxit besimtarët të reflektojnë mbi historinë e dy baballarëve dhe ta shohin atë si fener në këto kohë të errta, të plagosura, pa harruar të shprehë mirënjohjen e tij personale:
“Të mendojmë për dëshminë shumë të bukur të këtyre dy njerëzve, që e vuajtën në vajzat e tyre luftën në Tokën Shenjte. Të dashur vëllezër, ju falënderoj për dëshminë tuaj”.
Thirrje për Ukrainën dhe për Lindjen e Mesme
Gjatë përshëndetjeve drejtuar besimtarëve arabishtfolës, Papa kujtoi “viktimat e pafajshme të luftërave” dhe u lut që “Krishti, me Ngjalljen e tij, të sjellë paqe e ngushëllim”. Thirrje, kjo, me formë më të qartë në urimin drejtuar italianëve: “Vëllezër e motra, të lutemi për paqe!”:
“Që Zoti t’i japë paqe Ukrainës së martirizuar, e cila po vuan kaq shumë nga bombardimet. Edhe Izraelit, Palestinës; e paqe edhe Tokës Shenjte. Zoti na dhashtë paqen për të gjithë, si dhuratë e Pashkëve të tij”.